Hillary Clinton dhe Donald Trump nuk po i kursejnë fjalët në sulmet ndaj njëri-tjetrit, ndërsa rezultatet e anketave tregojnë se gara mes tyre vazhdon të jetë e ngushtë. Rivaliteti i fortë i ka bërë dy kandidatët të luftojnë për të fituar epërsi në ditët e fundit të fushatës. Hillary Clinton, kandidatja demokrate u përpoq ta zhvendoste fokusin tek rivali Trump pas disa ditësh kritika ndaj FBI-së, që vendosi të rihapë hetimin lidhur me e-mail-et e saj.
Zonja Clinton bëri fushatë në Florida të martën me Alicia Machadon, ish-Miss Universin, e cila thotë se Trump e përçmoi atë për pamjen e saj fizike kur ishte pronar i konkursit të bukurisë.
Clinton e sulmoi zotin Trump për çështjet e karakterit dhe temperamentit, veçanërisht për trajtimin e grave.
“Ai nuk na sheh ne si qenie njerëzore, me ëndrra, me synime, me mundësi dhe këtë e ka treguar qartë gjatë fushatës së tij. E pra, ai e ka gabim. E ka gabim si për gratë edhe për burrat e këtij vendi. Ai e ka treguar veten. Le t’ja tregojmë të martën se kush jemi ne”.
Ndërkohë, Trump premtoi gjatë një tubimi fushate në Pensilvani se do të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor, që po kritikohet vazhdimisht, ndërsa konsumatorët përballen me rritjen e çmimit për disa plane të sigurimit shëndetësor.
“Do t’i kërkoj Kongresit të thërrasë një seancë të posaçme për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin. Do të jetë nder për mua, për ju, për të gjithë në këtë vend pasi Obamacare duhet zëvendësuar. Ne do ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë shpejt. Ligji është katastrofë”.