44 vjet nga pushkatimi i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Bedri Blloshmi boton dosjen e plotë të Vilson Blloshmit

Me rastin e 44 vjetorit të pushkatimit të poetëve disidentë Genc Leka e Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi boton librin e tij më të fundit kushtuar të vëllait, Vilsonit.

Libri i titulluar “Dosja formulare Kategoria 2A nr.840 për Vilson Blloshmin”, përmbledh pëndjekjen, arrestimin, hetuesinë, “gjyqin” dhe ekzekutimin e Vilson Blloshmit.

Ndryshe nga librat e tjerë që Bedri Blloshmi ka shkruar ose përgatitur për Vilsonin e Genc Lekën apo persekutimin e Fisit Blloshmi nga Bërzeshta e Librazhdit, ky libër sjell të përmbledhur në një libër të vetën gjithë praktikën e ndjekur në përndjekjen, spiunimet, arrestim deri në vendimet  e fundit të refuzimin e faljes së jetës nga ish-garda e vjetër komuniste e Presidiumit të Kuvendit Popullor, si dhe Urdhërin e Kadri Hazbiu, ish-ministrit të Brendshëm, që urdhëronte pushkatimin e poetëve në orën 0.00 të datës 17 korrik 1977.

Libri hapet me një vlerësim të bërë nga shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, në korrespodencën që pati me autorin, Bedri Blloshmi, i cili ndër të tjera nënvizon: “Është e vërtetë se në vitin 1977, askund në botën komuniste nuk pushkatoheshin më poetët, por në Shqipëri kjo ndoshta disa kilometra larg qytetit të vogël të Librazhdit. Atje, pasi i shkuan në plumb, ashtu në pranga siç ishin, i rrokullisën në gropën e hapur, mbi të cilën, pas hedhjes së baltës, nuk vunë as gjurmë as shenjë, në mënyrë që të mos i gjente dot askush”.

Libri është i pajisur me shumë dokumente, fakte e rrëfime, të cilat zbardhin gjithë tragjedinë, intrigat, shpifjet dhe urrejtjen klasore që kishin komunistët për poetët e veçanërisht për fisin e madh e të nderuar të Blloshmëve.

Poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi u ekzekutuan 44 vjet më parë, në natën e errët të 17 korrikut në Librazhd. Në vitet e demokracisë u bë rivlerësimi i tyre dhe u rivarrosën me nderime e respekt.

vilson blloshmi

Procesverbal

I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor ne datën 16.07.1977, ditë e shtunë, ora 9.00

  • në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Spiro Koleka, Shefqet Peçi (nënkryetarë), Telo Mezini (sekretar), Muharrem Sefa, Naumka Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Rrapo dervishi, Zina Franja, Maliq Sadushi (anëtarë).
  • Paraqitet rendi i ditës si vijon:
  1. Propozime për dekorime,
  2. Kërkesa për dhënien e shtetësisë shqiptare
  3. Kërkesë për falje dënimesh

Kryetari: Siç e shikoni,  rendin e ditës e kemi më të shkurtër kësaj radhe. Është menduar që të bëhet kjo mbledhje mbasi janë dy të dënuar me vdekje që të mos rrinë kështu këta, as të pushkatuar, as të falur, si do të vendosë presidiumi. Disa shokë janë në pushim prandaj mungojnë. Shoku Shefqet e shoku Pilo erdhën, megjithëse patën pushim. Meqenëse përbëjmë shumicën mund të fillojmë. Në qoftë se jemi dakord me këtë rend dite fillojmë.

Merret në shqyrtim pika e tretë e rendit të ditës:

  • Kërkesa për falje dënimesh

Shoku Telo Mezini: janë dy dënime me vdekje:

  1. Genci Bardho (Feimit) Leka,
  2. Vilson Sami Blloshmi

Të dy janë nga fshati Bërzeshtë e Librazhdit dhe janë dënuar me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim me njëri – tjetrin krimet e sabotimit ekonomik dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor. Të dy kanë kërkuar faljen e jetës.

Kryetari: Këto familje Leka e Blloshmi kanë qenë armiq edhe gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Këta janë armiq të Atdheut dhe të Socializmit.

Genci Bardho (Feimit) Leka,

Vilson Sami Blloshmi

Të dënuar me vdekje (pushkatim) u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Mbyllet mbledhja,

Tiranë, më 16.7.1977

Sekretari i Presidiumit

Telo Mezini

URDHEROJ:

Të dënuarit Genci Bardho (Feimit) Leka dhe Vilson Sami Blloshmi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) , në vendin e caktuar në datën 17.7.1977, ora 24.00.

Për ekzekutimin e tyre ngarkoj Degën e Punëve të Brendshme Librazhd.

Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit se kërkesat e tyre për faljen e jetës janë refuzuar nga presidiumi i Kuvendit Popullor.

Mbas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të akuzuarve, i cili i dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.

Ministri i Punëve të Brendshme

Kadri Hazbiu

1 20

2 15

3 8 1

Artikulli paraprakSot në orën 11:00 nis Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike
Artikulli tjetërBasha: Megjithëse 25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, PD doli më e fortë dhe më e bashkuar!