Në kontratën me “IDEA-Tel”, RTSH jo vetëm merr përsipër t’i paguajë “IDEA-Tel” 8.8 milionë euro në katër vitet pas dixhitalizimit, por zotohet t’i sigurojë kompanisë edhe ambientet ku do të realizohet shërbimi
8.8 milionë euro, paratë e shqiptarëve, do të jepen për këtë kompani, edhe pse rrjeti dixhital ende nuk është ndërtuar
Mazhoranca në Këshillin Drejtues të RTSH, nën urdhrat e Edi Ramës ka miratuar javën që kaloi këtë kontratë të dyshimtë, me vlerë 8.8 milionë euro. Kontrata, e cila i është paraqitur Këshillit Drejtues që në muajin gusht të vitit 2015, paracakton si përfituese kompaninë “IDEA-Tel”, një firmë e afërt me ministra e deputetë të mazhorancës aktuale. Megjithë debatet dhe kundërshtimet në Këshill dhe kërkesën e shumë anëtarëve për organizimin e një tenderi të hapur dhe konkurrues apo për kualifikimin e stafit të RTSH, për ta realizuar ata mirëmbajtjen e rrjetit dixhital, duke kursyer kështu miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, gjithçka ka qenë e kotë pasi Edi Rama e kishte vendosur t’ia jepte, më saktë të ndante me klientin e tij 8.8 milionë euro.
Ky rast skandaloz është denoncuar dje nga sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, e cila përmes një deklarate për shtyp deklaroi se, “kjo është goditja e radhës e Edi Ramës që ka vendosur të ndajë këtë shumë marramendëse me oligarkët e tij, për mirëmbajtjen e rrjetit dixhital të Radio Televizionit Shqiptar”.
Duma deklaroi se 8.8 milionë euro, paratë e shqiptarëve, do të jepen për këtë kompani, edhe pse rrjeti dixhital ende nuk është ndërtuar. “Pra, përpara se të ndërtohet rrjeti, Edi Rama ka menduar të ndajë plaçkën me atë që do ta mirëmbajë. Ja çfarë bën Edi Rama me paratë e shqiptarëve, ndërkohë që gjysma e popullit, 46.2 për qind e familjeve jetojnë me 5 dollarë në ditë, pra kanë përfunduar në varfëri të plotë, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore. 8.8 milionë euro me një dorë për mikun e tij, teksa ka ulur ndihmën sociale e ka rritur papunësinë. Ky është sundimi i oligarkisë, ku populli varfërohet çdo ditë, ndërsa Edi Rama me klientët e tij shtojnë milionat, shtojnë llogaritë në parajsat fiskale”, u shpreh sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD.
Kontrata
Më 15 nëntor 2015, e përditshmja “Shqiptarja.com” ka zbardhur kontratën e plotë, gati për t’u firmosur midis drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Martin Leka dhe administratorit të “IDEA-Tel”, Idlir Karkini. Kjo vjen në një çast kur nga ana e kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”, fituese e tenderit shumë të përfolur prej 21.5 milionë eurosh (pa TVSH) për kalimin në sistemin dixhital të transmetimit, nuk ka nisur ende asnjë punë. Në këtë mënyrë, kontrata e mirëmbajtjes prej 8.8 milionë eurosh në favor të “IDEA-Tel” (që rezulton si përfaqësuesi në Shqipëri i firmës gjermane “Rohde & Schwarz”), është përgatitur përpara se të nisë puna për dixhitalizimin e sistemit të transmetimit. Duket se administrata aktuale e RTSH, po nxitonte të nënshkruajë kontratën 8.8 milionëshe për të bërë të mundur zyrtarizimin e saj përpara zgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Nënshkrimi i kësaj kontrate do ta vinte kreun e ri të TVSH, përpara faktit të kryer, ashtu siç ka ndodhur dhe me kontrata të tjera problematike, siç është ajo e “Rapiscan”, ajo për markimin e karburanteve e “Eurocontrol”, e kolaudimit të mjeteve nga “SGS” apo koncesioni monopol i Aereoportit “Nënë Tereza”.
Vetë RTSH, në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz” për dixhitalizimin e RTSH është përfitues i kontratës dhe jo autoritet kontraktues. Sipas të përditshmes “Shqiptarja.com”, nëse do të merrte përsipër këtë rol, RTSH do të ishte e detyruar të përzgjidhte me tender të hapur ofruesin e këtij shërbimi dhe jo me përzgjedhje të drejtpërdrejtë. Ndërkohë që në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz”, vihet re se kjo e fundit e ka detyrim kontraktual (pra të përcaktuar si detyrim brenda vlera 21.5 milionë euro) trajnimin e stafit inxhiniero-teknik të RTSH-së për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit dixhital.
Një element tjetër që e bën më të çuditshme këtë kontratë, ka të bëjë me faktin që RTSH ka një strukturë të posaçme të specializuar për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit, e njohur si Drejtoria e Stacioneve. Pa përmendur, që “Rohde & Schwarz” ofron garanci dyvjeçare për pajisjet nga momenti i instalimit. Të gjithë këto elemente e bëjnë krejt të pamotivuar, kontraktimin e një kompanie të tretë për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit, që mund të garantohet pa kosto shtesë nga personeli teknik i RTSH (i trajnuar nga firma gjermane) dhe me pjesë këmbimi të furnizuar prapë nga firma gjermane pa asnjë kosto ekstra brenda kushteve të garancisë. Ndërkohë që në kontratën me “IDEA-Tel”, RTSH jo vetëm merr përsipër t’i paguajë “IDEA-Tel” 8.8 milionë euro në katër vitet pas dixhitalizimit, por zotohet t’i sigurojë kompanisë edhe ambientet ku do të realizohet shërbimi.