Nga Red VARAKU
Në fjalën e tij përmbyllëse të mandatit të dytë, Edi Rama bëri një bilanc të qeverisë që ai drejton prej tetë vitesh, ku evidentoi arritjet dhe sukseset, sigurisht sipas tij.
Ai gjithashtu shpjegoi dhe vizionin e tij për Shqipërinë e vitit 2030, ku prezantoi objektivat kryesore, thelbi i të cilave ishte zhvillimi ekonomik i Shqipërisë me porte, jahte, aeroporte, anije kozmike etj.
Foli gjithashtu dhe për raportet me Kosovën dhe nismën Ballkan i Hapur, të cilën ndryshe nga herët e tjera, kësaj here e prezantoi kokëulur si një nisëm që është në kuadër të Procesit të Berlinit të iniciuar nga Angela Merkel.
Deri këtu me sukseset e evidentuara prej tij nuk është se surprizoi njeri, sepse ka kohë që jeton në një realitet krejt tjetër nga ajo që jetojnë shqiptarët çdo ditë.
Kjo është kthyer në një retorikë bezdisëse këto tetë vjet, sepse të gjithë i prekim me dorë produktet e kësaj qeverie, duke filluar nga varfëria ekstreme, mungesa e drejtësisë, korrupsioni i papërmbajtshëm siç e cilëson DASH, dhe duke përfunduar me dhunimin e të drejtave të njeriut dhe krizën e rëndë të demokracisë.
Por, të gjithë e dimë që suksesi i vërtetë i një qeverie nuk matet me sukseset e saj imagjinare, por matet vetëm me ecurinë e rrugëtimit të projektit të integrimit, projektit tonë më të madh kombëtar, ndaj i vetmi tregues i një bilanci të suksesshëm është vetëm përparimi në rrugën e integrimit.
Dhe nëse përdorim këtë kriter vlerësues do të kuptojmë që prej tetë vitesh kjo qeveri nuk ka bërë asnjë hap përpara , përkundrazi në vend që të pakësoheshin, kushtet për të vetëm se janë shtuar.
Do të mjaftonte të analizonim këtë proces për të kuptuar që arsyet e bllokimit të negociatave lidhen pikërisht me dështimet e panumërta të kësaj qeverie.
Këtu nuk e kam fjalën për rolin e tij në defaktorizimin e kombit shqiptar në rajon, marrëveshjen e tij të fshehtë me Aleksandër Vuçiç, përfshirjen e tij në skenarin e ndarjes së territoreve të Kosovës dhe kthimin politikës së jashtme shqiptare në thikë për Kosovën dhe kombin, por e kam fjalën për plotësimin formal të kritereve për pranim nga ana e qeverisë.
Dhe për sa i përket kritereve të vendosura prej saj, që duhet të ishin dhe shenjat në rrugë për rrugëtimin tonë, kjo qeveri nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet kryesore të vendosura nga BE dhe të miratuara në formën e një rezolute nga Parlamenti Europian për hapjen e negociatave.
Le t’i analizojmë me rradhë:
Reforma në Drejtësi ashtu siç është, e kapur, duket se “ka ngrirë”. Ajo ka kaluar nga prioritet kryesor në nivel të tretë apo katërt. Madje , qeveria është munduar këto kohë ta pengojë zhvillimin e saj dhe mungesa e saj ka prodhuar një klimë dhune dhe terrori në çdo fushë.
Reforma Zgjedhore e negociuar nga SHBA dhe BE dhe e dakortësuar ne pesë qershor u shkel hapur nga qeveria. Zbatimi i saj, ose ndryshe legjitimiteti i zgjedhjeve të 25 prillit, sipas OSBE/ ODHIR, ishte gjithashtu një dështim total dhe kjo ka egzekutuar përfundimisht demokracinë e brishtë shqiptare.
Gjykata Kushtetuese mezi u plotësua pjesërisht me anëtarë dhe Gjykata e Lartë është ende jofunksionale, për pasojë edhe kushti për dhënien e vendimit nga Kushtetuesja për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019 është ende një kusht i papërmbushur.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Byroja Kombiëtare e Hetimit nuk kanë arritur të japin ende rezultate të prekshme që mund të përkthehen si përmbushje e kushtit të 7-të të Gjermanisë.
Është fjala për rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapjen dhe ndjekjen penale të personave të niveleve të larta të krimit dhe korrupsionit.
Ndërkohë, kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së vijojnë të mbeten në shifra të larta. Sipas raportit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EASO) Shqipëria vazhdon të mbetet mes dhjetë vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në Evropë. Ky fakt është dhe treguesi kryesor i klimës së rënduar në Shqipëri.
Pra, përmes një skanimi të thjeshtë zbulon që kjo qeveri jo vetëm ka dështuar plotësisht në plotësimin e kushteve për integrimin Europian të vendit, por kupton që integrimi nuk është me prioritet dhe po mbahet peng vetëm për interesat për pushtet të një njeriu të vetëm.
Dhe sa kohë do të jetë kështu Shqipëria do të degradojë siç edhe po degradon me shpejtësi.
Varfëria do të përkeqësohet, dhuna dhe arroganca e pushtetit do të shtohet, liritë dhe të drejtat e qytetarëve do të degjenerojnë në privilegje vetëm për servilët, ndërsa burgjet do të mbushen vetëm me hajdutë dhe kriminelë të vegjël, sepse hajdutët dhe kriminelët e mëdhenj do t’i kemi në qeveri.