Deputetja e zgjedhur e PD, Jorida Tabaku mbështetet protestën e gazetarëve të terrenit që ndjekin punimet e Kuvendit, në mbështetje të fjalës së lirë. Tabaku shkruan në një postim në Facebook se, heqja e transparencës nga parlamenti çon në kontrollin e plotë të lajmit nga qeveria dhe cënon rëndë lirinë e shprehjes dhe të fjalës së lirë!
Postimi i plotë
Në mbështetje të protestës të gazetarëve të terrenit që ndjekin punimet e kuvendit, në mbështetje të fjalës së lirë!
Gazetarët që ndjekin punimet e kuvendit raportojnë çdo ditë në kushte të vështira lajmin pa filtra, pa ndikime, lexojnë çdo ditë ligjet më mirë dhe më saktë se sa deputetët duke qenë e vetmja dritare me të vërtetën në parlament. Ky i fundit tashmë ka eleminuar transparencën dhe ka mbyllur edhe këtë dritare duke thelluar bunkerin e mostransparencës dhe duke mos publikuar as ligje, që ndryshon kalendarin abuzivisht, që nuk respekton rregullin edhe ligjet bazë për funksionimin e një parlamenti normal!
Mbas ligjit të shpifjes, mbas kontrollit të informacionit, mbas dhjetra faqeve me lajme fake, heqja e transparencës nga parlamenti çon në kontrollin e plotë të lajmit nga qeveria dhe cënon rëndë lirinë e shprehjes dhe të fjalës së lirë!