Dalin emrat e parë të zyrtarëve të arrestuar në Shqipëri nga operacioni ndërkombëtar “Shpirti” që u zhvillua në vendin tonë, Itali, Malin e Zi dhe në Spanjë.
Të arrestuar janë: Maksim Sota, prokuror në Vlorë; Ilirjan Balla, shefi i Seksionit Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë; Festim Lelaj, ish-oficer policie; Saimir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë. Ata janë lënë në arrest shtëpie.
Ilirjan Balla, lindur në Berat, më herë ka mbajtur detyrat e Zv.drejtorit për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë në Policinë e Dibrës dhe të Zv.drejtorit për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë në Policinë e Shkodrës.
Operacioni ndërkombëtar synonte të godiste përveç trafikantëve të drogës nga Shqipëria në brigjet e Pulias e përtej, edhe fenomenet e korrupsionit dhe të abuzimit me detyrën.
SAIMIR KURTI
Saimir Kurti, drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë, është arrestuar në vitin 2016 nga Policia e Shtetit për plagosje. Në njoftimin e Policisë në atë kohë thuhej: “Specilalistët e Komisariatit të Kavajës, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur paradite në qytetin e Kavajës. Arrestohet shtetasi Sajmir Kurti, 44 vjeç, banues në Kavajë. Arrestimi i tij u bë pasi sot më datë 17.06.2016 rreth orës 10:30, tek shëtitorja “Indrit Cara” pranë Bashkisë Kavajë, ka patur një konflikt midis tij me shtetasit E. K. dhe djali i tij K. K.
Konflikti ka nisur për motive të dobëta (bllokim rrugë-kalim mjetesh). Për sqarimin e këtij konflikti shtetasi Sajmir Kurti është takuar tek lokali i shtetasit E. K., me kërkesën e këtij të fundit. Shtetasi Sajmir Kurti ka nisur të debatojë me E. K. fillimisht e më pas edhe me djalin e këtij të fundit K. K. Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar shtetasve të sipercituar, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë.
Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit ku predha e qitur, nga kontakti i saj me objekt të forte (pllakë guri) është copëzuar, e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit E. K., 48 vjeç, K. K., 21 vjeç (at e bir) si dhe shtetasin D. Gj., 46 vjeç, i ndodhur aty pranë. Shtetasit e mësipërm ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve,” përfundon njoftimi i vitit 2016 i Policisë që jep disa të dhëna mbi këtë person.
PAMJET NGA OPERACIONI
Mediat italiane njoftonë sot se “trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash: këto janë akuzat, për arsye të ndryshme, kundër 38 personave që janë marrësit e një urdhri paraburgimi paraprak që po kryhet në këto orë nga Autoritetet Shqiptare dhe Anti-Mafia e Barit, me koordinimin e Eurojust.
Arrestimet midis Shqipërisë, Italisë, Malit të Zi dhe Spanjësdhe dekretet për konfiskimin e pasurive në lidhje me pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme, për një vlerë prej disa milion eurosh, janë gjithashtu në proces.
Operacioni është vazhdim i hetimeve të kryera në Shqipëri të operacioneve “Shefi” dhe “Kulmi” nga DIA në vitet 2018 dhe 2020.
Detajet e operacionit do të njoftohen gjatë një konference për shtyp që do të mbahet në internet në orën 10.30, në të cilën do të marrin pjesë Prokurori Kombëtar i Antimafias Federico Cafiero De Raho, Prokurori Special i Anti-Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës, Arben Kraja , Filippo Spiezia i Eurojust, prokurori i përkohshëm i Bari Roberto Rossi dhe Giuseppe Gatti i Drejtorisë Kombëtare Anti-Mafia, përveç drejtorit të Dia Maurizio Vallone dhe drejtorit të Policisë Shqiptare Ardi Veliu.
Dy prej të arrestuarëve