Shifra e frikshme, The Economist: Deri 13 milionë vdekje më shumë gjatë pandemisë

Vendet e varfra kanë vuajtur shumë, por shumica e vdekjeve ka ndodhur gjetiu, shkruan The Economist

Sipas shifrave zyrtare, në Afrikën e Jugut ka pasur 55,000 vdekje nga Covid-19 që nga 27 marsi i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se shkalla e vdekshmërisë në vend është 92.7 për 100,000 njerëz, më e larta në Afrikën Nënsahariane. Shifra është gjithashtu një nënvlerësim domethënës, ashtu si të gjitha të dhënat e tjera afrikane mbi sëmundjen.

Gjatë vitit, deri më 8 maj, vendi regjistroi 158,499 vdekje shtesë – pra vdekje mbi numrin që pritej në vitet e kaluara, duke pasur parasysh ndryshimet demografike. Zyrtarët e shëndetit publik mendojnë se 85-95% e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga sars-cov-2, virusi i Covid-19.

Kjo mospërputhje ndodh sepse, në mënyrë që një vdekje të regjistrohet për shkak të Covid-19, i ndjeri duhet të ketë kryer një test Covid-19 dhe duhet të regjistrohet se ka vdekur nga kjo sëmundje. Megjithëse Afrika e Jugut kryen shumë më tepër testime në krahasim me vendet fqinje, niveli i përgjithshëm i testimit është ende i ulët.

Afrika e Jugut nuk është ndonjë rast unik dhe i pazakontë për sa u përket niveleve të testimit, ose vdekjeve të paregjistruara nga sistemi mjekësor. Vdekshmëria shtesë ka tejkaluar vdekjet e raportuara zyrtarisht si pasojë e Covid-19, të paktën në disa periudha gjatë epidemisë, në pjesën më të madhe të botës. Sipas të dhënave më të fundit, vdekjet shtesë në Amerikë ishin 7.1% më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19, midis fillimit të marsit 2020 dhe mesit të prillit 2021.

Shumë vende kanë pasur mospërputhje të tilla. Për shembull, Britania kishte vdekje shtesë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 gjatë valës së parë, por më të ulëta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 në valën e dytë – një efekt që tregon se masat për të ndaluar përhapjen e Covid-19 kanë shpëtuar jetë, të cilat në një vit të zakonshëm do të ishin humbur nga sëmundje të tjera, si gripi sezonal. Një dukuri e ngjashme ndodhi edhe në Francë.

Por metoda e vdekshmërisë shtesë nuk ka mundësuar shifra të dobishme globale, sepse shumica e vendeve, në veçanti shumica e vendeve të varfra, nuk japin statistika të vdekshmërisë shtesë në kohën e duhur. Vlerësimet globale kanë përdorur shifrat zyrtare, pavarësisht se e dinë se këto shifra – aktualisht 3.3 milionë – janë shumë larg realitetit.

Për të kuptuar se sa larg realitetit janë në të vërtetë këto shifra zyrtare, The Economist është përpjekur të përcaktojë nivelin e vdekshmërisë shtesë gjatë rrjedhës së pandemisë në vendet që nuk e raportojnë atë. Studimi arriti në përfundimin se ka një probabilitet prej 95% që numri i të vdekurve deri më sot të jetë midis 7.1 milionë dhe 12.7 milionë, me një vlerësim qendror prej 10.2 milionë. Në rastin më të mirë, shifrat zyrtare përfaqësojnë më pak se gjysmën e numrit real të vdekjeve, dhe në rastin më të keq, vetëm një të katërtën e tij.

Përveçse jep një vlerësim të ri të shtrirjes së përgjithshme të pandemisë, modelimi nga The Economist hedh dritë mbi shpërndarjen e efekteve të pandemisë dhe rrjedhën e përgjithshme.

Vendet e varfra kundrejt të zhvilluarave

Nuk është për t’u çuditur se pjesa më e madhe e vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 por që nuk janë përcaktuar zyrtarisht si të tilla, vijnë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas studimit, shkalla e vdekshmërisë në vendet e pasura që janë anëtare të grupit OECD, ishte 1.17 herë më e lartë se numri zyrtar. Ndërsa shkalla e vlerësuar e vdekshmërisë për Afrikën Nënsahariane ishte 14 herë më e lartë se numri zyrtar. Dhe struktura e valës së parë dhe të dytë që vihet re në Europë dhe Shtetet e Bashkuara është shumë më pak e dukshme në shifrat e studimit për botën në tërësi. Në përgjithësi, pandemia po përqendrohet gjithnjë e më tepër në ekonomitë në zhvillim dhe kjo dukuri po vazhdon të rritet.

Për të krijuar këto vlerësime globale të vdekjeve totale shtesë gjatë pandemisë, ne kemi marrë parasysh një gamë të gjerë të dhënash. Numri zyrtar i vdekjeve nga Covid-19, sado i pasaktë, është mundësuar nga shumica e vendeve. Po ashtu ka të dhëna mbi numrin e rasteve Covid-19 dhe përqindjen e testeve pozitive. Në përgjithësi, nëse shumë teste dalin pozitive, do të thotë se shumë më tepër infeksione po humbasin nga një regjim testimi që po vëzhgon vetëm njerëzit që kërkojnë trajtim mjekësor.

Faktorët

Në disa vende, janë kryer sondazhe që tregojnë se sa njerëz kanë antitrupa të zbulueshëm sars-cov-2, një shenjë e infeksionit të hershëm. Faktorë të tjerë që menduam se mund të kishin rëndësi janë hapat që kanë ndërmarrë qeveritë për të frenuar përhapjen e sëmundjes, si mbyllja e shkollave, dhe shkalla e lëvizshmërisë së njerëzve.

Demografia ka shumë rëndësi: vendet me më shumë të rinj zakonisht kanë një shkallë më të ulët vdekjesh. Një rol luajnë edhe faktorë më pak të dukshëm si sistemet e qeverisjes dhe shkalla e lirisë së medias. Për të marrë një shembull specifik, vdekjet shtesë në Rusi janë 5.1 herë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19.

The Economist ka mbledhur të dhëna për 121 tregues, për më shumë se 200 shtete dhe territore. Më pas u krijua një model i të mësuarit makinerik, i cili përdor një proces të quajtur rritja e pjerrësisë për të gjetur marrëdhëniet midis këtyre treguesve dhe të dhënave për vdekjet shtesë në vendet ku ato ishin në dispozicion. Modeli i përfunduar i përdori këto të dhëna për të siguruar vlerësime të vdekjeve shtesë në kohë dhe vende për të cilat nuk kishte të dhëna të disponueshme.

The Economist vlerëson se, deri më 10 maj, ka një probabilitet prej 95% që pandemia të ketë shkaktuar vdekje shtesë midis 2.4 dhe 7.1 milionë në Azi (vdekje zyrtare nga Covid-19: 0.6 milion), 1.5-1.8 milionë vdekje në Amerikën Latine dhe Karaibet (zyrtare: 0.6m), 0-2.1 milionë vdekje në Afrikë (zyrtare: 0.1m), 1.5-1.6 milionë vdekje në Europë (zyrtare: 1.0m) dhe 0.6-0.7 milion vdekje në Amerikë dhe Kanada (zyrtare: 0.6m). Në Oqeani, me vetëm 1,218 vdekje zyrtare, modeli parashikoi diku midis 12,000 dhe 13,000 vdekje, ku kufiri i poshtëm reflekton mundësinë që masat paraprake kundër Covid-19 të kishin zvogëluar vdekjet nga shkaqe të tjera.

Diferencat për Afrikën dhe Azinë janë shumë më të mëdha. Të dhënat për të kryer parashikime të forta nuk janë të disponueshme dhe në disa vende nuk ekzistojnë fare. Megjithatë, ato ofrojnë një pamje më të besueshme sesa statistikat zyrtare. Shkalla e probabilitetit prej 50% ngushtohet ndjeshëm: 3.3m-5.2m për Azinë, 0.8m-1.6m për Afrikën, 8.2m-10.5m për botën.

Gjatë vitit 2020, vdekjet ditore u rritën për 33 nga 52 javë. Pas një qetësie të shkurtër në fillim të vitit 2021, ato arritën rekorde të reja, të nxitura në pjesën më të madhe nga tragjedia që po ndodh aktualisht në Indi. Modeli tregon se në vend po ndodhin midis 6,000 dhe 31,000 vdekje shtesë në ditë, shumë më tepër se rreth 4,000 vdekje që tregojnë shifrat zyrtare. Kjo është në të njëjtën linjë me vlerësime të pavarura epidemiologjike prej 8,000 deri në 32,000 vdekje në ditë. Modeli tregon se rreth 1 milion njerëz mund të kenë vdekur nga Covid-19 në Indi deri tani këtë vit.

Do të vijë një pikë kur katastrofa në Indi do të zbutet, siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Por kjo nuk do të thotë se gjendja globale do të përmirësohet. Megjithëse sëmundja rritet dhe bie në valë në vende të caktuara, valët nuk janë të gjitha në sinkronizim. Një valë e parë pasohet nga përgjigje që frenojnë përhapjen, ndërsa një valë e dytë ndërtohet pasi këto përgjigje zbuten dhe lihen pas dore. Kjo është arsyeja pse, deri më sot, numri i vdekjeve në ditë në të gjithë botën është rritur në 10 nga 15 muaj.

Ia vlen të përmendet se, pavarësisht se vendet më të varfra të botës janë goditur më tepër nga ana ekonomike, mbi bazën “për person” Covid-19 ka qenë më i rëndë për vendet e pasura. Për Azinë dhe Afrikën, vdekjet mesatare të vlerësuara për 1 milion banorë, janë sa gjysma e atyre të Europës (përfshirë Rusinë). India është e krahasueshme me Britaninë, të paktën tani për tani.

Kjo mund të tingëllojë e habitshme për europianët, të cilët kanë qenë nën karantinë për një pjesë të mirë të vitit. Si ka mundësi që në këto vende kryesisht të varfra të ketë pasur më pak vdekje, pavarësisht mungesave të ndërhyrjeve për të frenuar përhapjen e virusit dhe me një kujdes shëndetësor më pak të financuar? Duket se çelësi i përgjigjes është mosha. Nëse dy popullata kanë të njëjtin nivel të kujdesit shëndetësor, popullsia me më shumë njerëz të moshuar do të ketë më shumë vdekje. Nëse demografia do të ishte ndryshimi i vetëm, atëherë, duke marrë si bazë moshën, sëmundja do të ishte 13 herë më vdekjeprurëse në Japoni (mosha mesatare 48 vjeç) sesa në Ugandë (mosha mesatare 17 vjeç). Të dhënat e besueshme të vdekshmërisë shtesë zakonisht vijnë nga vendet me popullsi më të vjetër.

Megjithëse i ulët në terma absolutë, niveli i vdekjeve tek popullsitë e reja të varfra është shumë më i lartë sesa do të ishte për popullsitë e vendeve të pasura me profile të ngjashme moshe. Dhe për të moshuarit në vendet e varfra, perspektiva është mjaft e zymtë. Afrika e Jugut ka pasur 120,000 vdekje shtesë te personat mbi 60 vjeç.

Fakti që një mungesë relative e vdekjeve në vendet në zhvillim duket se është për shkak të moshës dhe jo për ndonjë arsye tjetër, ka implikime të ndryshme. Njëri është se virusi po përhapet lehtësisht midis të rinjve – një zbulim i mbështetur nga sondazhet, të cilët zbulojnë nivele shumë më të larta të infeksioneve në Afganistan, Indi dhe gjetiu sesa në Europë ose Amerikë. Kjo tregon se ka shumë raste jo-fatale të sëmundjes, çka sugjeron se problemi i “covidit të gjatë” do të jetë më i keq në këto vende. Kjo gjithashtu do të thotë se virusi po gjen shumë mundësi për të kaluar nëpër mutacione.

Ka një përjashtim nga ky rregull. Në disa vende në Azinë Juglindore, vdekjet duket se janë jashtëzakonisht të ulëta, të paktën deri tani. Por kjo nuk e hedh poshtë studimin e mësipërm: të dhënat e vdekjeve shtesë për Malajzinë dhe Tajlandën thuajse nuk janë rritur fare. Është e mundur që njerëzit në këto vende përfitojnë nga “ndër-imunitetet” – një nivel mbrojtjeje kundër sars-cov-2 i mundësuar nga infeksionet e kaluara nga viruse të tjerë që qarkullojnë në rajon. Për fat të keq, ka shenja që shifrat tani janë në rritje.

Vlerësimet globale të numrit të vdekjeve shtesë nga The Economist janë të parat në llojin e tyre. Ato nuk janë mënyra e vetme për të matur numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga Covid-19. Më 6 maj, Instituti për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit publikoi rezultatet e një modeli më të thjeshtë. Kjo metodologji shpesh mundëson shifra që nuk përputhen me vdekjet shtesë të raportuara. Për shembull, IHME vlerëson se ka pasur 100,000 vdekje nga Covid-19 në Japoni, shumë më tepër sesa janë raportuar, por shifra e vdekjeve shtesë në vit deri në mars 2021 ishte 11,000.

Sidoqoftë, vlerësimet nuk mund të zëvendësojnë dot të dhënat, vëren Ariel Karlinsky, në Forumin Ekonomik Kohelet, një think-tank izraelit, i cili si udhëheqës i projektit World Mortality Dataset ka mbledhur shumë nga të dhënat e vdekshmërisë shtesë ku është mbështetur modeli i The Economist.

Vetëm duke ndjekur më mirë vdekshmërinë në vendet e varfra mund të përmirësohen vlerësimet e shkallës së vdekjes. Burimet e të dhënave duhet të organizohen në mënyrë të drejtë, jo vetëm për të nderuar të vdekurit dhe të vërtetën, por edhe sepse, pa një shifër kaq themelore, vlerësimet e ndikimeve të tjera – ekonomike, arsimore, kulturore ose në shëndetin e të mbijetuarve – janë të vështira për t’u kuptuar, ose për t’u krahasuar.

Artikulli paraprakSkandal! Rama u jep dy biznesemenëve 55 mijë metra katror në Gjirin e Lalzit 5 herë më lirë!
Artikulli tjetërAfera qindra milionë euro e inceneratorit të Tiranës, Mërtiri i ikën përballjes në Gjykatë me PD