Skema e Beqes për t’i dhënë miliona klientëve farmaceutikë, çmimi i barnave rritje me 2.4%

Një megaskandal me pasoja të rënda në financat shqiptare dhe xhepat e të sëmurëve, mund të konsiderohet ligji i ri që po përgatit qeveria përsa i përket pullave të barnave mjekësore. Ndërkohë që aktualisht këto pulla kanë çmim fiks me projektligjin e ri që qeveria ka bërë gati, jo vetëm që kjo tarifë do të rritet në 2.4 për qind të çmimit të produktit, por kjo shndërrohet direkt në një taksë dhe jo më një çmim pulle. Por nuk mbaron me kaq. Përveç të tjerave, në këtë projektligj i garantohet koncesionarit se në qoftë se xhiroja totale bie nën 128 mil euro, atëherë do të jetë shteti ai që do të duhet t’ja kompensojë. “Koncesionari nuk do të jetë përgjegjës për dëmet direkte ose indirekte të shkaktuara ose të pësuara nga autoriteti, ose çdo përdorues fundor, importues ose prodhues si rezultat i mosdorëzimit të pullave fiskale si rrjedhojë e sa më sipër”, thuhet në projektligj. Pikërisht ky ligj ka mbërritur në tryezat e deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë dhe pritet që me forcën e kartonit të përfundojë duke u miratuar. Po çfarë ka ndodhur?! Për ilustrim çmimi i pullës gjatë qeverisjes së djathtë ka qenë vetëm 6 lekë të vjetra, ndërsa me këtë projektligj kjo masë shkon mesatarisht rreth 120 lekë të vjetra, ose thënë ndryshe një rritje mbi 20 herë, ndërkohë që të gjithë vendet e BE-së e kanë hequr prej kohësh pullën dhe çdo kuti barnash ka bar kodin e vet dhe vetëm ndonjë vend i caktuar rrallë që përdor pullën, e përdor vetëm për barnat që jepen për rimbursim, por kjo gjithmonë me një çmim të papërfillshëm.
Sipas projektligjit, i cili tashmë ka mbërritur në Parlament, kostoja e pullës fiskale për ilaçet do të jetë sa 2.4 për qind e çmimit me pakicë. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë do të paguajnë minimalisht 2.4 për qind më shumë për ilaçet nga momenti që kontrata e re të hyjë në fuqi.
Pajisja e ilaçeve me pullë fiskale, ashtu si cigaret dhe alkooli ishte parashikuar që në kontratën fillestare të koncesionit të miratuar në vitin 2011. Por deri tani barnat nuk i janë nënshtruar këtij detyrimi, pasi fillimisht kjo u kundërshtua nga prodhuesit dhe importuesit e ilaçeve e më vonë rezultoi e pamundur teknikisht. Në atë kohë ishte parashikuar që kostoja e pullës të ishte 2.3 lekë për copë.
Ndërsa me ndryshimin e ri që ka mbërritur në Parlament, ajo shkon në 2.4 për qind të çmimit me pakicë të çdo medikamenti. Çmimi i ri është dukshëm më i lartë nga sa ishte parashikuar në kontratën fillestare, të koncesionit me kompaninë “SICPA”, pasi shumica dërrmuese e medikamenteve e kanë çmimin më të lartë se 100 lekë.
Kjo do të thotë që kostoja 2.4 për qind është dukshëm më e lartë se sa ajo fikse prej 2.3 lekë dhe do të çojë në një rritje të konsiderueshme të çmimit që paguajnë qytetarët për barnat. Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e pati kundërshtuar koncesionin si korruptiv dhe që vjedh qytetarët. Në atë kohë madje premtoi anulimin e tij. Por koncesioni jo vetëm që nuk u anulua, por qeveria është duke rritur koston për qytetarët, me qëllim që koncesionari të përfitojë më shumë.
Pak kohë më parë Banka Botërore evidentoi se barnat në Shqipëri janë më shtrenjtë se në të gjithë rajonin. Përveç çmimeve të larta të barnave sipas Bankës Botërore, kufizimi i furnizimit me barna mbetet një pengesë e madhe për uljen e çmimit, mjekët ju japin pacientëve doza më të larta mjekimi, pasi favorizojnë në këtë mënyrë kompanitë farmaceutike. Zbatimi i suksesshëm i rekomandimeve për sistemin farmaceutik sipas Bankës Botërore do të kërkojë bazë të mirë ligjore, vullnet politik, kapacitete për të imponuar zbatimin e rregullave dhe aftësi menaxheriale. Ndërsa barnat në vendin tonë shiten me çmim shumë herë më të lartë se sa në vendet e rajonit, denoncimi i ndryshueshmërisë së pajustifikueshme të çmimeve të barnave ka ardhur pak kohë më parë edhe nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.  Sipas këtij institucioni, shqiptarët paguajnë barnat e konsumit masiv me çmime shumë herë më të larta se sa ndodh në vendet fqinje. Ky fakt abuziv sipas ekspertëve po shndërrohet në një fenomen që po rëndon gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve.

Artikulli paraprakRama, ligj për të mbyllur portalet opozitare me qeverinë
Artikulli tjetërProkurimi publik në nivel qendror, jo transparent