Abuzimi me tendërët është një problematikë e mprehtë në Shqipëri, ku kompanitë në bashkëpunim me zyrtarë të ndryshëm vjedhin taksat e qytetarëve përmes pehlivanllëqeve që bëjnë me cilësinë. Zakonisht kjo pasqyrohet me kosto të larta në arkën e shtetit, por ka raste edhe që rrezikon apo që merr jetë njerëzish.
Rasti më i fundit është Farmacia e QSUT-së, e cila duket si në gjendje lufte, me ujë gjithandej dhe tavane të shkatërruara ndërkohë që është rikonstruktuar vetëm pak muaj më parë.
Nga fotot e siguruara nga Albeu.com duket qartë se ambientet janë tërësisht të shkatërruara, kurse ilaçet me të cilat duhet të kurohen të shtruarit notojnë në ujë edhe pse buxheti i shtetit i ka paguar miliona kompanisë.
Përballë një situate të tillë dhe me përgjegjegjësinë e detyrës, infemieret dhe sanitaret e QSUT-së përpiqen të shpëtojnë çfarë mund të shpëtojnë nga ilaçet, por gjithçka duket e kotë pasi uji ka pushtuar çdo hapësirë.
Ky është një rast tipik korrupsioni ku nuk vidhen vetëm paratë, por përmes vjedhjes rrezikohet edhe jeta e pacientëve dhe SPAK-u nuk mund të rrijë duarkryq përballë këtyre pamjeve.