Nga Red VARAKU
Raporti i OSBE- ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, ishte i plotë, realist dhe me integritet profesional. Konkluzionet e këtij raporti janë më të qartat dhe më të drejtpërdrejtat e viteve të fundit.
Për sa i përket vërejtjeve që lidhen me garantimin e votës së lirë dhe me cënimin e votës së zgjedhësve, ky raport është mbase ndër më voluminozët në rajon dhe përfshin një listë të gjatë konstatimesh, që evidentojnë shkelje shumë të rënda që e delegjitimojnë tërësisht produktin e këtyre zgjedhjeve.
Ky raport evidenton qartë blerjen masive të votave, dëshmon presionin ndaj votuesve përmes perdorimit të grupeve kriminale si dhe konstaton shkrirjen në një e partisë në pushtet me shtetin.
Ai njëkohësisht vëren dhe përdorimin e aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet dhe abuzimin masiv me pushtetin dhe funksionet publike.
Ky raport, gjithashtu nxjerr në pah rritjen e punësimit në administratën publike me qëllime elektorale, presionin mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet dhe përdorimin e fondeve të rindërtimit për të orientuar votën si dhe legalizimet në këmbim të votës.
Por, ato që duken më problematike për raportin janë perdorimi i të dhënave private dhe personale, ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve dhe dhe ndryshimet kushtetuese të njëanshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Tani kush kërkon prova të tjera ose është naiv, ose kërkon të krijojë ambiguitet dhe kakofoni rreth raportit dhe qartësisë së tij kundër masakrës zgjedhore me qëllim shfokusimin nga e vërteta e madhe që ky raport denoncon.
Përfundim më të qartë se ky raport për grabitjen e zgjedhjeve nuk mund të ketë. Do të mjaftonte vetëm njëri nga këto konstatime, për të hedhur në erë realisht procesin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe për të legjitimuar pretendimet e opozitës.
Për fat zgjedhjet ishin aq transparente, sa nuk kishte nevojë të ishe ekspert për vlerësimin e tyre si masakër e pastër zgjedhore.
Pas këtij raporti për këdo është e qartë që këto zgjedhje nuk ishin absolutisht si zgjedhjet e tjera që kanë kaluar, por ishin një betejë e pastër antiopozitare që kishte një objektiv të qartë, egzekutimin politik të opozitës dhe demokracisë.