Në vitin 1898 qeveria e Shteteve të Bashkuara akuzoi Spanjën për shkatërrimin e kryqëzorit. Sot konsiderohet se ka qenë vetëm një incident.
Më 25 janar të vitit 1898 kryqëzori amerikan “Maine” hyri në Gjirin e Havanës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara deklaroi se bëhej fjalë për një vizitë rutinë, siç edhe ishte zakon deri pak vite më parë. Por kësaj radhe praktikisht kishte diçka ndryshe: qysh prej vitit 1895 në Kubë ishte në zhvillim e sipër një luftë e përgjakshme midis autoriteteve spanjolle dhe lëvizjes indipendentiste kubaneze dhe të gjithë e dinin se Shtetet e Bashkuara po përgatiteshin të ndërhynin ushtarakisht në favor të rebelëve. Tre javë më pas, në orën 21 e 40 minuta të 15 shkurtit 1898, “Maine” u hodh në ajër. Një shpërthim e bëri të ngrihej nga uji dhe më pas të mbytej përkrah spirancës ku ishte ankoruar, në disa dhjetëra metra thellësi. Disa dëshmitarë raportuan se kishin dëgjuar dy shpërthime, i pari «i ngjashëm me një të shtënë pistolete» dhe i dyti aq i fortë sa shkaktoi flakë, një shi copëzash metali dhe një tym i dendur u ngrit sipër mbeturinave të mjetit lundrues. Bilanci i viktimave qe i tmerrshëm: në një ekuipazh prej 354 njerëzish u regjistruan 266 të vdekur dhe rreth nja 20 të plagosur. Kur lajmi mbërriti në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e shtypit amerikan, që prej muajsh e kritikonte ashpër politikën spanjolle në Kubë, nuk hezitoi t’i akuzoi iberikët se e kishin mbytur ata kryqëzorin. Më 16 shkurt “New York World” i Joseph Pulitzer insinuonte: «Nuk është e qartë nëse shpërthimi ka ndodhur bga brenda apo nga poshtë “Maine”». Të nesërmen një gazetë tjetër, “New York Journal”, titullonte në mënyrë të paekuivok: «Shkatërrimi i “Maine” i shkaktuar nga armiku». Opinioni publik i egërsuar kërkonte një përgjigje ushtarake.
Hipoteza të ndryshme
Marina e Shteteve të Bashkuara ngriti një komision hetimor për mbytjen e “Maine”. Ekspertët e dërguar në Kubë, pasi kanë pyetur dëshmitarët dhe zhvilluar hetime, hartuan një raport ku konkluduan se vetëm shpërthimi i një mine të vendosur nën anije do të kish mundur të shkaktonte dëme të tilla. Specialistë të tjerë këmbëngulën mbi probabilitetin e lartë të një incidenti, por teoria e minës mbizotëroi dhe u imponua si version zyrtar. Raporti arriti Kongresin e Shteteve të Bashkuara më 29 mars dhe u bë preteksti i drejtpërdrejtë për t’i shpallur luftë Spanjës më 25 prill. Me thirrjen «Kujtoni “Maine” dhe në djall Spanja!», Shtetet e Bashkuaraa e likuiduan në 3 muaj e gjysmë praninë shekullore iberike në Amerikë e në Azi. Në vitin 1911 qeveria e Shteteve të Bashkuara vendosi që t’i nxjerrë mbeturinat e “Maine” nga fundi i Gjirit të Havanës.
U ndërtua një lloj armature përreth relikes, ju hoq uji dhe u ringrit, për t’u analizuar më pas me kujdes në ajër të hapur. Por raporti i këtij hetimi të ri ishte aq i mjegullt sa që nuk jepte asnjë tregues që të ndihmonte në përcaktimin e shkaqeve të incidentit. Në përfundim të punimeve, “Maine” u rimorkiua në det të hapur, u mbyt me dinamit dhe nga ai moment e prapa çdo hipotezë e re u bazua vetëm mbi prova të mbështetura në indicie. Në se pranohej teoria e një shpërthimi të qëllimshëm, atëhere mbetej për të përcaktuar se kush e kishte organizuar. Raporti zyrtar i Shteteve të Bashkuara nuk ishte konkludues dhe brenda tij nuk tregohej asnjë fajtor, por shtypi dhe opinioni publik e drejtuan menjëherë gishtin nga Spanja.
Megjithatë, kur “Maine” u mbyt, spanjollët qenë më pak të interesuarit që ta provokonin gjigandin amerikan dhe më shumë shpresonin se dhënia e autonomisë Kubës do ta zgjidhte konfliktin. Për këtë motiv disa morën në konsideratë një hipotezë tjetër, domethënë se bëhej fjalë për një sulm të përgatitur nga indipendentistët kubanezë. Në realitet, pjesa më e madhe e tyre donte nga Shtetet e Bashkuara vetëm asistencë ushtarake dhe financiare, duke dyshuar se Uashingtoni mund të kishte qëllime të dyta. Por ekzistonte edhe një fraksion i bindur për nevojën e një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për t’i dhënë fund luftës dhe se mund të inskenohej sulmi për ta prekur opinionin publik amerikan. Por hipoteza e indipendentistëve nuk mbështet nga prova.
Nuk është e mundur të provohet as teza e kundërt: domethënë që vetë oficerët e “Maine”, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhej në tokë në momentin e incidentit, e hodhën në erë anijen e tyre për të fajësuar më pas spanjollët dhe për t’i hapur kështu rrugën luftës. Dikush ka sugjeruar se prapa fushatës së shpifjeve kundër Spanjës të vitit 1898 mund të ketë qenë William R. Hearst, një prej manjatëve të shtypit. Në janarin e po këtij viti, Hearst e ndaloi jahtin e tij “Buccaneer” përballë Havanës, afër me kryqëzorin. Pasi ka vizituar anijet dhe ka takuar anëtarët e Habana Beisbol Club, e la gjirin. Katër ditë më vonë, “Maine” u mbyt. Sipas disa autorëve, interventistët si puna e Hearst donin të shkaktonin një incident për të shpërthyer lufftën, por një gabim në llogaritje çoi tek masakra. Por nuk ekzistojnë prova as në mbështetje të një hipoteze të tillë.
Shpërthim misterioz
Në realitet nuk është demonstruar kurrë se “Maine” ka kërcyer në ajër prej një boombe të jashtme. Sipas amerikanëve, polumbarët që inspektuan reliken në vitin 1898 e gjetën kilen dhee pllakat e skafit të përthyera nga brenda. Rezultati është në përputhje me një shpërthim të jashtëm, por mund t’i detyrohet edhe impaktit të strukturës luundruese me fundin e detit. Sipas dëshmitarëve të ndryshëm, shpërthimi prodhoi një zhurmë të shurdhët, por nukk gjeneroi as kolona uji, as valë të forta, bile nuk u verifikuan as ngordhje peshqish. Veç kësaj, e çara e shkaktuar nga një bombë do të kishte çuar në përmbytjen e shpejtë e pjesës së poshtme të anijes, duke e bërë shumë pak të ngjarë shpërthimin e magazinave të municioneve. Polumbarët spanjollë që kryen një inspektim në largësi pas mbytjes përcaktuan se nuk kishte indicie të një shpërthimi të jashtëm.
Të tjerë theksuan se shpërthimi mund të ishte shkaktuar nga një minë detare. Eksplozivë të kësaj natyre shpesh qenë përdorur për ta penguar tranzitin e mjeteve lundruese në zonat bregdetare, sidomos në gjire dhe porte. Amerikanët i patën përdorur me sukses gjatë luftës civile të tyre dhe qenë në përdorim edhe të marinës ushtarake spanjolle. Por minat e disponueshme në Kubë konsideroheshin skadente prej fuqisë së tyre të ulët shpërthyese: gjatë luftës hispano – amerikane dy anije amerikane shkatërruan shumë me helikat e tyre në Gjirin e Guantanamo.
Nëqoftëse nuk kemi të bëjmë as me ndonjë sulm, as me ndonjë sabotim, atëhere mbytja e “Maine” ndoshta u shkaktua nga ndonjë shpërthim i brendshëm. Kjo koracatë në shërbim nga viti 1895, rreth 100 metra e gjatë, 17 metra e gjerë dhe me 6700 tonelata peshë, transpoortonte një ngarkesë dyfishe e cila kërkonte masa speciale sigurie: nga njëra anë qymyri për të ushqyer 8 kaldajat që lëviznin të dy helikat binjake; nga ana tjetër, rreth 60 tonelata barut fishekësh për armatimet në bord, një material tejet i paqëndrueshëm dhe lehtësisht i djegshëm. Nuk është e qartë se çfarë mund të ketë ndodhur. Disa mendojnë për ndonjë nxehje të qymyrit që më pas do të shpërndahej tek magazina e barutit për shkak të masave të dobëta të sigurisë. Në 3 vitet përpara mbytjes së “Maine” një dyzinë anijesh amerikane kishin regjistruar incidente të shoqërurara me djegiien spontane të qymyrit. Një ventilim i papërshtatshëm mund të provokonte një zjarr vështirë të identifikueshëm tek dhoma e qymyrit dhe një rritje të temperaturës prej rreth 350 gradësh centigradë, e mjaftueshme për ta ndezur barutin në kompartimentet në krah.
Pati neglizhencë?
Mundësia tjetër është një ndezje spontane e municioneve të ruajtura nëpër fuçi. Qëndrueshmëria e barutit në atë kohë varej shumë nga lënda e parë përbëhej, domethënë nitroceluloza. Çdo ndryshim temperature, lagështie dhe ppresioni, ashtu si edhe eliminimi i munguar i produkteve të dekompozimit të vetë barurit, mund t’ia shkaktonte djegien spontane. Reaksioni kimik mund të ishte i ngadaltë dhe të mbetej i paperceptueshëm deri në momentin ku nxehtësia e prodhuar nuk arrinte pjesën tjetër të municionit. Shpërthime të kësaj natyre kanë vazhduar të verifikohen nëpër luftanije gjatë gjithë shekullit të XX dhe, pavarësisht përparimeve në prodhimin e municioneve, vazhdojnë të përfaqësojnë një rrezik akoma sot.
Tani dihet se në momentin e shpërthimit pjesa më e madhe e ekspertëve, edhe amerikanë, menduan se bëhej fjalë për një incident. Hetimi zyrtar i injoroi indiciet në këtë kuptim për arësye patriotike dhe për të fshehur neglizhencën e komandantëve të “Maine”. Dyshimet lidhur me shkaqet e katastrofës kanë vazhduar të ekzistojnë për dekada të tëra, derikur në vitin 1975 një komision ekspertësh të drejtuar nga admirali Hyman Rickover, midis promotorëve të propulsionit bërthamor detar, ka konkluduar se shpërthimi kishte qenë i brendshëm dhe se ndoshta oficerët nuk patën vepruar me maturinë e duhur.
(nga Storica)
Përgatiti
ARMIN TIRANA