Shqipëria e Kosova gjobiten nga FIFA

Shqipëria dhe Kosova gjobiten nga FIFA për shkak të sjelljes jo të përshtatshme të tifozëve në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018. Në vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës, theksohet se Shqipëria gjobitet me 50 mijë franga zvicerane dhe në komunikatë nënvizohet se vendimi është marrë për dy ndeshje. Bëhet fjalë për sfidat kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës pasi tifozët shqiptarë hodhën sende në fushën e lojës. Ndeshja e parë është ajo në transfertën e Lihtenshtejnit. Sipas FIFA-s, bëhet fjalë për hedhjen e sendeve piroteknike dhe në bazë të artikullit 67 të kodit disiplinor, Shqipëria gjobitet me 25 mijë franga. Edhe për takimin kundër Spanjës, Federata gjobitet për të njëjtën arsye me 25 mijë franga dhe paralajmërohet në rast të përsëritjes së sjelljeve të tilla.
Nëse ngjarje të tilla regjistrohen edhe në sfidën e 12 nëntorit kundër Izraelit, atëherë kombëtarja shqiptare rrezikon shumë që sfidën pasardhëse në vendin tonë ta luajë pa tifozë. Kjo është hera e tretë që Shqipëria gjobitet për sfidat eliminatore, pasi 50 mijë franga federata u detyrua t’i paguante edhe për shkak të parregullsive për sfidën e parë kundër Maqedonisë. Në vendimin e marrë nga FIFA nuk ka shpëtuar as Kosova që është gjobitur me 30 mijë franga për koret e tifozëve, hedhjen e sendeve në fushë dhe banerat e shpalosur në stadiumin “Loro Boriçi” për sfidën kundër Kroacisë.

Artikulli paraprakVangjeli në Greqi për dëmtimin në kokë
Artikulli tjetërUnited ra në Stamboll