Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar nuk ishte një lojë politike për t’u dhënë të gjitha palëve të drejtën për të thirrur “fitore”. Vendimi bëri drejtësi duke i thënë qeverisë dhe bashkisë se aktet e tyre për një teatër të ri janë antikushtetuese.
Ligji 37/2018 që autorizon bashkinë Tiranë për ndjekjen e procedurave për një teatër të ri dhe VKM 377/2020, që kalon Teatrin në pronësi të Bashkisë u shfuqizuan si akte që cënojnë parimin e shtetit të së drejtës, identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore.
Ajo që ra në sy një ditë më parë ishte mashtrimi publik i Erion Veliajt se “Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë bashkisë duke lënë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit”. Kjo nuk është e vërtetë.
Gjykata Kushtetuese nuk ka lënë në fuqi prishjen e Teatrit. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese se ajo nuk e ka marrë fare në shqyrtim vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit, duke vlerësuar se nuk është në juridiksionin e saj.
“Përsa i përket VKB-së nr. 50/2020, nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.”- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo do të thotë se Gjykata nuk ka vlerësuar dhe as nuk ka miratuar thelbin e vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen, pasi nuk e konsideron atë një çështje që është në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, ekspertët gjykojnë se vendimi i Kushtetueses ishte i drejtë, pasi ky është një akt individual i pushtetit lokal dhe juridiksionin për
vlerësimin e këtij vendimi e ka Gjykata Administrative.
Qeveria mund të vazhdojë në rrugën e saj të paligjshmërisë për projektin antikushtetues të Teatrit, por janë 3 pyetje që kërkojnë përgjigje.
- Pse nxitoi Erion Veliaj për të deformuar të vërtetën dhe për të manipuluar opinionin publik sikur Gjykata Kushtetuese ka pranuar shembjen e Teatrit Kombëtar?
- Si u miratua prishja e Teatrit Kombëtar, kur Gjykata Kushtetuse nuk e mori fare në shqyrtim vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e tij?
- Si i dha të drejtë Gjykata, Erion Veliajt, për prishjen e Teatrit, kur ligji dhe VKM-ja për Teatrin u shpallën antikushtetues, në shkelje të detyrimit kushtetues për respektimin dhe mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare?
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj është në garë me kohën. Mashtrimet e tij apo, akoma më keq, presioni politik, nuk duhet të zmbrapsin SPAK-un. Përgjegjësit për prishjen e Teatrit Kombëtar në favor të një projekti të paracaktuar duhet të dalin para drejtësisë. Qytetarët presin t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së pushtetarëve.