Kush janë fajtorët?

Reshat KRIPA

Në datat 24–28 tetor 2016 u mbajt në Tiranë aktiviteti “Ditët e kujtesës”, me iniciativë të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS). Në këtë aktivitet, nën moton “Kujtesa si mision”, morën pjesë mbi 60 ekspertë nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, Çekisë, Lituanisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës që diskutuan mbi perspektivat aktuale të rishikimit të historisë dhe të diktaturës komuniste.
Duke dëgjuar ligjëratat e mbajtura në këtë aktivitet më dalin para syve shumë pamje të vendit tim në të kaluarën. Në këto çaste më del fjala e përfaqësuesit sllovak, Peter Bielek, mbajtur në Kongresin e zhvilluar në Tiranë në vitin 2009 të Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, që përmbledh në gjirin e saj 16 shoqata të përndjekurish politikë nga vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe ku shoqata jonë është anëtare me të drejta të plota qysh nga viti 1996:
“Në Sllovaki dënimi i fundit me vdekje për motive politike është dhënë qysh në vitin 1956”. E krahasoj këtë me Shqipërinë. Në mos gaboj, me sa di unë, dënimi i fundit me vdekje, madje me varje në litar për motive politike dhe ekzekutimi i tij, në Shqipëri është ai i poetit Havzi Nela më 10 gusht 1988, në kohën kur në vendet e tjera të Lindjes komunizmi kishte marrë rrokullimën. Por nuk ishte vetëm kjo. Me Ligjin numër 7380, datë 08.05.1990 Kuvendi i Shqipërisë e zëvendësoi nenin e mbiquajtur “tentativë arratisjeje” me “kalim të paligjshëm të kufirit” sipas të cilit nuk kishte më dënim me vdekje për ata që tentonin të kalonin kufirin. Por në kundërshtim edhe me këtë ligj që vetë e përpiluan, gjatë kësaj periudhe janë vrarë në kufi 54 persona dhe dënuar 509 të tjerë. Krahasimet bëjini vetë të nderuar lexues.
Para syve më dalin fjalët e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”:
“Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë”.
Kujtimet më shfaqen njëri pas tjetrit. Ngjarje tragjike që i kam mbijetuar vetë apo që m’i kanë treguar bashkëvuajtësit e mi. Ja tre prej tyre.
Burgu i Burrelit, tmerri i të burgosurve. Sa jetë njerëzish janë shuar atje! Qershia e famshme, po të kishte gojë, do të tregonte për Koço Kotën, Xhevat Korçën, Et-hem Haxhiademin, Arqile Tasin, Kristo Kirkën, Xhavit Leskovikun, Mustafa Bajraktarin, Gjergj Kokoshin, Sazan Hadërin, Salo Lezhën, Qemal Vrionin, Mihal Bellkamenon, Kol Mjedën dhe plot burra të tjerë të shquar të këtij vendi, plot 350 persona të groposur.
Viti 1947. Të mbyllur në birucë, por të dënuar për të vdekur, dergjen ish-Kryeministri Koço Kota, Mihal Bellkamenua, Qemal Vrioni dhe Atif Golja. U hapnin plagët dhe ua lëndonin. U jepnin ushqim me shumë kripë dhe i linin ditë të tëra pa ujë. Kështu u shuan njëri pas tjetrit. Rezistonte vetëm Atif Golja. Të tërbuar nga një gjë e tillë, një grup policësh sadistë, hynë në birucë dhe e mbytën me duart e tyre derisa dha shpirt.
Kampi i Turanit në Tepelenë. Një nënë mirditore, bashkëshortin e së cilës e kishin vrarë në masakrën e Mirditës të vitit 1949, vajtonte mbi kufomën e birit gjashtë muajsh të vdekur gjatë natës. Vdekja kishte ardhur pasi nëna nuk kishte gji që ta ushqente. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër që qante me ngashërim. Pas pak edhe ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën dhe befas lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.
Dhe tani le të tregojë një ngjarje që e kam përjetuar vetë:
Kampi i Shtyllasit. Viti 1954 Sulejman Dizdari atë mëngjes u gdhi me temperaturë. U vizitua te doktor Isuf Hysenbegasi, i cili urdhëroi që të shtrohej në infermieri. Por e kundërshtoi operativi i kampit, toger Ademi. Sipas tij shtrimet duheshin bërë vetëm pasditeve. Doli në punë. Puna ishte shumë larg, në buzë të Vjosës. Duhej të ecje mbi një orë. Ethet bënë punën e tyre. Nuk mundi të rezistonte më. Tek shtynte karron me dhe u rrëzua për tokë. Togeri urdhëroi që të ngrihej, por ai nuk mundtte. Atëherë urdhëroi të tjerët të zbraznin karrot e dheut mbi trupin e tij. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk pranoi. I tërbuar togeri urdhëroi disa vegla të tij, të dënuar ordinerë. Neve s’na mbeti gjë tjetër veçse të shihnim se si mbulohej me dhe trupi i shokut tonë. Në  mbrëmje e nxorëm prej andej dhe në krah e shpumë në kamp, ku u shtrua në infermieri dhe ishte mrekullia e doktor Isufit që e shpëtoi nga vdekja e sigurtë.
Këto tmerre sundonin në Shqipërinë socialiste që drejtuesit e saj kriminelë e trumbetonin si vendin me demokraci më të shquar. Mua, në këto çaste më dalin para syve pamjet e një filmi gjerman, prodhim i pasluftës, që e kam parë në vitet e fëminisë time në vitet 1945-1946. Filmi titullohej: “Vrasësit janë midis nesh”.
Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që ndonëse në aparencë tregohej njerëzor, në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kryente eksperimente me anën e të cilave provonte efektet që kishin torturat e tmerrshme në organizmin e njeriut. Këto tortura më vonë ushtroheshin mbi hebrenjtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Pas mbarimit të luftës mjeku u arrestua dhe u dënua. Kanë kaluar vite që atëherë. I kam harruar pothuajse të gjitha sekuencat e atij filmi. Vetëm njëra nuk më është shkulur nga kujtesa, finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut duke thërritur:
– Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!
Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim i të gjithë kësaj, shfaqeshin efektet e eksperimenteve mizore që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar. Një zgjidhje e përkryer regjisoriale.
Hedh vështrimi rreth e qark vetes dhe pres të dëgjoj ndonjërin nga ish-kriminelët të kërkojë ndjesë për të kaluarën e tij, por nuk dëgjoj asnjë zë. Të gjithë heshtin. Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në Mesjetë. Kancelaria Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi. Qytetari gjerman kërkoi falje për krimet që kishte kryer i ati i tij në masakrën e Borovës. Së fundi edhe zonja Saks (Estoni) deklaroi në debatin e zhvilluar për miratimin e rezolutës së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës: Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.
Në Shqipëri këto zëra mungojnë. Kjo bie në sy më tepër në ditët e sotme kur pushtetin e kanë uzurpuar mbeturinat e sistemit të perënduar apo pinjollët e tyre. Zërat e këtyre korbave të zinj ndihen çdo herë që në skenë del terrori i kuq i ushtruar nga paraardhësit e tyre. Një gjë e tillë u ndie këto ditë me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës të 82 martirëve të vrarë barbarisht nga kryekrimineli Mehmet Shehu më 21 tetor 1943. Zëra të tillë ndihen jo vetëm në disa individë trundryshkur që iu ka mbetur ora më 8 nëntor 1941, por edhe në disa ish-ministra, madje edhe te Kryeministri që mentaliteti i botës së përmbysur iu ka errësuar sytë dhe nuk shohin më larg se sytë e tyre.
Në Ligjin Nr.7514, datë 30.09.1991 “Për  pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” në nenin 1 të tij thuhet:
Janë të pafajshëm dhe quhen të padënuar për efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike të gjithë personat që janë dënuar për agjitacion e propagandë kundër shtetit, për arratisje, për sabotim, për krijimin ose pjesëmarrjen në organizata politike, për moskallëzim të krimeve kundër shtetit; ata që janë dënuar për shpifje dhe fyerje kundër organeve më të larta të shtetit e të Partisë, për shkelje të dekretit nr. 7459, datë 22.1.1991 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe të simboleve shtetërore”, si dhe për shkelje të dekretit nr. 7408, datë 31.7.1990 “Për mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve në vendet publike”.
Atëherë kur ne qenkemi shpallur zyrtarisht të pafajshëm, përse ata që na dënuan apo hetuan ne sot janë në krye të politikës, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të sistemit të drejtësisë, në krye të administratës shtetërore? Për më tepër i dëgjojmë të thërrasin si mjeku gjerman:
–    Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Atëherë pra, kush paskan qenë fajtorët për gjithë atë gjenocid të ushtruar mbi këtë popull martir gjatë periudhës së diktaturës komuniste? Mos vallë paskemi qenë ne që e paguam me jetët tona?
Kush të mundet le të përgjigjet.

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste
të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Artikulli paraprak67
Artikulli tjetërRama, ligj për të mbyllur portalet opozitare me qeverinë