Oficeri u kap me parcelë droge, por u la i lirë/ PD: U mbrojt nga kushëriri kryetar bashkie, SPAK të veprojë

Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp në lidhje mbi rastin e sotëm ku një oficer i policisë gjyqësore, Kastriot Bicukaj është lënë i lirë duke mos u kallëzuar në SPAK, edhe pse me një parcelë të madhe të mbjellë me kanabis.

Sipas PD, Bicukaj është marrë në mbrojtje politike falë ndërhyrjes së kushëririt të tij, Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit.

DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE

Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta ndaj trafikut të drogës, që cënon rendin dhe sigurinë, është mision i Partisë Demokratike. Në këtë përballje nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e qytetarëve dhe policëve të ndershëm, që ndihen të braktisur nga regjimi që bashkëpunon me krimin. I tillë është denoncimi që na ka ardhur sot mbi ndërhyrjen e forcave RENEA në zonën e Pukës. Operacioni ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellur me kanabis, në kuadër të po këtij operacioni është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj. Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit.

Ky operacion, i cili nuk është bërë ende publik nga Policia e Shtetit, dëshmon edhe njëherë se kanabisi është ende një çështje në duart e atyre që e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe se askush nuk ndalohet nëse pas rrënjëve të bimës narkotike shfaqen persona të lidhur me partinë-shtet.

Vendi ynë renditet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si i pari në Europë për prodhimin e kanabisit, pikërisht prej vullnetit politik që e kthen kanabisin në një ndërrmarrje të përbashkët midis krimit dhe partisë në pushtet, ndërsa policinë e shndërron në mbrojtëse të parcelave, apo siç dëshmon hetimi i Antimafies Italiane, duke i përdorur forcat e rendit si punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë.

Prej vitesh Partia Demokratike ka denoncuar me fakte modelin e bashkëpunimit me krimin të ndërtuar nga Edi Rama. Koha na ka dhënë gjithmonë të drejtë, prandaj nuk duhet pritur që detyrën e institucioneve shqiptare ta kryejnë partnerët ndërkombëtarë, por është detyra e SPAK të marrë në dorë këtë hetim të penguar nga partia në pushtet.

Çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.

Artikulli paraprakRevolta e artistëve ndaj Ramës për këngëtarin e masakrave serbe: Të q… Goran Bregoviçin
Artikulli tjetërVendi në flakë, 6 helikopterët Cougar që u blenë 78.6 milionë euro për shuarjen e zjarrve nuk dihet se ku përfunduan