Massafra: Mësim për të dënuar krimet e komunizmit

“Lumturimi i 38 martirëve katolikë duhet të shërbejë si mësim për shtetin shqiptar që të thotë fjalën e vet për krimet e komunizmit”. Deklarata erdhi nga kreu i Konferencës Ipeshkvnore shqiptare, imzot Angelo Massafra gjatë prezantimit të kalendarit të aktiviteteve që i paraprijnë meshës së 5 nëntorit në katedralen e Shkodrës.
“Unë shpresoj se me festën e 5 nëntorit ne e kemi bërë gjyqin tonë. Unë mendoj se mund të jetë një nxitje që shteti të rishikojë situatën historike. Lartësimi i këtyre martirëve është lartësimi i të gjithë atyre që kanë vuajtur”, tha Imzot Angelo Massafra.
Sipas organizatorëve, të pranishëm në bashkëkremtim do të jenë disa kardinalë, 20 ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës, si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi.
“Do të jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvij nga 20 vende të ndryshme të botës, si dhe 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës”, u shpreh Dom Marjan Shtjefni.
Logoja e përzgjedhur për këtë festë ka një simbolikë të veçantë që ndërthur kryqin me palmën dhe sfondin e artë.
“Është një rreth që simbolizon qiellin, botën shpirtërore. Ngjyra e artë që është imazhi i dritës. E kuqja ose e purpurta është ngjyra e serafinëve, simboli i dashurisë hyjnore. Kryqi mbi të gjitha është pema e jetës, palma përfiguron që në fillesat e krishterimit martirin”, tha At Gazmend Tinaj.
Nga ana tjetër famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku bëri të ditur edhe kalendarin e aktiviteteve të parashikuara përgjatë këtyre ditëve që do të kulmojnë me kremtimin e meshës së lumnimit të 38 martirëve më 5 nëntor.

Viti i kishës

Në prag të lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, arqipeshkvia e Shkodrës përmes një komunikimi me mediat bëri publike axhendën e të gjithë aktiviteteve që do t’i paraprijnë meshës që do të mbahet më 5 nëntor.
Në fjalën e tij, arqipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Massafra u shpreh se ky vit mund të quhet Viti i Kishës në Shqipëri.
“Ky vit jubilar mëshire, pa ndrojë themi se është Viti i Kishës në Shqipëri. Shenjtërimi i Nënë Terezës, shpallja dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit dhe shpallja e lumturimit të martirëve më datë 5 nëntor dëshmojnë fuqishëm se Zoti nuk e braktis kurrë popullin e vet dhe se e vërteta do të ngadhënjejë gjithmonë”, u shpreh Massafra.
Të pranishëm në meshën e lumturimit të martirëve, veç kardinalit Angelo Amato, i cili është dhe udhëheqësi i këtij procesi, do të jenë dhe një sërë klerikësh të lartë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, për të nderuar figurën e 38 martirëve shqiptarë.

Artikulli paraprakDom Marjan Paloka: Të mësojmë nga sakrifica e tyre
Artikulli tjetër1 vit nga hetimet e Prokurorisë koncesionet e shëndetësisë, zero rezultate