Ministri i Shëndetësisë ka pranuar dje një abuzim dhe vjedhje të hapur që i është bërë qytetarëve të këtij vendi me shtimin në mënyrë artificiale të pacientëve fiktivë të “check up-it” të famshëm. Beqaj ka thënë se koncesionarja Vilma ka marrë para të shtuara në mënyrë fiktive për 110 mijë pacientë. Këtë deklaratë Beqaj e bëri përpara Komisionit të Shëndetësisë ku ishte thirrur për të dhënë shpjegime nga kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi. Po sa është vlera e këtyre pacientëve që janë shtuar në mënyrë fiktive nga ministria për të përfituar Vilma dhe për t’u vjedhur taksapaguesit? Vlera arrrin në 1.7 miliardë lekë.
I ftuar në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë (pasi iu shmang dhe refuzoi dy herë) ministri shpjegoi arsyet e ndryshimit të moshës së përfituesve nga 40 në 65 vjeç që ishte më parë në 35 vjet deri në 70 vjet.
Beqaj tha se fillimisht ishte parashikuar që në vitin e parë të paraqiteshin për të bërë këtë kontroll 550 mijë persona, por vetëm 37% e tyre e realizuan atë. Rreth 110 mijë persona është diferenca, por paratë iu paguan që në fillim kompanisë “Marketing & Distribution”, në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi për të 550 mijë kontrollet.
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi këmbënguli te kontrata me koncesionarin dhe korrupsionin që sipas saj e ka karakterizuar këtë kontratë. Vokshi tha se koncesionarit i janë dhënë 1.7 mld lekë, duke parashikuar kontrolle edhe për këta 110 mijë persona, por që nuk janë bërë asnjëherë.
Sipas Vokshit, me zgjerimin e moshës së përfituesve Vilma Nushi do të marrë më shumë para, pasi më shumë njerëz nuk do të shkojnë për ta bërë këtë kontroll.
Pra, nëse për vitin 2015, tek nisma e qeverisë për analizat falas kanë besuar 244 mijë qytetarë, kompania fituese e check up-it është paguar për 355 mijë të tillë. Pra, ajo ka marrë kot, pa bërë asnjë shërbim, para edhe për 110 mijë kontrolle shëndetësore të pakryera.
Pikërisht prej këtij skandali, qeveria vendosi në fillim të muajit tetor, që në vend t’i shkurtonte fondin e të ardhurave prej 12 milionë eurosh në vit kompanisë private, të shtonte brezin e atyre që do t’i nënshtroheshin kontrollit shëndetësor duke e shpënë atë nga kufijtë 40-65 vjeç në ato 35-70 vjeç.
Ministri i Shëndetësisë u kap në një gënjeshtër flagrante në komision. Ajo lidhet me shifrën prej 244 mijë qytetarë që pretendohet se e kanë kryer kontrollin shëndetësor falas. A është kjo një shifër e fryrë artificialisht në mënyrë që kompania e Vilma Nushit të justifikojë paratë që merr nga qeveria, ashtu sikurse ka pretenduar opozita dhe disa media?
Për të parë këtë duhen verifikuar regjistrat elektronikë të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Është ky fond që pasi verifikon këto lista, bën pagesat e parave publike tek kompania private.
Dhe Beqaj pohoi se ky fond i ka disponuar listat emërore për vitin 2015. Por ai gënjeu hapur. Sepse dokumentet dëshmojnë se drejtoresha e këtij fondi pohon me firmë dhe me vulë se ajo nuk i ka këto regjistra emërorë për vitin 2015.
Pra, sipas këtij pohimi me shkresë zyrtare të drejtoreshës së Fondit, Vjollca Braho, institucioni i saj ka paguar kuturu. I ka dhënë para Vilma Nushit për vitin 2015, pa pasur një listë të saktë të personave që kanë marrë shërbim. Ky skandal i dytë, që është njëkohësisht edhe një shkelje e kontratës që përcakton mënyrën e pagesës, e detyroi ministrin e Shëndetësisë të gënjejë publikisht para deputetëve.
Lista “Top sekret” e vjedhjes
Duke u nisur nga këto abuzime skandaloze, opozita ka kërkuar me disa tratativa të bëjë verifikimin e mënyrës se si paguhet kompania e Vilma Nushit me paratë e shqiptarëve. Dhe ajo ka kërkuar të njihet me listën emërore të shqiptarëve që e kanë marrë këtë shërbim. Sepse vetëm duke pasur këtë listë mund të mbikëqyret procesi për të parë se lekët e qeverisë nuk kanë përfunduar drejtpërdrejt në xhepat e klientëve të saj.
Por kjo listë ruhet me fanatizëm dhe mbahet “Top Sekret”. Preteksti është gjetur me mbrojtjen e të dhënave personale. Por në të vërtetë, jo të dhënat shëndetësore, por fakti nëse një qytetar ka shkuar apo jo ta bëjë check up-in, nuk është një e dhënë personale. Ai është një informacion i ligjshëm dhe i vetmi që mund të vërtetojë nëse ka vjedhje apo jo. Mesa duket Ilir Beqja refuzon t’i japë këto të dhëna për të fshehur diçka shumë të madhe.
Pra, për ta përmbledhur. Pasi i ka dhënë në mënyrë abuzive koncesionin e check up-it një kompanie që tregton cigare dhe alkool, pasi e ka shpallur atë fituese me një çmim më të lartë sesa konkurrenti direkt, i udhëhequr nga spitali Hygea, pas i ka hapur asaj dritën jeshile vetëm dy ditë pasi u licencua për biznes laboratori mjekësor, Ilir Beqaj dhe Edi Rama nuk janë mjaftuar me.
Kur, ashtu siç ishte paralajmëruar për një marrëdhënie klienteliste, koncesioni i check up-it dështoi. Kur u pa se atij nuk i besuan qytetarët, Edi Rama dhe Ilir Beqaj vazhduan ta paguajnë kompaninë e Vilma Nushit edhe me 1.7 miliardë lekë për punën e pakryer dhe analizat e pabëra. Madje për të fshehur këtë krim, ata refuzojnë të bëjnë transparencë për listën e shqiptarëve që i janë nënshtruar këtij kontrolli.
Të gjitha këto elemente i shtojnë dyshimet se këtu kemi të bëjmë me një vjedhje të pastër. Me një abuzim me përrallën e shëndetësisë falas. Pyetjet tani nuk shtrohen më politikisht, por ligjërisht. A do të marrë Prokuroria përsipër të hetojë këtë skandal në shkelje të hapur të ligjeve dhe vjedhje të hapur të shqiptarëve? Me një skandal për të cilin Prokuroria nuk mund të heshtë sikurse ka bërë deri më tani.
Vokshi-Beqes: Ku i ke 110 mijë faturat false?
Vokshi: U dhanë para për 110 mijë kontrolle më shumë. Që ta dëgjojnë të gjithë se çfarë korrupsioni golapant keni bërë. Keni dhënë 1.7 mld lekë më shumë koncesionarit pa bërë asgjë. Dhe tani i shtoni edhe më shumë.
Beqaj: Ne kemi programuar në buxhet për 550 mijë vetë. Aq ka qenë parashikuar. Ky zgjerim i ri nuk implikon asgjë as në buxhetin e miratuar për këtë vit. As për buxhetin e tri viteve.
Vokshi: Shpresoj që edhe deputetët ta kenë kuptuar se çfarë keni bërë. I keni dhënë koncesionarit para për 110 mijë check up, pa bërë asnjë kontroll të ndonjë qytetari. Sa investime në qendra shëndetësore do të ishin bërë me ato 1.7 mld lekë. Keni thirrur mjekët që ju mendoni se kanë performancë të ulët me check up në qendra shëndetësore të vendit. Si mund të investohet personalisht një ministër në këtë gjë? Nëse nuk jeni të implikuar në këtë koncesion, ju nuk duhet të ndërhyni, apo të bëni këtë gjë. Duhet të ndryshoni veprim, se po zhyteni plotësisht në korrupsion.
Beqaj: Nga këto kontrolle janë dhjetëra jetë njerëzish të shpëtuara. Janë diagnostikuar në kohë sëmundje të zemrës, kancerit të zorrës së trashë, diabetit, etj.
Ndërsa më pas mbledhja ka degjeneruar në debatet dhe përplasje mes deputeteve Albana Vokshi dhe Klodiana Spahiu nga PS.
Vokshi: Klodi, ke 3 vjet që bën zhurmë.
Spahiu: Na lër të flasim dhe ne, se vetëm ti flet. Shko dërgoji në organet e duhura akuzat e tua.
Vokshi: E kam bërë. Edhe në Prokurori i kam denoncuar.
Spahiu: Ke të drejtat e tua si kryetare, por nuk mund të flasësh vetëm ti.
Vokshi: Aman, Klodi, pusho. Z. Ministër, ju lutem ma shpjegoni!
Beqaj: Pyetjeve provokuese për korrupsionin refuzoj t’i përgjigjem!
Spahiu: Ke kaq kohë që flet, na çmende.
Vokshi: Je bërë palë me këtë korrupsion.
Spahiu: Po si mund të flasësh vetëm ti, kur më ke këtu afër.
Vokshi: Po largohu.
Spahiu: Të lutem mos fol 3 minuta.
Spahiu: I shkatërrove njerëzit mi që kanë nevojë.
Vokshi: Mirë të lutem mos qaj aman.
Spahiu: Si mundesh ti të mos merresh me qytetarin që ka nevojë.
Vokshi: Lëri këto vajtime me lot krokodili, bëj pyetjet.
Spahiu: Ti ke vajtuar kot gjithë këto vite, bën sikur të interesojnë shqetësimet e tyre.
Enton DACI