Rama, 220 milionë dollarë për 11 miq të tij

Kryetari i opozitës, Basha denoncoi dje abuzimin skandaloz me tenderat e qeverisë nga të cilat rezulton se 11 miq të klientelës së Ramës kanë ndarë mes tyre 220 milionë dollarë para nga fondet publike. “Gënjen fermerët e shkretë, të cilëve u premtoi rritje të subvencioneve dhe iu mori dhe subvencionet që kishin, për t’ua dhënë 11 miqve të tij, 220 milionë dollarë”, tha Basha. Një tjetër raport i mëparshëm i bërë publik nga zyrat e OSBE nënvizonte faktin se pasuria e Ramës llogaritet në 200 milionë dollarë. Natyrisht që nuk kemi të bëjmë me një rastësi shifrash. Ku kanë shkuar ata 220 milionë euro të ndara me 11 miqtë e afërt të Ramës, ku në vend nuk ka asnjë vepër publike të ndërtuar gjatë këtyre tri viteve në qeverisje të Ramës? Abuzimet skandaloze me fondet publike tregojnë se tendrat janë përqendruar në duart e një grushti të vogël njerëzish të afërt të Ramës. Vetëm 145 kompani kanë përfituar në vetëm 2 vitet e fundit 135.3 miliardë lekë. Tenderat nuk respektojnë ligjin. Nuk fitojnë ofertat me çmimin më të ulët, por përfitojnë ato me ofertën më të lartë për shkak të garancisë që kanë tek rezultatet e Komisioneve të Prokurorimit që komandohen direkt nga Rama.
Ata që po vidhen haptazi dhe me një babëzi të shfrenuar nga qeveria janë qytetarët. Shqipëria në raportin e fundit të Eurostat të Bashkimit Europian rezulton si vendi më i varfër në Europë. Krejt e kundërta ndodh me qeveritarët. Jemi vendi me popullsinë më të varfër në Europë, por me Kryeministrin dhe ministrat më të pasur në kontinent. Dhe e gjithë kjo pasuri nga vjedhja e shqiptarëve.

Takimi me fermerët

Hashashi është kultura bujqësore që u ofron Edi Rama fermerëve dhe arat me kanabis, vendet e punës për shqiptarët. Këtë deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë dëgjimit dhe bashkëbisedimit me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në degën 11 në Tiranë. Edi Rama që si model ka kriminelë e trafikantë si Elvis Rroshin, Armando Prengën dhe Artur Bushin, kërkon t’ju imponojë modelin mësuesve dhe pedagogëve, tha zoti Basha.
“Gënjen fermerët e shkretë, të cilëve u premtoi rritje të subvencioneve dhe iu mori dhe subvencionet që kishin, për t’ua dhënë 11 miqve të tij, 220 milionë dollarë. Flet me fermerët që s’kanë prodhim bujqësor dhe u thotë: ‘Si jeni me kanabisin?’. Kur e di fare mirë që kanabisi mbillet në Shqipëri vetëm me lejen e Edi Ramës dhe vetëm me të licencuarit e Edi Ramës, se kushdo tjetër që del jashtë kooperativës së kanabisit të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, goditet. Flet me mësuesit, ky që si model u solli shqiptarëve krimin, kriminelët, Elvis Rroshin, Artur Bushin dhe Armando Prengën me kompani. E sheh veten e vet, në rastin më të mirë, si një drejtor burgu dhe shqiptarët si të burgosurit e tij që mund t’i keqtrajtojë njësoj si në kohë të diktaturës”.
Në fund të mandatit, tha zoti Basha, Edi Rama s’ka asnjë bilanc të qeverisjes së tij. 300 mijë vendet e reja të punës, shëndetësia falas, mbështetja e fermerëve, ulja e çmimit të energjisë dhe naftës, janë mashtrimet për të cilat Edi Rama duhet të japë llogari para shqiptarëve dhe jo të fshihet duke fajësuar të tjerët, theksoi zoti Basha.
“Fajin për këto 3 vite të keqqeverisjes e paska Partia Demokratike, fajin e ka opozita, fajin e ka media, fajin e ka populli, vetëm Edi Rama nuk ka faj. Me këtë teori bredh nga jugu në veri. Shqiptarët kërkojnë zgjidhje dhe ne kemi ofruar një rrugëzgjidhje që kalon përmes bashkimit të të gjithë qytetarëve të të gjithë faktorëve politikë e shoqërorë në një aleancë të madhe vlerash për t’ia kundërvënë aleancës së drogës të krimit dhe të korrupsionit”.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakPresidenti: Mbledh Këshillin e Sigurisë për drogën e krimin
Artikulli tjetër1.7 miliardë lekë vjedhje me 110 mijë pacientët fiktivë