Njësoj si këto tetë vite të qeverisjes së majtë edhe këtë vit institucionet kanë prokuruar miliarda lekë nga buxheti i shtetit në tendera, shumica prej të cilëve me procedura të dyshimta.
Sipas analizës së Open Data, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit rezultojnë 426 prokurime ku ekspertët deklarojnë probleme në lidhje me barazinë në garë.
Ndërkohë, për 273 tendera, komisioni ka ngritur flamurin e kuq me shënimin mungesë konkurrence, pasi në garë rezulton vetëm 1 kompani pjesëmarrëse, e cila sigurisht që ka arritur të nënshkruajë dhe kontratën.
Më e rëndë paraqitet situata, kur disa kompani kanë shfaqur interes dhe autoritetet kontraktore i kanë skualifikuar me argumentin se kishin mangësi apo nuk plotësonin kriteret.
Në 152 tendera institucionet kanë përjashtuar nga gara të gjitha subjektet pjesëmarrëse, duke lënë në garë vetëm 1 kompani që ka arritur më pas të shpallet edhe fituesja.
Bashkia e Tiranës rezulton autoriteti konktraktor në të cilin janë konstatuar më shumë probleme dhe sinjalizimet me flamur të kuq, konkretisht 48 të tilla./oranews/