Rovena Voda ish zv/ministre e Brendshme raportohet se është ndaluar nga SPAK në akuzën e korrupsionit. Rovena Voda mësohet se u ka marrë vlera monetare dy personave me qëllim për të ndikuar në mënyrë të paligjshme te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike.
Sipas burimeve, Rovena Voda ka marrë vlerat monetare nga shtetasja Florida Beu, me qëllim që kjo e fundit të emërohej në detyrë, në shërbimin civil. Por pavarësisht dhënies së vlerave monetare, emërimi nuk është bërë.
SPAK ka verifikuar dokumentacionin dhe sipas këtyre verifikimeve Florida Beu nuk ka marrë detyrën.
Ndërkohë që është ende e paqartë nëse ka qenë shtetasja në fjalë që ka bërë kallëzimin ndaj ish-zv/ministres së Brendshme. Dhe cili është roli i shtetases tjetër Majlinda Hasani, që përfshihet në këtë ngjarje.
Voda ndodhet në arrest shtëpie ndërsa priten të tjera zhvillime hetimore ndaj saj.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal që bën fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendës ministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtës shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive”.