Qirijtë e Lungomares
nga Bujar Leskaj
Dje 94 biznese përgjatë Lungomares në Vlorë: bare, restorante, fast-food-e, kafene dhe hotele vendosën të protestojnë 24 orë, duke i mbyllur lokalet e tyre dhe vënë qirinj përpara hyrjes, për të simbolizuar protestën. Kishin pesë ditë që kërkonin që të lejohej muzika deri në orën 24:00 dhe bizneset e tyre të ushtronin aktivitetin deri në orën 02:00 të mëngjesit, duke i drejtuar edhe një letër kryetarit të sektit qeverisës të Shqipërisë, Ramës.
Këto ishin kerkesa të natyrshme, të mbështetura nga Unioni i Operatorëve Turistikë të Vlorës. Kjo qasje orare është përzgjedhur edhe nga qeveritë e fqinjëve tanë për të gjitha njësitë që ushtrojnë aktivitet turistik në Greqi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke parë rastet e ulura të infeksioneve nga Koronavirusi dhe domosdoshmërinë e mbështetjes së sezonit aktual të turizmit të detit dhe rërës.
Turizmi, sikurse edhe tek ne, përfaqëson një industri përcaktuese në rimëkëmbjen e ekonomive të fqinjëve tanë, sidomos Greqisë dhe Malit të Zi, nga dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga Covid-19. Por qeveria jonë, megjithëse piku i sezonit turistik veror filloi më datën 15 korrik, bënte veshin shurdhër dhe syrin qorr. Nga 15 korriku, pronarët e lokaleve në Vlorë nisën t’i kërkonin qeverisë minimumin e mundshëm për të patur një sezon turistik veror normal: lejimin e muzikes deri në mesnatë dhe të aktivitetit edhe pak orë më pas.
Qeveria u përgjigj duke dërguar policinë në lokalet që parmbrëmë luajtën himnin kombëtar në momentin e pushimit të muzikës në orën 22.00, dhe duke arrestuar disa menaxherë dhe pronarë, çfarë solli përshkallëzimin e protestës deri në vendimin për të bllokuar aktivitetin për 24 orë.
Kryetari i sektit qeverisës bëri prapaktheu menjëherë, duke deklaruar lejimin e muzikës edhe për një orë më shumë, deri në oren 23.00 dhe duke komanduar Komitetin e Ekspertëve për masat anti-Covid 19 që të mblidhej dhe vendoste vetëm këtë masë lehtësuese në shkallë vendi.
A nuk mund dhe duhej të ulej qeveria dhe të dëgjonte kërkesat e drejta dhe aspak të ekzagjeruara të biznesit vlonjat të Lungomares? Të realizonte me të një plan pune, që edhe qetësia e pushuesve në pallatet e banimit në Lungomare të mos trazohej, por edhe aktiviteti turistik dhe i biznesit në këtë zonë thelbësore për Vlorën të mos dëmtohej? Kjo mund të arrihej shumë lehtë me dialog dhe mirëdashje. Madje mund të shtrihej në shkallë vendi në të gjitha destinacionet tona turistike. Por pikërisht këto gjëra i mungojnë sektit qeverisës Rama. Përgjegjshmëria për dialogun dhe mirëdashja ndaj biznesit patriot dhe korrekt me Shtetin. Dhe situata degjeneroi në konflikte fizike të policisë me biznesin dhe arrestime të menaxherëve dhe pronarëve të disa bizneseve në Lungomare, mes të cilëve një grua.
Ishte indiferenca vrastare dhe papërgjegjshmëria e sektit Rama, që e katandisi industrinë turistike të Shqipërisë, të zhvilluar dhe konsoliduar prej tashmë më shumë se dy dekadash, në prag të falimentimit nga situata me pandeminë. Që kundroi, pa iu dridhur qerpiku, me mijëra profesionistë të operatorëve tanë turistikë të humbnin vendin e tyre të punës, ose të detyroheshin të gjenin punë në sektorë të tjerë, për të mbajtur familjet e tyre. Qe rregjistroi i pashqetësuar humbjen e mbi 1.2 miliardë eurove të aktivitetit turistik, nga bllokimi total në mars-prill 2020 dhe nga masat bllokuese ose kufizuese për lëvizjen e lirë në muajt e mëvonshëm, ndërkohë që shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi (madje edhe Kosova) miratonin paketa ndihme të drejtpërdrejtë në të holla për të gjitha bizneset e sektorit turistik. Shteti i Maqedonisë së Veriut, tërisht i krahasueshëm me mundësitë buxhetore me shtetin tonë, dha një pagesë të drejtpërdrejtë prej 250 eurosh për çdo veprimtar turistik të vendit të vet.
Ishte sekti Rama që ofroi kushtet e dy paketave të kredive sovrane 1 dhe 2, ku praktikisht biznesi turistik i vendit nuk e gjeti veten dhe numëroheshin me gishtat e njërës dorë ata operatorë turistikë që aplikuan për këto kredi. Shqipëria ishte ndër vendet e rralla në botë, në mos e vetmja në Evropë, me industrinë turistike dhe sektorët e tjerë të lidhur me të që japin më shumë se 10 përqind të prodhimit kombëtar(tek ne arrin deri në 24 përqind), e cila nuk pati asnjë paketë ndihme të specializuar për sektorin e turizmit, të prekur aq rëndë nga Koronavirusi.
Shqipëria është ai vend që i lejon vetes që një konsullatë e saj të refuzojë vizat turistike të hyrjes për 48 irakianë, me paragjykimin se janë azilkërkues!
Kryetari i sektit qeverisës reagoi dhe u zbyth vetëm kur pa se të 94 bizneset e Lungomares mund të ndiznin shkëndijën e një proteste mbarëpopullore kundër tij, të lajmëruar për mbrëmë. Ai e di mirë fuqine e protestës vlonjate.
Por qirinjtë e Lungomares nuk janë shuar dhe nuk do të shuhen kurrë, edhe pse nuk u arrit këtë rradhë të ndizeshin në protestë mbarëpopullore, për shkak të manovrës së Ramës . Ato do të vijojnë të qëndrojnë ndezur në ndërgjegjen e të gjitha bizneseve të ndershme, korrekte e patriote të vendit, që shohin kërdinë e tenderave të trukuar dhe të paracaktuar të qeverisë Rama, që fitohen vetëm nga oligarkët dhe klientët e tij sipërmarrës, si dhe të detyrimeve të dhjetra PPP-ve, që ia kanë lidhur duart dhe këmbët Buxhetit të Shtetit, duke e detyruar t’ju jetë borxh me 11.4% të prodhimit kombëtar. Sipërmarrja e vendit do të dijë të reagojë fort në të ardhmen, në mbrojtje të interesave legjitime të saj. Protesta e Lungomares është vetëm shkëndija e parë.