Përfaqësuesit e bizneseve në Vlorë kanë dalë sërish në protestë. Komiteti Teknik miratoi dje vendimin e kryeministrit Rama për të shtyrë me 1 orë ndalimin e muzikës, në kuadër të masave anti-Covid, por përfaqësuesit e bizneseve thanë se, zgjatja me një orë e muzikës nuk përmbush asgjë.
Në ditën e dytë të protestës ata përsëritën kërkesat e tyre që të ndryshohet orari kufizues dhe baret dhe restorantet të shërbejnë deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe të lejohet një muzikë në sfond.
”Nuk po flitet më për muzikën e lartë, por për një fashë orari që baret të jenë të hapura dhe të kenë një muzikë në sfond”, u shpreh njëri nga përfaqësuesit e bizneseve.
Për bizneset shqetësim janë edhe shfaqjet e policisë. ”Kërkojmë një bashkëpunim me policinë dhe operatorët. Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë qoftë edhe me telefon, por duhen shmangur furgonat e policisë duke tmerruar pushuesit”, u shprehën ata.
Marshimi përgjatë shëtitores me dritat e celularëve ndezur përmbylli protestën e biznesit mbrëmjen e së hënës në Vlorë, ndërsa protesta vijon edhe ditën e sotme.