Mbulohet me mister vrasja e biznesmenit në Lushnje

Një atentat mafioz i mori jetën të riut 34-vjeçar Bledar Muça në Lushnje. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së hënës kur një automjet tip “Golf” në ecje e sipër përpara lokalit në pronësi të viktimës, qëlloi me breshëri kallashnikovi, disa herë duke lënë të vrarë në vend te riun Muça dhe plagosi edhe 5 persona të tjerë, njëri prej tyre kunati i tij, Judin Velo.

Atentati

Ndërsa 34-vjeçari po konsumonte kafe në lokalin në pronësi të tij në qytetin e Lushnjës, nga një automjet u derdhën breshëri automatiku. Paraprakisht dyshohet se janë përdorur dy armë zjarri të llojit kallashnikov, duke lënë Bledar Muçën të vdekur në vend. Mësohet se nga automjeti është qëlluar me dy armë automatike me breshëri nga jashtë xhamit të ndërtesës, duke lënë gjurmë të shumta plumbash. Ndërsa pronari i lokalit vdiq në vend, të plagosur mbetën Judin Velo, 32- vjeç, Ervis Tafa, 24-vjeç, Sara Liçi, 24-vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeçe dhe Majlinda Gjyla, 66- vjeçe. Katër prej të plagosurve kanë qenë persona të rastësishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, personat e pranishëm lajmëruan Policinë dhe ambulancat, të cilat transportuan të plagosurit për në spital. Ndërkohë, për 34-vjeçarin, mjekët e urgjencës nuk mundën të bënin dot asgjë për shkak se plumbat e kishin goditur në organet jetësore. Po ashtu, në gjendje kritike për jetën është edhe Judin Velo, i cili ka qenë fare pranë me viktimën. Jashtë rrezikut për jetën janë të plagosurit e tjerë të cilët vijojnë të jenë nën kujdesin mjekësor të Spitalit të Lushnjës.

Atentati në një zonë të populluar

Ngjarja bëhet e rëndë edhe për faktin se atentati është organizuar në një zonë mjaft të populluar të qytetit të Lushnjës. Pas të shtënave të shumta, shumica e klientëve të lokalit janë shtrirë për tokë, duke krijuar panik jo vetëm te të pranishmit, por edhe te banorët përreth. Dëshmitarë okularë i thanë Policisë se një automjet që ecte ngadalë hapi zjarr drejt lokalit. Kjo bëri që të krijohej rrëmujë e madhe dhe klientët u ulën të gjithë përtokë. Pasi atentatorët qëlluan me breshëri plumbash, ku dyshohet se janë përdorur dy armë zjarri njëkohësisht, autorët janë larguar me automjetin e tyre.

Artikulli paraprakDita e “harresës” së krimeve të komunistëve
Artikulli tjetërPas rritjes së çmimit të miellit, paralajmërohet edhe rritja e çmimit të bukës