Basha: Dy kushtet e panegociueshme për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje gjatë një takimi me demokratët e Matit se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë dy kushtet e patjetërsueshme të opozitës për zgjedhjet. Basha tha se të gjitha shpresat e Ramës janë tek manipulimi i procesit zgjedhor vitin e ardhshëm dhe në funksion të kësaj skeme janë kriminalizimi i institucioneve, mbushje e vendit me plantacionet e drogës dhe korrupsioni masiv me tenderat dhe koncesionet.
“Mbulimi i vendit me drogë është projekt politik i Edi Ramës. Ky njeri jo vetëm nuk mbajti premtimet me të cilat erdhi në pushtet, por që ditën e parë i braktisi ato, nuk u përpoq t’i mbante, nuk kishte ndërmend t’i mbante. Çfarë kishte ndërmend e pamë. Tani që ditët e mandatit po i mbarojnë e kemi fare të qartë se çfarë kishte ndërmend. Kishte ndërmend që buxhetin ta mbante për vete dhe për një grusht miqsh. Kishte ndërmend që krimit që e solli në pushtet dhe e mban në pushtet t’i hapë dyert e drogës dhe popullin ta vinte përpara disa alternativave: varfëri, emigracion, burg ose argat në kooperativën e drogës të Edi Ramës me shokë”.
Basha tha se situata në vend po përkeqësohet për shkak daljes nga shinat politike të qeverisë. “Situata vetëm do të përkeqësohet. Në fund të mandatit ai s’ka asnjë bilanc, prandaj shpreson që me paratë e drogës dhe shantazhin e krimit të grabisë votat e qytetarëve. Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje”, tha zoti Basha, duke artikuluar kushtet e patjetërsueshme për opozitën. “Dy janë kushtet e patjetërsueshme: zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.
Në takim, zoti Basha u njoh me shqetësimin e madh të banorëve për kultivimin e drogës. “Trafikantët i marrin gratë dhe të rinjtë si skllevër me sy të mbyllur dhe i çojnë të punojnë në arat e kanabisit, nën mbrojtjen e drejtuesve të policicë që ndajnë me ta paratë e drogës”. Kjo gjendje, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, “është pasojë direkte e inkriminimit të shtetit. Kriminelëve dhe trafikantëve që i futi në Parlament dhe administratë, Edi Rama u hapi rrugët e drogës, ndërsa qytetarëve u la si alternativë varfërinë, emigracionin ose punën si argat në arat e kanabisit”, tha Basha.
“I hapën dyert krimit, i kandiduan për deputetë, i futën në Parlament, i bënë kryetar bashkish. Por nuk u mjaftuan: i bënë drejtorë në administratë, i bënë shefa komisariatesh e drejtorë krimesh si këtu në Burrel. Efekti kulminant i kësaj politike të pastër të inkriminimit të shtetit është mbulimi i gjithë sipërfaqes së vendit nga droga”.

Artikulli paraprakKomisioni hetimor, fakte të reja për përgjimet e policisë
Artikulli tjetër135.3 miliardë lekë për 14 kompani të Ramës në 2 vite