Show i radhës i Ramës në Tropojë

Mimoza HAJDARMATAJ

Asnjë shpjegim për krizën, mjerimin, familjet e varfra- asnjë përgjigje për papunësinë, asnjë shpresë për t’iu kthyer normalitetit përveç premtimeve dhe mashtrimeve të radhës.
Miq, siç e keni ndjekur nga debati i seancës së kaluar, Kryeministri më ftoi të isha me të në Tropojë dhe patjetër që unë do të isha atje, nëse do të shkonte të ulej për të dëgjuar hallet e tropojanëve në mjerim, të papunë dhe të pashpresë.
Por axhenda e Kryeministrit të vendit, në vizitën e tij, në skajin më verilindor dhe më të varfër të vendit ishte:
– takim me mësues;
– inspektim të punimeve të bulevardit;
– takim me strukturat!!!
Zoti Kryeministër!
Ndryshe nga ju, unë nuk jam një deputete turiste.
Unë kur shkoj në Tropojë, nuk shëtis apo bëj xhiro, por shkoj të takoj banorët dhe dëgjoj hallet e tyre për punësim, shkollim, shërbim shëndetësor, ekonominë që po rrënohet, largimet masive të të rinjve, shtëpitë e djegura nga mungesa e investimeve në rrjetin elektrik, dëmet e pësuara në bagëtitë e tyre dhe mungesa e dëmshpërblimeve nga qeveria.
Ju keni nevojë për “spektatorë të bindur”, siç ishin mësuesit sot, që dëgjojnë vetëm monologët tuaj apo kur lëshoni “pa doganë” premtimet dhe mashtrimet e radhës elektorale.
Kështu që unë, si deputete e Partisë Demokratike nuk mund të isha aty, pasi shumë hallexhinj më presin diku tjetër, të paktën për t’i dëgjuar me zemër në dorë dhe për t’u përpjekur për t’i ndihmuar me sa të mundem.
Nuk e mbajtët fjalën për të takuar dhe biseduar me popullin, por shkuat vetëm për show, sot (dje) në ditën e Halloween, në Tropojë.

Artikulli paraprakArtistët e ndërgjegjes
Artikulli tjetërTuristja hidhet nga kati i 6-të i hotelit