Nga Kastriot ISLAMI
Në Shqipëri duket qartë se ka filluar vala e tretë e pandemisë. Mutacioni Delta është ai që po shkakton rritjen e numrit të infektimeve, të shtrimeve në spital dhe të vdekjeve. Qeveria është jashtë loje në menaxhimin e situatës; kjo është e kuptueshme në një vend që drejtohet me stilin one shou-men, pra që drejtohet nga një individ që kontrollon gjithçka.
Ekziston përshtypja e përgjithshme se Rama i ka abandonuar shqiptarët duke konsumuar kohën më të madhe me çështje të tjera që s’kanë të bëjnë me jetën e shqiptarëve. Vetëm e vetëm duke menduar për karrigen e pushtetit të tij.
Numri i infektimeve javore, në periudhën 1-25 gusht, pra gjatë 25-ditëve është rritur nga vlera 246 infektime/javë në datën 1 gusht 2021 në 4290 infektime/javë në datën 25 gusht 2021, duke pësuar një rritje prej 17,4 herë. Kjo rritje e infektimeve është shoqëruar me rritjen e shtrimeve më spital që është rritur nga 17,7 shtrime/javë në datën 1 gusht në 76,9 shtrime/javë në datën 25 gusht, por me siguri do të rritet me ritme më të shpejta në ditët në vijim.
Kjo situatë është shoqëruar edhe ne rritjen e rasteve aktive. Më konkretisht, rastet aktive janë rritur nga vlera minimale në 1 korrik 2021 prej 53 në vlerën 7070 në datën 25 gusht, pra me më shumë sesa 134 herë.
Vala e tretë e pandemisë e shkaktuar nga mutacioni Delta vazhdon të prekë veçanërisht të rinjtë që nuk janë të vaksinuar. Rama duket se edhe në këtë rast, duke u marrë më shumë me Bregoviçin dhe afganët, e ka harruar pandeminë që po ashtu si në nëntor-dhjetor 2020 bëri kërdinë në Shqipërinë, mund të jetë me pasoja të rënda për jetën e të rinjve shqiptarë.
Përfundimisht mund të thuhet se Rama mendon vetëm për karrigen e tij të pushtetit dhe gjykon se momentalisht karrigia e tij garantohet nga mbështetja për të ruajtjen e qeverisjes së korruptuar nga marrja e afganëve, njëlloj sic vepronte Ashraf Ghani, që e falimentoi vendin e tij duke e zhytur në korrupsion, dhe në fund u detyrua të largohej ditën e pushtimit të vendit nga talebanët së bashku me 169 milion dollarët e vjedhur…