Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha se tetë veta u vranë dhe mbi 100 u plagosën nga shpërthimi i një makine-bombë në juglindje të Turqisë, disa orë pasi autoritetet turke arrestuan udhëheqësit e partisë më të madhe kurde.
Shpërthimi ndodhi në afërsi të stacionit të policisë në Diyarbakir ku po mbaheshin disa nga udhëheqësit politikë kurdë nën akuzat për terrorizëm. Shpërthimi shkatërroi muret e ndërtesave dhe zjarrfikësit po kërkojnë për njerëzit që mund të kenë mbetur nën gërmadha.
Një zëdhënës i Partisë Popullore kurde, HDP, forca e dytë më e madhe opozitare në Parlamentin turk, tha se arrestimi i dy udhëheqësve të partisë dhe të paktën nëntë deputetëve të tjerë, rrezikon të nxisë luftë qytetare.
Kryeministri Yildirim u tha gazetarëve se, zyrtarët e zgjedhur që nxisin dhe mbështesin terrorizmin, duhet të përballen me procedurat ligjore dhe ata janë arrestuar sepse kanë refuzuar të japin dëshmi.
Arrestimet do të rrisin brengën në mesin e aleatëve perëndimorë pë shtimin e goditjeve ndaj disidentëve nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe qëndrueshmërinë politike në Turqi, një anëtare e NATO-s dhe zonë e ndërmjetme midis Evropës dhe konflikteve në Siri dhe Irak.
Arrestimet, që nxitën reagimin e shpejtë të Bashkimit Evropian, ndodhën në një periudhë kur Turqia ka arrestuar më shumë se 110 mijë zyrtarë në lidhje me grusht shtetin e dështuar të muajit korrik. Turqia po shqyrton rivendosjen e dënimit me vdekje, ndërsa më herët gjatë javës arrestoi edhe gazetarë të gazetës kryesore opozitare.
“Lajme shumë të këqija nga Turqia sërish. Tash edhe anëtarët e Parlamentit nga radhët e HDP-së janë arrestuar”, shkroi në rrjetet sociale raportuesi për Turqinë në Parlamentin Evropian, Kati Piri.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” me arrestimet dhe bëri thirrje për një takim të ambasadorëve të BE-së në Ankara.