Dy fjalë për afganët në Shqipëri!

Nga Sali BERISHA

Rikthimi pas 20 viteve me shpejtësi në Afganistan i talebanëve, regjimit me obskurantist që nga Mesjeta, përbën një nga ngjarjet më dramatike të historisë së Pasluftës së Dytë Botërore. Ndër të tjera ky rikthim përbën për kombin afgan një kob të zi me pasoja tashmë të njohura dhe katastrofale.

Në këtë kuadër, strehimi i atyre që kanë si alternativë prerjen e kokave nga xhelatët talebanë përbën detyrim moral, por dhe ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar për çdo vend të lirë.

Shqipëria, si aleate e SHBA, si vend anëtar i NATO, si vend – bijtë e të cilit ranë për t’u bërë të pavdekshëm për paqen në tokën afgane, por dhe në përputhje me traditën e shkëlqyer të shqiptarëve, sigurisht do të mikpresë me gjithë zemër refugjatët afganë, qoftë përkohësisht, qoftë përfundimisht në tokën e saj.

Në këtë aspekt, duke parë avancimin e papërmbajtur dhe kapitullimin pa kushte të ushtrisë afgane, të komandantëve të saj, dikur krenari e qëndresës për liri, le të urojmë që kontigjenti i caktuar për në Shqipëri të mund të arrijë shëndoshë e mirë në dheun tonë.

Por fjalori prej ordineri të shpëlarë, duke sharë dhe anatemuar të tjerët, i Edvin Kristaq Ramës, pikërisht në njoftimin e tij drejtur shqiptarëve për kërkesën e SHBA dhe vendimin e tij për të pranuar refugjatët afganë, është dëshmi e përpjekjeve të tij të turpshme për të përdorur këtë vendim për përfitime e interesa personale politike duke e lidhur atë edhe me vasalitetin e tij të neveritshëm ndaj padronit të tij Vuçiç, ftesës që i ka bërë këngëtarit që mbante koncerte kundër bombardimit të Beogradit, ndërkohë që NATO po ndërhynte për të ndaluar kasaphanën e kasapit të Ballkanit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Me këtë rast le t’i themi Zografit bis se ardhja e afganëve nuk të heq ziftin e vasalit të serbomadhit Vuçiç apo të antishqiptarit që mohon genocidin ciklik të serbëve në Kosovë. Ardhja e afganëve në Shqipëri nuk të lan duart nga thikat që ti për llogari të padronit tënd dhe si tradhtar i kombit shqiptar i fute pas shpine Kosovës.

Ndaj dhe duke iu uruar mirëseardhje, refugjatëve afganë në Shqipëri, dënoj me ashpërsinë më të madhe, përpjekjen banale prej ordineri të Edvin Kristaq Ramës për të shpëlarë fytyrën e tij të nxirë dhe për të ndërtuar me sharje të ulëta suksesin mbi një dramë të thellë njerëzore.

Artikulli paraprakSituatë e rëndë nga zjarret në Majën e Runës në Kukës
Artikulli tjetërKabuli dyndet në aeroport për të ikur nga talebanët