Vorbulla e polemikave të post Partizani-Skënderbeu për gjykimin, policinë, tifozët e ndeshjen eklipsoi një detaj që tani merr një rëndësi të veçantë. Ajo përplasje me Torasën i ka kushtuar jo pak Kristi Vangjelit. Mbrojtësi korçar shpjegon pasojat që i ka lënë ai kontrast që e ka detyruar të niset drejt Selanikut ku ndodhet aktualisht në një nga klinikat më të mira aty për vizita të specializuara mjekësore.
“Gjatë përplasjes me Torasën, me gjurin e tij më ka shkaktuar një çarje jo dhe aq të madhe në pjesën e ballit, por problemi më i madh është se pjesa mbrapa kokës në qafë është tronditur jashtë mase, këto dy-tre ditë kam pasur dhembje të tmerrshme dhe për këtë arsye jam nisur drejt Selanikut për të mësuar diçka më shumë”, u shpreh Vangjeli.
Në Selanik i kanë dhënë të njëjtën diagnozë si në Tiranë, një shembje në pjesën e majtë të qafës që do ta lërë Vangjelin të paktën 10 ditë jashtë fushe. “Shembja e qafës në krahun e majtë është një problem i madh që shkakton dhembje dhe brenda javës apo 10 ditë nuk duhet të nxitohem të bëj stërvitje apo të vrapoj, duhet ta kuroj me terapi që të kem shërim të shpejtë, pasi nëse nuk bëj terapinë e duhur mund të më shkaktojë probleme në ndeshjen e ardhshme nga ndonjë goditje në kokë”, tha ai. Momentalisht nuk mund të jepet një kohë e saktë mbi afatet e rikuperimit pasi gjithçka varet nga evolimi i situatës, megjithëse Kristi shpreson të kthehet para 3 javëve në dispozicion të Skënderbeut.