Shpërthen në PS-në e Shkodrës: Kjo Edona që mori 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit

Zgjedhja e Edona Bilalit si deputete e PS në Shkodër dhe besimi që ajo ka marrë nga kryeministri Rama ka trazuar ujërat e socialistëve të Shkodrës.

Një grup prej tyre i kanë nisur një letër kryeministrit Rama, sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ambasadores Kim, ku dënojnë ashpër veprimet e deputetes së zgjedhur dhe aleatit Tom Doshi.

‘Na del një Edona Bilali pa marrë mandatin kërkon të zhbëjë PS-në në Shkodër, të hedhë në kosh punën e sakrificat e brezave që e mbajtën gjallë këtë organizëm në një qytet gjoja antikomunist, por që është peng i oligarkëve të krimit që gjoja janë bërë ‘zoti’.

Kjo Edona që mori diku 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit duke bërë reprezalje në administratë e drejtues socialistë. Tom Doshi po shfrytëzon me dinakëri egon e një çupëline të pamësuar me punët e politikës’

Grupi i socialistëve shkodranë pretendojnë se Bilali e Doshi po pushojnë njerëz nga puna për të punësuar të afërmit e tyre.

“Hoqën drejtorin e patentave, zotin Çeliku një djalë të shkolluar, familje socialistësh me respekt në shoqëri që sjell vota për PS. Ka emëruar në atë pozicion nipin e vjehrrës së Edonës, inxhinierit të rrugëve pronë e Tom Doshit. S’ka bashkëpunim më perfekt. A thua se kemi votuar për të punësuar njerëzit e saj.

Doli një fjalë që flitej se vjehrri i Edonës, mësues fizike ka dalë me bllok në dorë për të punësuar njerëzit e familjes e farefisit, pastaj kush paguan më shumë futet në listë’.

Në letrën, në të cilën kanë vënë në dijeni edhe ambasadoren amerikane, socialistët akuzojnë Tom Doshin për blerje votash.

‘PSD në Shkodër blen së bashku me LSI-në masivisht votat e shqiptarëve në zgjedhje. Drejtoritë dhe institucionet që ka Tom Doshi janë mbushur me njerëz me precedentë penal të paarsimuar, me dëftesa false e të blera. Kështu po mbrohen tash e 20 vjet disa drejtoresha institucionesh që janë denoncuar për korrupsion’.

Gjithashtu, ata theksojnë se po sulmohen dhe shkarkohen njerëzit e Ilir Beqajt, i cili nuk mundi të merrte mandatin e deputetit në Shkodër.

‘Po sulmohen dhe shkarkohen njerëzit e Ilir Beqajt. Mos është shpallur elementi anti-parti si dikur, si agjent dhe i padëshiruar për PS? Këtë e dini ju. Por çdo punë të bërë në Shkodër me një të rënë lapsi po e zhbëjnë dueti Doshi-Bilali. Ne si qytetarë socialistë shkodranë kemi një respekt të veçantë për aftësitë e tij”. shkruhet në letër.

Artikulli paraprakSkandal në burgun e Vlorës! Oficeri denoncoi efektivin e SHÇKB: Më kërkonte të lejoja sende të paligjshme
Artikulli tjetërTrafiku i drogës/ Porti i Durrësit, dëshmia e drejtimit të pisët të qeverisë nga Rama