Personi që u ekzekutua me 5 plumba mesditën e sotme në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës është identifikuar si Kudret Saliaj.
Dyshohet se autor është shtetasi Mexhit Picari, ish-vjehrri i viktimës dhe ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve familjare. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, ka mbetur i plagosur edhe Adriatik Cama, ish-prokuror i Tiranës dhe njëherësh avokat i policit Nevaldo Hajdari që vrau të riun Klodian Rasha. Sipas burimeve, ish-prokurori Adriatik Cama ndodhej në tavolinë me viktimën.
Bëhet e ditur se, policia ka shoqëruar një person të mitur, ndërsa mbetet i paqartë roli që ai ka pasur në këtë ngjarje të rëndë. Sa i takon Camës ai është ish-prokuror i shkarkuar nga Vettingu.
Policia e Tiranës ka dalë me një komunikatë për këtë ngjarje të rëndë.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. (ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasi M. P. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.