Inspektorët e AKU-së nuk e kanë problem ta lejojnë tregtarin të shesë “sapunin për djathë”. Në rastin që është zbuluar nga KLSH, “sapuni” është yndyrë vegjetal që prodhohet në Ukrainë dhe shitet për gjalpë në Shqipëri. Kompania e ushqimeve me bazë në Tiranë e mbyt tregun me këtë produkt fals dhe AKU e lejon të vazhdojë ta shpërndajë “gjalpin” edhe pas denoncimeve të qytetarëve.
Kjo është pjesë e gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka kryer një auditim në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.
“Gjalpë i freskët” nga Ukraina
Yndyra vegjetale e prodhuar nga Andrushevskyi Dairy LTD në Ukrainë dhe e shitur nga Domenik LTD për kompaninë shqiptare me bazë në Tiranë, pasi ka marrë certifikata veterinare në PIK Qafë Thanë, është ligjëruar përfundimisht si gjalpë nga DRAKU. Sasia e deklaruar e hedhur në treg e këtij produkti në vitet 2019 dhe 2020 është mbi 45 ton pa përfshirë paketimin.
Gjetjet e auditimit të KLSH
“Autorizimi i inspektimit AKU-TR-2019-002774-1, datë 15.05.2019, nga ankesa e ardhur nga konsumatori, për produktin yndyrë vegjetale e cila tregtohej si gjalpë. Produkti është importuar nga kompania dhe është blerë në një supermarket, i cili është furnizuar aty. Mbi bazën e kësaj ankese është inciuar inspektimi me qëllim verifikimin e gjurmueshmërisë, importit, por edhe të kushteve të higjienës, etj.”
Grupi i inspektimit shtyn fatin e kontrollit
Për inspektorët e DRAKU-t kjo është aferë e madhe, prandaj kërkojnë të fitojnë kohë. Kërkohet një shtyrje e afatit të kontrollit. Me shumë gjasa kjo shtyrje i lejoi tregtarit të importit të shpërnante produktin në treg sa më shpejt.
“Fillimisht ka pasur kërkesë për shtyrje të afatit të autorizimit nr.AKU-TR-2019-002774-9, date 16.05.2019, deri më datë 17.05.2019, për shkak të ngarkeses së inspektimit, e cila miratohet nga kryeinspektori”, nënvizohet në raportin e KLSH.
Gjobat sa për të justifikuar kontrollin
Nga auditimi i kryer mësohen gjobat evendosura kompanisë së importit të ushqimeve. Nëse do të shohim fitimet që realizon subjekti nga shitja e gjapit flas, këto gjoba janë qesharake.
“Në Procesverbalin e inspektimit nr.AKU-TR-2019-002774-2, datë 17.05.2019 pasqyrohen shkeljet e kuadrit ligjor, për etiketimin, importin, përgjegjësitë e operatorit. Gjithashtu ndaj subjektit për shkeljen e kërkesave ligjore janë vendosur 3 gjoba në vlerën 2,300,000 lekë (2,000,000 leke për importin +100,000 lekë për etiketimin + 200,000 lekë për përgjegjësitë e operatorit)”. Këto janë masat administrative që janë vendosur, sipas raportit. Por, as këto para nuk paguhen nga kompania.
“Gjithashtu konstatohet se gjoba e vendosur nuk është arkëtuar akoma, si dhe ankimi i bërë nga subjekti në datën 25.06.2019, nuk është shqyrtuar nga komisioni i ngritur në Ministrinë e Bujqësisë, duke krijuar efekt negativ financiar në buxhetin e shtetit në vlerën 2,300,000 lekë”, thekson raporti.
Kompania “këshillohet” të heqë etiketat e gjalpit…
“Vendimi i ndërmjetëm i inspektimit nr.AKU-TR-2019-002774-4, datë 17.05.2019, ku është bërë bllokimi i sasisë 45 ton të produktit, i cili do të qëndrojë i bllokuar në dhomat frigoriferike të subjektit deri në rietiketimin e tij.
-Vendimi i inspektimit nr.AKU-TR-2019-002774-5, datë 17.05.2019, ku pasqyrohen masat administrative, tërheqja e produkteve të shitura si gjalpë, ndërkohë që është yndyrë vegjetale, për rietiketimin e tyre, si dhe rietiketimin e sasisë 45 tonë që u gjet gjendje në subjekt, brenda datës 24.05.2019 dhe të njoftojë DRAKU-n Tiranë, për korrigjimin e shkeljeve.
Në praktikën e mësipërme konstatohet se:
-Dokumentet e administruara për praktikat e importit dhe dokumentet shoqëruese të tyre (invoice, packing list, certifikata veterinare e lëshuar në Ukrainë, certifikata e analizave laboratorike), të cilat janë marrë nga grupi i inspektimit, janë fotokopje dhe pa nënshkrimin e përfaqësuesit dhe vulën e subjektit.
-Nuk administrohen akt-kontrollet e kryera nga inspektorët e PIK-ut Qafë Thanë.
-Certifikatat e analizave laboratorike të dy praktikave të importit, janë fotokopje, pa emër dhe mbiemër të titullarit të laboratorit, pa vulën e laboratorit, por vula e vendosur në këto certifikata është e kompanisë prodhuese të produktit.
Konkretisht Andrushevskyi Dairy LTD, kompani e cila nuk ka laborator të akredituar për kryerjen e analizave për ushqime, ç’ka do të thotë se certifikatat nuk janë të sakta në formë dhe përmbajtje, janë fiktive, duke krijuar dyshim mbi vërtetësine e tyre. Gjithashtu dokumentet janë në gjuhë të huaj dhe jo në gjuhën shqipe.
-Sa më sipër, nuk duhej të lejohej hyrja në Shqipëri e produkteve të dy importeve të kryera sipas datave 14 janar 2019 dhe 29 prill 2019, kur nga inspektorët e PIK-ut në Qafë Thanë janë lëshuar dokumentet veterinare për dy ngarkesat, përkatësisht dokumenti nr.33, datë
14 janar 2019 për importin e kësaj sasie dhe dokumenti nr.508, datë 29 prill 2019, për importin e dytë;
-Praktika e dytë e importit ka mangësi në dokumentacionin e saj, konkretisht në importin e datës
30.04.2019, nga kompania e ushqimeve është importuar nga shitësi Domenik LTD, produkti yndyrë vegjetale (e prodhuar nga Andrushevskyi Dairy LTD) në sasinë 21,000 kg neto (pra, pa përfshirë peshën e paketimit). Produktet e importuara jane 3 grupe, si vijon:
Butter vegetable Capro-yndyre totale 82% përfshirë 25% yndyrë qumështi ne paketime 5 kg/pako, në sasinë 2500 kg, prodhuar me datë 15.04.2019- skadon më datë 15.04.2021;
Butter vegetable Zolotava-yndyrë totale 82% përfshirë 0.6% yndyrë qumështi, në paketime 5 kg/pako, në sasinë 4500 kg, prodhuar me datë 15.04.2019- skadon më datë 15.04.2021;
Butter vegetable Zolotava-yndyrë totale 82% përfshirë 0.6% yndyrë qumështi, në paketime 25 kg/pako, në sasinë 560 kg, prodhuar me datë 15.04.2019- skadon më datë 15.04.2021;
-Certifikata e analizës laboratorike nr.240419/l-1 për produktin e parë, nuk i përket atij, pasi të dhënat në certifikatë nuk përputhen me të dhënat e produktit. Konkretisht produkti përmban yndyrë totale 82% përfshirë 25% yndyrë qumështi, ndërkohë në certifikatë pasqyrohet yndyrë totale 82%, përfshirë 0.6% yndyrë qumështi. Pra, për sasinë 2500 kg të produktit nuk është bërë kontrolli cilësor i saj;
-Nga grupi i inspektimit nuk është pasqyruar plotësisht gjurmueshmeria e produktit në subjekt. Konkretisht sipas informacionit të pasqyruar: Në subjekt janë gjendur:
Butter vegetable 82% yndyrë totale përfshirë 3.6% yndyrë qumështi, me datë prodhimi 06.12.2018- skadencë 06.12.2020, për të cilin nuk pasqyrohet sasia e furnizuar dhe sasia e shitur. Gjithashtu nuk administrohet praktika e importit të këtij produkti.
Butter vegetable Capro 82% yndyrë totale përfshire 25% yndyrë qumështi, me datë prodhimi 15.11.2018- skadencë 15.11.2020, për të cilin nuk pasqyrohet sasia e furnizuar dhe sasia e shitur. Gjithashtu nuk administrohet praktika e importit të këtij produkti.
Të gjitha produktet e mësipërme, të cilat janë yndyrë vegjetale, janë shitur nga kompania si gjalpë.
-Grupi i inspektimit ka pasqyruar sasinë gjithsej të produktit të gjendur në subjekt 45 ton, por nga se është e përbërë kjo sasi nuk jepet” njofton KLSH në mes të gjetjeve nga auditimi i bërë tek DRAKU.
Ligji urdhëron bllokim dhe asgjësim, jo “rietikim”
“Vendimmarrja e grupit të inspektimit nuk është e saktë. Konkretisht: Bllokimi i produktit yndyrë vegjetale nuk eshte zbatuar siç duhet, pasi, sipas kësaj reference, produkti bllokohet dhe administrohet në ambjentet e institucionit që ka konstatuar kundërvajtjen administrative, veprim i cili nuk është bërë, pasi produkti është bllokuar dhe është lënë në ambjentet e subjektit;
-Masa e lënë për rietiketimin e ushqimit nuk ka bazë 1igjore, pra në asnjë percaktim në “Ligjin e Ushqimit” nuk thuhet së në rastet kur etiketa përmban informacion të gabuar, ajo duhet të rietiketohet. Veprimi i inspektorëve në këtë rast nënkupton që, gabimi i subjektit (mashtrimi duke pasqyruar informacion jo të vërtetë për produktin) është toleruar.
Nëse do të marrim në konsideratë intepretimin e bërë në pikën 1/b të nenit 11, ku një ushqim është i pasigurt, në rastin kur informacioni që i jepet konsumatorit, përfshirë informacionin e dhënë në etiketë (rasti i mësipërm) ose informacione të tjera, të vlefshme për të, për parandalimin e efekteve të dëmshme specifike për shëndetin nga një ushqim i caktuar ose nga një kategori ushqimesh, dhe në këtë rast, sipas përcaktimit të bërë ne piken 1 të nenit 24 dhe nenit 69 të Ligjit për ushqimin, ky produkt ushqimor duhet të hiqet nga tregu, të bllokohet dhe të asgjësohet, dhe jo të rietiketohet.
Ose inspektorët mund të kishin marrë mostër për analizë 1aboratorike, për të vlerësuar nga ana shkencore, cilësinë dhe sigurinë e produktit, por as ky veprim nuk është kryer.
Nuk janë vendosur shenjat dalluese të bllokimit të produkteve, çka e bënë të parealizuar plotësisht masën administrative të inspektorëve dhe nuk garantohet, nëse subjekti do të tregtojë nga ky produkt apo jo;
-Në këtë rast produkti duhej të bllokohej, të merrej në administrim nga inspektorët dhe të ruhej në ambjentet e institucionit, si dhe të lihej detyrimi që ky produkt të asgjësohet brenda një afati të caktuar;
-Nga grupi i inspektimit nuk është verifikuar autenciteti dhe korrektesia e dokumentacionit të praktikave të importit;
-Grupi i inspektimit duke lënë si detyrë për subjektin, që të tërheqë nga tregu sasinë e shitur dhe bashkë me ato të bëjë edhe rietiketimin e sasisë gjendje 45 ton, ka ligjëruar ci1ësinë e produktit Butter vegetable Capro-yndyre totale 82% perfshirë 25%, në sasinë 2,500 kg, i cili praktikisht nuk ka certifikatën e analizës laboratorike, pra edhe cilësia e tij nuk është e garantuar.
Sa më sipër grupi i auditimit, pas shqyrtimit të veprimeve dhe mosveprimeve të inspektorëve të PIK-ut Qafë Thanë, grupit të inspektimit në DRAKU Tiranë, gjykon dhe arrin në konkluzionin se vendimmarrja e inspektorëve lidhur me lejimin e hyrjes në Shqipëri, bllokimin dhe rietiketimin e produktit nuk është e plotë dhe e saktë. Në këtë mënyrë është lënë të qarkullojë në treg një produkt, i cili nuk i është nënshtruar kontrollit cilësor të tij e, për rrjedhojë, nuk janë mbrojtur interesat e konsumatorit”, shkruhet në raportin e auditimit.
Ndryshimi i etiketave zgjati 6 muaj
Historia e gjalpit ukrainas është e gjatë, ku duket se inspektorët i kanë dhënë gjithë kohën e nevojshme tregtarit të shesë produktin fals. Rreth 6 muaj u deshën për të ndryshuar etiketat e “gjalpit”.
“Kjo praktikë e gabuar është ndjekur edhe në vazhdim nga DRAKU Tiranë, ku nëpermjet inspektimit të ketij subjekti, sipas autorizimit nr.AKU-TR-2019-006160-1, date 27.09.2019, është bërë zhbllokimi i sasisë 40 ton, me argumentin se është bërë notifikimi i etiketës.
Për më tepër, që detyrimi i notifikimit të etiketës, nuk ishte lënë në inspektimin e mëparshëm.
Ky është një produkt importi, dhe informacioni i tij jepet në gjuhën shqipe në etiketën origjinale ose
në kundëretiketë. Pra, nuk është rasti kur duhet të bëhet notifikimi i etiketës. Për më tepër, informacioni që deklarohet në etiketë, duhet që ta shoqërojë produktin ushqimor, të cilit i referohen ose të dërgohen paraprakisht apo njëkohësisht me dërgesën e tij, dhe kjo duhet të garantohet nga operatori i biznesit, gjë e cila nuk është bërë.
-Procesverbali i inspektimit nr.AKU-TR-2019-006160-2, date 27.09.2019.
Në procesverbal pasqyrohet informacioni se sipas kërkesës së subjektit me nr.3540 prot., date 17.09.2019 për zhbllokim të produkteve të bllokuara në inspektimin e datës 17.05.2019, u krye verifikimi dhe në
subjekt (dhomën frigoriferike) u gjend sasia prej 45 ton. Gjithashtu në subjekt u gjenden 40 kg nga produkti yndyrë vegjetale e cila është përdorur për kryerjen e analizave laboratorike (autokontroll, pra nga vetë subjekti) e cila është e papërdorshme, si dhe sasia prej 587.06 kg, e cila është kthyer nga subjektet, por është e papërdorshme, sepse është hapur nga klientët, dhe do të qëndrojë e bllokuar deri në marrjen e masave për asgjësimin e tyre.
Sasia prej 45 ton e cila eshte notifikuar sipas shkresës nr.2614/2 prot., date 26.07.2019, firmosur nga ish-Kryeinspektori i DRAKU-t Tiranë është zhbllokuar.
-Vendimi përfundimtar i inspektimit nr.AKU-TR-2019-006160-5, datë 27.09.2019, ku nuk pasqyrohet asnjë masë.
Nga shqyrtimi i praktikës së mësipërme rezulton se:
-Si fillim nga inspektorët duhet të ishte bërë konstatimi i shkeljes së moskorrigjimit brenda afatit nga subjekti, të detyrave të lëna në ispektimin e mëparshëm, për tërheqjen e produktit nga tregu, dhe duhet të ishte marrë masë administrative, veprim i cili nuk është bërë;
-Ne praktikën e inspektimit pasqyrohet informacioni se janë kthyer 587 kg nga produkti, por nuk ka asnjë faturë kthimi, nuk ka fletë-hyrje në magazinën e kompanisë së ushqimeve, për produktet e kthyera;
-Nuk ka asnjë dokument mbi njoftimin e bërë nga kompania, subjekteve të tjera, të cilat i ka
fumizuar me produktet e mësipërme (butter vegetable), me qëllim tërheqjen nga tregu.
-Inspektorët nuk kanë vendosur një afat të caktuar për kryerjen e asgjësimit të produkteve, por e kanë lënë në dëshirë të subjektit;
-Nuk janë vendosur shenjat dalluese të bllokimit të produkteve çka e bënë te parealizuar plotësisht masën administrative të inspektorëve, dhe nuk garantohet, nëse subjekti do të tregtojë nga ky produkt apo jo;
-Masa e zhbllokimit e marrë nga inspektoret nuk ka bazë ligjore, përkundrazi çdo ushqim i bllokuar që nuk plotëson kërkesat e Ligjit për ushqimin duhet të asgjësohet dhe jo të zhbllokohet”.
Ky ishte konkluzioni i KLSH-së për praktikën e ndjekur nga DRAKU dhe Dogana e Qafë Thanës mbi importin e gjalpit fals nga Ukraina. Në fakt, nuk duheshin shfletuar kaq shumë urdhra dhe udhëzime për të zënë në gabim inspektorët e DRAKU-t.
KLSH do të duhej të bënte vetëm dy gisht letër në prokurori, ku të kallëzonte kompaninë, inspektorët e DRAKU-t dhe veterinerët e Qafë Thanës për kontrabandë mallrash, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim të detyrës.