Drejtori i Transportit fajëson kreun e Bashkisë: Aboneja e përgjithshme u hoq me kërkesë të Veliajt

Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Trafikut Rrugor Enton Punavija ka sqaruar këtë të martë vendimin për pezullimin e abonesë së përgjithshme, për të paktën 3 muaj.

Në ‘Breaking’, Punavija thekson se nga 1 qershori, bashkia do të riorganizojë itineraret, frekuencat e lëvizjes dhe kushtet e shërbimit të transportit publik për udhëtarët ndërsa abonoja e përgjithshme do të rilidhet në treg në muajin shtator.

I pyetur se pse është marrë ky vendim, Punavija u shpreh “se sektori i transportit publik ka qenë një ndër sektorët më të goditur nga pandemia”.

“Deri në fundin e vitit të kaluar kemi analizuar ecurinë e këtij sektori pas lirimit të masave Covid-19, e ku pati një rritje graduale. Por kjo nuk u reflektua në të gjitha linjat e transportit publik, i cili është një shërbim jetik për qytetarët. Si pasojë, Bashkia e Tiranës duhet të merret me riorganizimin e këtij sektori. Për të kuptuar edhe masat që mund të merren në vijim. Duhet të shikojmë nëse një linjë duhet të funksionojë në parametrat që ka pasur, apo ndonjë linjë duhet të bashkohet me ndonjë tjetër. Disa linja transporti janë gati në mbyllje. Bashkia ishte e detyruar që ta kërkonte këtë pezullim të abonesë së përgjithshme.

Abonetë rikthehen në kushtet siç ishin deri tani. Në momentin që shkollat hapen janë edhe abonetë e studentit. Qershor, korrik dhe gusht nuk do të ketë. Në shtator rikthehemi në kushtet e mëparshme”, tha Punavija.

I pyetur nëse ky vendim është më shumë në favor të operatorëve, drejtori i Transportit i shpreh se nuk ka qenë kërkesë e tyre pezullimi i aboneve të përgjithshme.

“Ka qenë kërkesë nga Bashkia e Tiranës për këshillin bashkiak. Në tërësinë e vet, mund të ketë operator që nuk janë korrekt me kontratën që kanë firmosur. Bashkia mund të marrë masa drastike deri në mbylljen e një linje, nëse nuk funksionon brenda kontratës që kishin para pandemisë”, tha Punavija.

Artikulli paraprak“Na ka ardh litari në fyt”, minatorët bojkotojnë punën
Artikulli tjetërZhdukja e shefit të antidrogës në Ulqin, bashkëshortja: “Më tha se do të shkonte në Shkodër dhe do të kthehej shpejt”