Maqedonia me Hasanin e Ibraimin ndaj Spanjës

Maqedonia me dy shqiptarë të Shkëndijës së Tetovës në sfidën e muajit nëntor ndaj Spanjës. Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi janë grumbulluar nga trajneri i përfaqësues së Maqedonisë Igor Angelovski, për ndeshjen kualifikuese të Botërorit Rusi 2018 ndaj kombëtares iberike që do të zhvillohet në qytetin e Granadas. Të dy lojtarët e kuqezinjve tetovarë janë shumë të rëndësishëm për trajnerin, madje Ferhan Hasani është një titullar i padiskutueshëm edhe në përfaqësuese teksa në sfidën e humbur 2-3 ndaj Italisë në Shkup realizoi golin e avantazhit provizor 2-1 të Maqedonisë.
Lajmi për grumbullimin e Ibraimit dhe Hasanit u bë i ditur nga vetë klubi i Shkëndijës në faqen zyrtare. Skuadra shqiptare ndër të tjera në komunikatën e saj thekson se falë formës së mirë që kanë treguar të dy lojtarët me Shkëndijën gjatë kësaj periudhe janë thirrur nga trajneri Angelovski në përfaqësuese. Nëse luajnë sfida ndaj Spanjës që do të zhvillohet më 12 nëntor në Granada mund të jetë e 27 për Ferhan Hasanin me fanellën e Maqedonisë dhe e 12-ta për Besart Ibraimin.

Artikulli paraprakBalaj, Roshi dhe Berisha, në formacionin e javës në Rusi
Artikulli tjetërMërgim Berisha, 5 gola në një ndeshje