Kryetari i PD në detyrë, Lulzim Basha u shpreh gjatë takimit me demokratët e Krujës se, gara e brendshme është vlerë e Partisë Demokratike, por të mos harrojmë se kundërshtari ynë i vërtetë është regjimi Rama-Doshi, që është armik i demokracisë, armik i Shqipërisë.
Komunikimi i Bashës me demokratët në Krujë
Miqtë e mi, sot ndodhemi në një moment statutor të garës së brendshme një anëtar një votë për kryetarin e Partisë Demokratike. Edhe ky është një moment që ilustron vlerat tona, ndryshe nga çdo parti tjetër ne bëjmë debat, në bëjmë garë, ne bëjmë konkurrencë duke demonstruar se vlerat tona janë dhe mbeten vlerat e demokracisë, vlerat e lirisë. Unë personalisht kam refuzuar të merrem me konkurrencën e brendshme. Se pavarësisht kësaj gare të brendshme, ne nuk do të harrojmë për asnjë çast, cili është kundërshtari i vërtetë dhe me kë e kemi betejën. Dhe ky është rrëzimi i Edi Ramës e i Tom Dosh-it e Rrahman Rrajës me shokë dhe përballja me këtë regjim do të kërkojë edhe njëherë që nga kjo garë e brendshme të dalim pikë se pari si njerëz që i respektuam plotësisht vlerat brenda familjes tonë dhe së dyti dhe po më e rëndësishme se kjo, të bashkuar madje edhe më të bashkuar se ç’hymë në këtë garë.
Sepse beteja që na pret na ka gjetur pas 25 prillit me të vërtetë jo në pozita ku do të ishim nëse 25 prilli do të ishte demokratik, në pozitat e përgatitjes për qeverisje, por nuk na ka gjetur më të vegjël, më të mëdhenj dhe se kam fjalën për numrin e votave në Krujë e të gjithë Shqipërinë apo numrin e mandateve, e kam fjalë për madhështinë morale të një force politike që është përballur dhëmb për dhëmb e sy për sy me shtetin parti dhe partinë shtet dhe bandat që e ndihmonin. Ndaj le ta bëjmë këtë garë, këtë proces, le ta kthejmë në testin e parë, në treguesin e parë ndaj demokratëve në radhë të parë dhe ndaj shqiptarëve, ndaj krutanëve dhe ndaj shqiptarëve se ne nuk jemi rrëzuar, se ne nuk jemi në gjunjë, se ne jemi në këmbë, se ne e dimë, jemi të vetëdijshëm për arritjet e 25 prilli pavarësisht prej masakrës zgjedhore dhe besimin e qytetarëve shqiptarë se jemi e vetmja forcë, e vetmja shpresë për demokracinë, por po kështu të tregojmë se jemi të gatshëm të korrigjojmë dhe rregullojmë gjithçka që është në dorën tonë. Kjo është vlera e kësaj gare.
Fushë Krujë
Unë i njoh vështirësitë tuaja, vëllezër dhe motra të Fushë-Krujës dhe mbarë Shqipërisë, e njoh vuajtjen tuaj, e ndjej pasigurinë tuaj ndaj shtetit të bërë njësh me bandat. Masakra zgjedhore e 25 prillit është ngritur pikërisht për t’ju ndëshkuar ju të parët, jo Partinë Demokratike, sepse ju e keni ndjerë më shumë se të gjithë mjerimin, varfërinë e ulur këmbëkryq. Dhe për shkak të mjerimit që kanë sjellë, për shkak të varfërisë që kanë sjellë, nuk kishin rrugë tjetër përveç se t’ju shantazhonin, t’ju kërcënonin, t’ju dhunonin, t’ju varfëronin edhe më shumë me qëllim për ta bërë më të lehtë grabitjen e lirisë tuaj për të votuar ashtu siç doni. Dhe ju them në emër të gjithë demokratëve dhe kërkoj që ta shpërndani këtë mesazh tek çdo qytetar i Fushë-Krujës dhe anembanë Shqipërisë, se kjo na bën edhe më të vendosur për të luftuar me më shumë forcë, me më shumë vendosmëri që t’i çlirojmë bashkëqytetarët tanë, t’i çlirojmë nga këto banda pengmarrëse, t’i çlirojmë nga ky regjim i korruptuar që i do të varfër dhe të nënshtruar. Pra, ftesa ime është që të qëndrojmë bashkë dhe të bëjmë të mundur realizimin e aspiratës se tyre.
Nga kjo salle me njerëz te lirë që nuk i detyroi njeri të merrnin pjesë në këtë betejë, por zgjodhën këtë betejë, që nuk e bënë këtë betejë për veten e tyre por e bënë këtë betejë për qytetarët, e bënë këtë betejë për Shqipërinë, mesazhi ynë le të jetë fare i qartë e të kumbojë kudo: ky regjim do të rrëzohet dhe ne do të bëjmë gjithçka ditë e natë derisa ta rrëzojmë. Sepse këtu në Krujën e historisë, këtu midis përfaqësuesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike të zgjedhur me vullnet të lirë, të zgjedhur me vullnetin e qytetarëve shqiptarë, në ndryshim nga ata të përzgjedhurit nga krimi, të përzgjedhur nga bandat, të cilat janë të famshëm në Europë e që na e kanë mbyllur derën e Europës me bëmat tyre tashmë të publikuara nga gazeta Bild ku kanë rrëfyer për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar, se ky që kemi përballë nuk është një pushtet që i përket njerëzve, por është një pushtet që i përket krimit. Që listat për deputet të këtij qarku nuk i bën Partia Socialiste, por i harton krimi i organizuar.
Prandaj siç e dimë të gjithë, siç dëshmojë ato pjesë të vogla, maja e ajsbergut të dosjes 339, pushteti nuk është as i socialistëve, as i qytetarëve, por është i kriminelëve. Është i një pakice që përdor paratë e pista, përdor dhunën, përdor shantazhin, përdor intimidimin për të marrë pushtetin dhe për ta ndarë qarkun e Durrësit, Fushë-Krujën dhe Krujën si të ishte plaçkë. Kjo nuk është demokraci. Kjo është një luftë totale e regjimit Rama-Doshi-Rrahja-Rakipi-Dako me shokë kundër demokracisë, kundër shqiptarëve, kundër njerëzve të lirë. Prandaj detyra jonë është të vazhdojmë qëndresën, detyra jonë është t’i prijmë me vlerat tona, me bashkimin tonë betejës për të rikthyer demokracinë në Shqipëri. Askush tjetër përveç nesh, askush tjetër përveç jush nuk mundet, nuk e ka as fuqinë, as moralin për t’i prirë kësaj beteje. Sepse ne jemi shpresa e vetme për demokraci. E kemi provuar këtë në çdo betejë këto 30 vite, e kemi provuar edhe më shumë në betejën e 25 prillit. Ftesa ime është të vazhdojmë betejën së bashku deri në largimin e regjimit, deri në rikthimin e demokracisë, deri në triumfin e vlerave sepse rrugë tjetër për demokracinë, rrugë tjetër për Shqipërinë, rrugë tjetër për shqiptarët nuk ka e nuk mund të ketë.
Ju faleminderit për vëmendjen!