PS gjyq publik kryebashkiakut të Vlorës, Leli manovër për t´i shpëtuar kurthit të Ramës

Ka dështuar mbledhja ku do të bëhej ballafaqimi publik me Dritan Lelin në Vlorë, i kërkuar nga këshilltarët socialistë, që prej fillimit të këtij muaji. Shkak për këtë është bërë refuzimi i Dritan Lelit për të bërë një mbledhje me këshilltarët në një ambient të mbyllur, ku të pranishëm do të ishin 60 veta. Sipas Lelit takimi në Teatrin “Petro Marko” ishte në shkelje me rregullat e vendosura nga qeveria, sa i takon masave anticovid.

Rilindasit kërkuan që përballja të bëhej në Teatrin e qytetit, por për Lelin kjo është e pamundur, sa kohë që do të jenë të pranishëm 60 persona, në shkelje me rregullat anticovid.

“Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, thuhet në reagimin e Kryebashkiakut, i cili ka postuar edhe të gjithë komunikimin shkresor lidhur me mbajtjen e mbledhjes.

Në këtë mënyrë duket se Kryebashkiaku i Vlorës po mundohet të shmangë një përballje direkte në një sallë ku përveç anëtarëve të Këshillit Bashkiak do të jenë edhe deputetët, drejtues të degës së PS, por edhe Kryeministri. Nuk dihet nëse kjo lëvizje e Kryebashkiakut do t´a shpëtojë atë nga gjyqi publik, por duket se ai ka shfrytëzuar vendimet e Qeverisë dhe Komitetit Teknik për ti shpëtuar kurthit të ngritur nga Edi Rama.

Artikulli paraprakDo të rritet 4-fish fatura e ujit!
Artikulli tjetërNis seanca në Gjykatën Kushtetuese për Teatrin, çfarë pritet të ndodhë