Fuoristradat sinjalizojnë me drita nisjen e skafeve të drogës nga Saranda në Korfuz

Trafiku i madh i drogës nga Shqipëria ka vënë sërish në alarm policinë greke për shkak të sasive të mëdha të lëndëve narkotike të kapura gjatë këtij muaji. Më shumë se 3 ton u sekuestruan vetëm gjatë tetorit në Greqi, ndërsa gazeta greke ‘Elftheros Typos’ ka bërë një artikull për kartelet e kanabisit dhe rrugët e trafikut drejt Greqisë. Gazeta tregon edhe një rast të këtij trafiku, që ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në kufirin detar mes Sarandës dhe Korfuzit.
Duke iu referuar burimeve konfidenciale të policisë, ‘Elftheros Typos’ shkruan se dy varka të nisura nga bregdeti i Sarandës qëndronin në mes të detit gjatë natës, duke pritur sinjalizimin nga bregu i Korfuzit nga trafikantët. Këta të fundit përdornin dritat e fuoristradave të tyre për të dhënë sinjalin që skafet me drogë të nisura nga Saranda të zbarkonin në Korfuz dhe të dorëzonin ngarkesën.
“Disa ditë më parë, dy varka po prisnin që të ngarkoheshin në Sarandë. Skafet ecnin ngadalë drejt Korfuzit dhe kur shkoi ora 02:00 e mëngjesit filloi sinjalizimi i parë nga bregu shqiptar. Edhe nga bregdeti përballë erdhi sinjalizimi me dritat e fuoristradave të trafikantëve. Kjo ishte shenjë për të vazhduar rrugën në të njëjtin drejtim sipas planit. Skafet mbërritën në bregun grek dhe dorëzuan “mallin” tek fuoristradat luksoze që i prisnin. Ky është një nga dhjetëra rastet që ndodhin në bregdetin shqiptar dhe grek”, shkruan gazeta ‘Elftheros Typos’.
Më pas, artikulli vazhdon duke treguar rastet e tjera të trafikut ndërkombëtar të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë, të cilat janë shtuar pas ndërhyrjes së policisë në Lazarat.

Artikulli paraprakSot në orën 18: 00 protestë në Tiranë kundër plehrave
Artikulli tjetërMafia e futbollit