Krimi bën ligjin në të gjithë vendin. Pasmesnate krimi tronditi Vlorën dhe Lushnjen, ku si pasojë mbetën të vrarë dy persona dhe u plagos rëndë edhe djali i viktimës në Lushnje.
Krimi në Vlorë ndohi 5 minuta pas orës 00:00. Shkëlzen Velaj u qëllua për vdekje në derën e shtëpisë, teksa përpiqej që t’i shpëtonte me vrap atentatorëve. 43-vjeçari Shkëlzen Velaj sapo kishte mbërritur poshtë pallatit ku jetonte në lagjen Çole të Vlorës, kur nga pasqyra kishte dalluar një makinë të dyshimtë që e kishte ndjekur deri në shtëpi.
I frikësuar nga ajo që mund të ndodhte, i riu ka lënë makinën ndezur dhe është nisur me vrap duke ngjitur shkallët e pallatit për t’u strehuar në banesën e tij, ku e priste e ëma. Por kjo nuk i ka penguar autorët, të cilët dyshohet se ishin dy. Ata i janë vënë pas të riut dhe në momentin që i është afruar derës së apartamentit e kanë “shkundur” karikatorin e armës tip “kallashnikov”, duke lënë në vendin e ngjarjes mbi 30 gëzhoja. Plumbat e marrë, kryesisht në bark, i kanë marrë jetën të riut.
Fqinjët kanë rrëfyer se në momentin e fundit, para krismave kishin dëgjuar të riun që t’i kërkonte të ëmës që t’i hapte derën. Por e moshuara nuk e ka dëgjuar pasi vetëm pak sekonda më pas ndaj tij u zbraz karikatori. Atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 persona të paidentifikuar, të cilët pas atentatit janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorë dhe në afërsi të fshatit Babicë kanë braktisur makinën tip BMË pa targa të cilën e kanë djegur. Brenda në makinën e djegur policia ka gjetur dhe kallashnikovin me të cilin autorët qëlluan viktimën.
Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velaj, i mbetur i vrarë në “Masakrën e Çoles”, e ndodhur në 2015-ën. Pista e hetimit të vrasjes së 43-vjeçarit është hakmarrja e nxitur si pasojë e vrasjeve të ndodhura në vite, të nisura që nga ajo e Çoles. ‘Masakra e Çoles’ që nisi pas një sherri mes disa të rinjve në një kazino dhe mbetën të vdekur 3 persona, ka nxitur një seri vrarjes në qytetin e Vlorës përgjatë viteve. Në ngjarjen e 2015 e cila pasoi me një sërë ngjarjesh dhe viktimash janë përfshirë vëllezërit Llanaj.
Vritet në lokalin e tij 62-vjeçari në Lushnje, i biri rëndë në spital
Vetëm pak minuta pas atentatit në Vlorë, nga të shtënat e kallashnikovit është tronditur edhe Lushnja. 62-vjeçari Rako Qorri është qëlluar me armë zjarri, duke u lënë i vdekur në vend në banakun e lokalit të tij, ndërsa i plagosur ka mbetur djali. Klejdi Qorri, vetëm 31 vjeç, ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, në fshatin Fier i Ri, afër Krujtes, në lokalin që kishte në pronësi vetë viktima. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjithçka ka nisur nga një sherr i momentin me autorin e prangosur Sofokli Shani.
Pas nisjes së konfliktit, autori Shani ka shkuar në banesën e tij për të marrë armën e zjarrit dhe më pas ka qëlluar ndaj babë e bir në banak. Dyshohet se ai ka qenë nën ndikimin e pijeve alkoolike, megjithatë pritet që të vërtetohet nga Policia e Shtetit.
Pritet që dëshmia e tij dhe e 31-vjeçarit që u mbijetoi plumbave të zbardhë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe shkakun e vrasjes që tronditi zonën. Deri më tani nuk raportohet se as babai dhe as i biri të kenë pasur precedentë penalë të mëparshëm, ndaj e vetmja pistë ku edhe po hetohet është ajo e konfliktit të çastit.