Katër burime nafte dhe gazi për një kompani fantazmë “offshore”

Kur dalja e letrave të Panamasë solli në vëmendje skemat se si dhe pse kanë funksionuar kompanitë offshore, duke fshehur aksionerët e vërtetë dhe burimin e të ardhurave, një transaksion i dyshimtë po ndodh aktualisht në Shqipëri. Continental Oil & Gas (mëma) dhe GBC Oil Company Ltd (bija) kanë deklaruar blerjen e Transatlantic Petroloeum Ltd, kompanisë që shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Pas Bankers Petroleum, ky koncesion është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në vend.
Të dyja kompanisë, si mëma dhe bija rezultojnë pa eksperiencë në aktivitetet e naftës dhe gazit, ndërkohë që përmes parajsave fiskale (mëma është e regjistruar në Delaware, SHBA) janë fshehur më së miri gjurmët, aq sa autoritetet po e kanë të pamundur që të verifikojnë se cilët janë aksionerët aktualë të pronarit të ri të katër burimeve të rëndësishme natyrore në vend.
Në një situatë të tillë, teksa dhe detyrimet e koncesionarit sa vijnë e rriten, Albpetrol, shoqëria shtetërore e nxjerrjes së naftës, që menaxhon kontratën koncesionare në fjalë, ka filluar procedurën e prishjes së kontratës me Transatlantic, për shkak se nuk janë përmbushur detryrimet kontraktuale. Burimet zyrtare nga Albpetrol kanë pohuar për Monitor se, “Ne jemi detyruar që të nxjerrim aktin, pasi kompania ka dështuar në mënyrë të përsëritur që të shlyeje detyrimet”. Transatlantic i ka mbi 10 milionë euro detyrime Albpetrol.

Historia e kalimit dorë më dorë, përmes skemave offshore

Në vitin 2007, Stream Oil & Gas, një kompani offshore, me origjinë nga Ishujt Cayman fitoi një kontratë 25-vjeçare me qeverinë shqiptare për të shfrytëzuar me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës.
Në fund të vitit 2014, kompania u ble nga Transatlantic Petroleum, me seli në Bermuda (destinacion i njohur offshore), që pas një viti e ka nxjerrë sërish në shitje.
Në fillim të marsit 2016, Transatlantik Petroleum Ltd njoftoi shitjen e operacioneve në Shqipëri tek GBC Oil Company Ltd. Më herët një tjetër kompani Continental Oil & Gas kishte njoftuar Autoritetin e Konkurrencës se kishte realizuar një transaksion për blerjen e  Transatlantic Petroleum Ltd. (Shitësi).
Sipas njoftimit të Konkurrencës:
“Në datën 4 shkurt 2016, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Memorandumit të Mirëkuptimit” i nënshkruar midis Continental Oil & Gas (Blerësi) dhe Transatlantic Petrloium Ltd. (Shitësi), më datë 14 janar 2016, me objekt përftimin të kontrollit e plotë dhe të vetëm, nga Continental Oil & Gas të Stream Oil & Gas Ltd. (Targeti), me anë të përftimit të të gjithë kapitalit aksionar në këtë të fundit.
Veprimtaria e palëve pjesëmarrëse:
– Continental Oil & Gas: një shoqëri e aksionare e Delaware, me seli në 16192 CoastalHighway, Lewes, Delaware, USA;
– Stream Oil & Gas Ltd.: një shoqëri e themeluar sipas ligjeve të British Columbia, ajo është e angazhuar në aktivitetet e eksplorimit, zhvillimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit në Shqipëri;
– Transatlantic Petrlium Ltd.: është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me ofertë publike me seli në Bermuda. Ajo zotëron në Shqipëri degën e saj Transatlantic Albania Ltd.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenet 2, 10, pika 1, shkronja b), 12, pika 1) të Ligjit. Autoriteti fton palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar. Opinionet duhet të paraqiten jo më vonë se 15 ditë nga publikimi i këtij njoftimi”, përfundon njoftimin zyrtar Autoriteti i Konkurrencës.
Nga korrespondenca rezulton që Continental Oil & Gas është kompania mëmë e GBC Oil.

Detyrimet

Në njoftimin zyrtar të shitjes së operacioneve nga Transatlantik Petroleum Ltd te GBC Oil Company Ltd. Në 4 mars 2016, bëhet e ditur se shitja tek GBC Oil është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek Banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 milionë dollarë të lidhura me të tek Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic.
Që në momentin e deklarimit të shitjes, Albpetrol bëri të ditur se nuk e miratonte transaksionin në rast se kompania nuk shlyente borxhet (rreth 10 milionë dollarë vetëm ndaj Albpetrol) dhe së dyti, blerësi duhet të ishte një kompani me eksperiencë.

Rreziku i monopolizimit të gazit dhe marrja e 80% të burimeve të naftës

Pas GBC Oil (që mësohet se janë inicialet e Gorish-Ballsh-Cakran) është konstatuar nga autoritetet se qëndrojnë të njëjtën aksionerë të shoqërisë Phoenix Petroleum, që në vitin 2013 ka marrë 9 burime nafte me koncesion. Tashmë, kompania po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej Albpetrol, (kompania shtetërore, që menaxhon këto burime) dhe duke u bërë monopol i burimeve të gazit.

Skemat offshore të ligjëruara

Ministria e Industrisë dhe Ekonomisë ka sqaruar se në bazë të parashikimeve të legjislacionit në fuqi, konkretisht Ligjit Nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet”, të ndryshuar,  në bazë të së cilit rregullohen procedurat e përzgjedhjes dhe nënshkrimit të Marrëveshjeve Hidrokarbure, lidhur me kryerjen e operacioneve të kërkimit dhe zbulimit të hidrokarbure si dhe Ligjit Nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, nuk parashikohet asnjë kufizim përsa i përket vendndodhjes së aksionarëve të shoqërive me të cilat nënshkruhen Marrëveshje Hidrokarbure apo transferimit të kuotave të aksioneve nga një subjekt tek tjetri.
Në këtë kuptim, në bazë të legjislacionit në fuqi, MEI nuk ka anjë të drejtë ligjore, që të vendosë kushte që kufizojnë vendndodhjen e aksionarëve të këtyre shoqërive apo të drejtën e disponimit lirshëm të aksioneve.
Është fakt i ditur që pjesa më e madhe e kontratave hidrokarbure në Shqipëri, por edhe jashtë saj janë nënshkruar me shoqëri, aksionerët e të cilave janë të regjistruar në vendet e njohura si “offshore”, ka pohuar Ministria e Industrisë dhe Energjisë.

Artikulli paraprakFajqja e pare
Artikulli tjetërShkarkohet Mihajloviç, vjen Brocchi