Ivi Kaso: Refuzimi i Kolegjit, një vendimmarrje e paracaktuar, por nuk na dekurajon, beteja për transparencë vazhdon

Ivi Kaso: Refuzimi i Kolegjit, shans i humbur për të provuar vjedhjen e zgjedhjeve

DEKLARATË E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE, IVI KASO

Fatkeqësisht një tjetër vendimmarrje negative sot, jo për sa i përket ankuesit, koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike, por fatkeqe për transparencën e zgjedhjeve.

Një shans i humbur që të administroheshin dokumentacione, të cilat provonin sjelljen e paligjshme të gjithë administratës zgjedhore por edhe administratës shtetërore të vënë tërësisht në shërbim të pushtetit dhe të arritjes së rezultatit për PS, në pjesën përgatitore, por jo vetëm të procesit zgjedhor të 25 prillit.

Është një vendimmarrje e cila u paracaktua, në një farë mase jo vetëm nga vendimmarrja e djeshme, nga standardi që Kolegji Zgjedhor e vendosi dje. Por edhe nga vendimmarrja e ndërmjetme për mos administrimin e provave, pavarësisht se pati një debat të gjatë, lidhur me domosdoshmërinë e administrimit të tyre për të hedhur dritë mbi çdo parregullsi, mbi çdo shkelje të ligjit dhe mbi çdo krim zgjedhor të ndodhur përpara dhe përgjatë datës 25 prill.

Mund të them me keqardhje që është një shans i humbur. Por nuk na dekurajon për të vazhduar për të kërkuar transparencë, për vazhduar për të bërë publike fakte dhe prova, çdolloj shkelje të ligjit e cila ka influencuar thelbësisht vullnetin e zgjedhësve dhe ka deformuar vullnetin e zgjedhësve, në procesin e datës 25 prill. Ku tashmë është bërë e njohur për të gjithë që shqiptarët nuk patën mundësi të votonin të lirë dhe të shpreheshin të lirë me votë.

Pyetje: A ka vlerë që të vazhdoni me kërkesa të tjera ankimore, për qarqet e tjera që ka rrëzuar KAS; duke parë edhe vendimmarrjen e deritanishme?

Ivi Kaso: Unë e kam thënë edhe më përpara që detyrimin për transparencë e kemi detyrim, jo vetëm për ata që i besuan ofertës tonë për ndryshim në datë 25 prill, por e kemi detyrim para gjithë shqiptarëve. Pasi procesi zgjedhor duhet të çlirohet një herë e mirë nga të gjithë fenomenet negative, të cilat e kanë përfshirë në zgjedhjet e fundit dhe që veçanërisht në procesin zgjedhor të datës 25 prill janë vërtetuar me prova dhe fakte, para gjithë shqiptarëve.

Detyrimi ynë për transparencë, vazhdon të jetë i pandryshuar. Dhe për sa kohë të kemi një tribunë për të folur, një gjykatë për tu ankuar, për sa kohë ne të kemi një forum për tu shprehur, ne do t’i shkojmë deri në fund kërkesës tonë për transparencë dhe për hedhje dritë të çdolloj shkelje të ligjit, që ka deformuar thelbësisht vullnetin e shqiptarëve në datë 25 prill.

Artikulli paraprakPlagosja e fëmijës nga shembja e tavanit të Pediatria, familjarët pësojnë traumë
Artikulli tjetërBasha: Asnjë bashkëpunim me Ramën, regjimi do rrëzohet