Partia Demokratike paraqiti mbrëmë në Kuvend rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Rezuluta u lexua para deputetëve nga kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Rezoluta shpreh mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut dhe synon të zbardhen krimet e tmerrshme ndaj klerit, torturat, dhe ekzekutimet e tyre.
Ndonëse mazhoranca zvarriti miratimin e kësaj rezolute, ajo u miratua mbrëmë nga Kuvendi.
Rezoluta
Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Në mbështetje të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike,
Kuvendi i Shqipërisë:
Duke u mbështetur në Rezolutën e Parlamentit Europian “Mbi ndërgjegjen europiane dhe totalitarizmin” (2009); Deklaratën e Pragës “Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizmin” (2008); Rezolutën 1096 (1996) e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe Rezolutën 1481 (2006) e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”;
Në vijim të Rezolutës nr.11, datë 30.10.2006 të Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”;
Duke riafirmuar përbuzjen, si dhe dënimin e plotë e pa ekuivok të regjimit diktatorial komunist të ngritur nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij;
Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore që kanë treguar klerikët gjatë regjimit komunist;
Duke konfirmuar dënimin me ashpërsi të dhunimit masiv të të drejtave të njeriut ndaj klerikëve shqiptarë të kryer nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha, ku përfshihen edhe vrasjet (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, tortura, puna skllavëruese, terrori fizik e psikologjik;
Duke vlerësuar lart kontriburtin, vlerat dhe sakrificat e të gjithë klerikëve të vrarë apo persekutuar gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, dhe duke u përulur me mirënjohje të thellë ndaj veprës dhe punës së tyre për ndërtimin e një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut;
Duke mbajtur në konsideratë se sipas dokumenteve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar aktet çnjerëzore të regjimit komunist ndaj klerikëve përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe ndjekja e dënimi i tyre nuk parashkruhet;
Duke e konsideruar ringjalljen e simboleve dhe figurave të diktaturës totalitare komuniste në Shqipëri, bazuar në një nxitje dhe dakordësi shtetërore, në veprimtari zyrtare publike, si një shkelje të parimeve dhe angazhimeve europiane për dënimin e komunizimit, si dhe një provokim të rëndë e të papranueshëm ndaj ndërgjegjes shoqërore në tërësi dhe familjes së klerikëve që janë viktima të regjimit komunist në veçanti;
Duke e vlerësuar se zhvillimet politike dhe shoqërore të 25 viteve të tranzicionit kanë penguar nxjerrjen e plotë të së vërtetës mbi krimet e komunizimit ndaj klerit në Shqipëri, si dhe dënimin e ideatorëve, organizatorëve dhe zbatuesve të drejtpërdrejtë në aparatin represiv të regjimit diktatorial, në zbatim edhe të parimeve dhe angazhimeve ndërkombëtare që i dënojnë krimet e komunizimit;
Duke qenë në dijeni të faktit se më 5 nëntor 2016, në qytetin e Shkodrës, zhvillohet ceremonia e Lumturimit të disa klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë padrejtësisht nga regjimi komunist;
Deklaron me vendosmëri se:
Dënon fuqimisht diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar komunist të instaluar prej tij së bashku me bashkëpunëtorët e vet, si dhe krimet e kryera prej tyre ndaj klerikëve shqiptarë.
Dënon fuqimisht vrasjen dhe persekutimin nga regjimi komunist dhe njeh me bindje të plotë pafajësinë e Dom Anton Zogaj; Imzot Frano Gjini; Marie Tuci; Atë Giovanni Fausti s.j.; Vëlla Gjon Pantalia; Imzot Vinçenc Prendushi o.f.m.; Imzot Jul Bonati; Dom Alfons Tracki; Atë Gjon Shllaku; Atë Karl Serreqi; Atë Mati Prendushi; Dom Jozef Maksën; Dom Lazër Shantoja; Dom Lekë Sirdani; Dom Luigj Prendushi; Atë Ciprian Nika; Atë Serafin Koda; Atë Gasper Suma; Dom Anton Muza; Dom Dede Maçaj; Dom Dede Malaj; Mark Çuni; Atë Bernardin Pala; Atë Daniel Dajani; Gjelosh Lulashi; Dom Mikel Beltoja; Dom Ndre Zadeja; Dom Mark Gjani; Dom Dede Plani; Fran Mirakaj; Dom Ejëll Deda; Qerim Sadiku; Dom Jak Bushati; Papa Josif Mihali; Dom Marin Shkurti; Dom Ndoc Suma; Dom Pjetër Çuni; Dom Shtjefen Kurti; Hafiz Ali Korça; Hafiz Ibrahim Dalliu; Hafiz Ismet Dibra; Hafiz Sabri Koçi; Dede Reshat Bardhi; Haki Sharofi; Jonuz Bulaj; Vexhi Buharaja; Ismail Muçej; Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha; Hasan Tahsini; Baba Bedriu i Brerimës; Baba Hajro Progonati; Hafiz Mustafa Varoshi; Hafiz Sherif Lëngu; Hafiz Esat Myftia; Hafiz Musa Dërguti; Hafiz Ali Kraja; Imam Liman Shabani; Imam Met Troci; Sheh Ibrahim Karabunara; Sheh Myslim Luma; Baba Myrteza Kruja; Imam Ahmet Hyseni; Dervish Mehmet Verleni; Xhemal Naipi; Hafiz Sheuqet Boriçi; Hafiz Sabri Bushati; Molla Alush Zaganjori; Shejkh Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi; Selim Braja; Hafiz Bakalli; Hafiz Myrtja; Hafiz Muhamet Bekteshi; Sheh Ali Pazari; Sheh Reiz Sinani; Baba Ali Tomorri; Baba Qamil Gllava; Baba Shefqet Koshtani; Baba Bedri Cakrani; Dervish Ali Kocia; Dede Kamber Prishta; Baba Mehmet Zyka; Baba Islam Leskoviku; Baba Bajram Mahmutaj; Baba Islam Jangolli; Baba Ilmi Kurtesi; Dede Ahmet Myftari; Baba Sh. Cenametaj; Kryepiskop Visarioni Xhuvani; Kryehirësia e Tij Kristofor Kisi; Episkopi ndihmës i Apolonisë Irineu Banushi; Atë Gjergj Suli; Atë Aleksandër Lipe; Atë Dhimitër Leka; Atë Kostandin Bozdo; Atë Ligor Zografi; Atë Kosta Kole; Atë Thoma Vërleni; Atë Kristo Raci; Atë Jorgji Kosta; Atë Simon Tonini; Atë Ilia Zoto; Atë Gjergj Dedi; etj.
Vlerëson me mirënjohje të thellë veprën, punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore të klerikëve shqiptarë gjatë regjimit komunist për ndërtimin e një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut.
Vlerëson se klerikët që ishin viktimë e krimeve dhe persekutimeve të regjimit komunist, si dhe familjarët e tyre, meritojnë rehabilitim, respekt dhe mirëkuptim për vuajtjen e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj sistemit më të egër diktatorial komunist në Evropën Lindore.
Nxit qeverinë që të rrisë fondet financiare dhe përpjekjet për zbulimin e krimeve të komunizimit ndaj klerikëve në Shqipëri, autorëve të këtyre krimeve, si dhe rehabilitimin e familjarëve të viktimave.
Nxit akademikët dhe historianët që të ndërmarrin veprimtari kërkimore-shkencore për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të krimeve të komunizimit ndaj klerikëve në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, si dhe kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve arkivore që dëshmojnë këto krime.