Dy vjet pandemi, gropa në arsim vështirë se do mbushet pa plan, strategji e guxim

Nga Ardi Stefa

Thuhet se në Europën e Mesjetës, disa popuj e kishin për zakon që t’i ngarkonin të çmendurit e tyre në anije dhe t’i dërgonin larg, në udhëtime pa fund dhe pa destinacion të përcaktuar. Kështu, ata shpëtonin, nga pesha e përkujdesjes të të çmendurve të tyre dhe kur vendin e tyre e vizitonte ndonjë anije tjetër, me të çmendur të tjerë, gjenin një pamje të pasur në ato çka bënin pasagjerët. U jepnin ndonjë farë ndihme, pa pasur përgjegjësinë për përkujdesjen e përhershme të tyre. Anija me të çmendurit ishte një zgjidhje praktike, por edhe një tregues i pamundësisë së njeriut që të përcaktojë fatin e tij.

Në disa momente këto dy vitet e fundit, pamja e anijes me pasagjerët e çmendur që grinden me njëri- tjetrin, pa pasur idenë se ku po shkojnë, do të mund të funksiononte edhe si metaforë se si, të paktën qeveria e trajton Shqipërinë dhe shqiptarët: “Janë të detyruar të marrin disa vendime, mendojnë se problemi i Shqipërisë (nuk) është vetëm problem i Shqipërisë, por, për sa kohë që problemi i Shqipërisë nuk zgjidhet me një mënyre që të bindë se qeveria përkujdeset për demokracinë e popullin e saj, sëmundja do të transmetohet, anija pa destinacion do të përfaqësojë vetë Evropën, Demokracinë…”
Kjo metaforë, ndoshta është hiperbolike, por sot në Shqipëri të gjithë kanë hipur në një udhëtim, i cili nuk dihet se ku do të përfundojë. Ose kur…

***
Kam shumë vite që shkruaj e flas veçanërisht për arsimin ndërkohë që këto dy vite për pandeminë dhe pasojat e saj në shoqërinë shqiptare, në psikosintezën e të rinjve dhe në shkatërrimin e arsimit në shqipëri, pasojat e rënda të të cilës do t’i ndjejë Shqipëria në dekadën e ardhshme.
Kam shkruajtur, jo vetëm se “krimbi” i gazetarit nuk më le, por edhe nga pozicioni i mësuesit që e dashuron misionin e vet, nga pozicioni i prindit që po sheh me tmerr se si po “mëson” fëmija i tij, nga pozicioni i të punësuarit, i cili sheh punën, diplomën, djersën dhe gjakun, studimet e titujt të hidhem në kosh nga “pronarët e metrave katrorë”!
Sepse tek kjo mazhorancë kam vërejtur një vizion për pushtet afatgjatë mbi shqiptarët, por kurrsesi një vizion mbi zhvillimin afatgjatë për shqiptarët.
Kjo, sipas mendimit tim, e karakterizon mazhorancën e sotme dhe është në themel të mungesës së vullnetit politik për të punuar mirë e me vullnet të plotë për Shqipërinë e shqiptarët.

***
Por le të kthehemi tek thelbi i shkrimit tim, i cili edhe kësaj here ka në qendër arsimin dhe fillimin e shkollës.
Pa u hequr asnjë presje të gjitha atyre çka kam shkruar e thënë më parë nëpër intervista në televizione, gazeta apo portale, do të vazhdoj të theksoj se COVID- 19 është ndoshta sfida e shekullit të XXI për planetin dhe si pasojë, edhe për Shqipërinë.
Po qe se do t’u referohemi shifrave të Bankës Botërore dhe OKB-së, aktualisht mbi 265 milionë njerëz rrezikojnë jetën nga uria, si pasojë e krizës së shkaktuar nga mbyllja e ekonomive në gjithë botën. Shumë herë më tepër sesa ata që rrezikojnë jetën nga COVID-19.

Në Shqipëri papunësia vitin e kaluar u rrit me mbi 60.000 persona, ndërkohë që kjo shifër këto vit është akoma edhe më e madhe.
Dhjetëra sipërmarrje të vogla falimentuan, ndërsa shumë sipërmarrje të mesme janë në prag të falimentit dhe është çështje javësh mbyllja e tyre.

Arka e shtetit u boshatis, evazioni fiskal lulëzoi, qeveria mbylli sytë përpara shkeljeve flagrante të të drejtave të punonjësve. Mediat ushtruan e ushtrojnë terror të përditshëm psikologjik duke dhënë shifrat e të infektuarve me COVID- 19, të të vdekurve dhe kandidatëve për të vdekur. Dhe komunikatat e përditshme tmerruese, mbyllen me këshillat për larje duarsh, mbyllje të muzikës, distancim fizik dhe kaq… Harrova: edhe për t’u vaksinuar!

Duke qenë se Shqipëria dhe sukseset e saj ishin krejtësisht fasadë, u investua tek frika.
Duke qenë se Shqipëria është vend i botës së tretë përsa i përket sistemit shëndetësor dhe nuk ka as mundësi e as kapacitete për përballimin e pandemive vazhdon të ecet si “Anija e të çmendurve”, pa busull, pa destinacion…
Ashtu siç ndodhi në gjithë planetin edhe në Shqipëri, ndoshta me qëllimin e ligjshëm dhe të kuptueshëm të shpëtimit të jetëve, mjekët, të mbështetur nga kryeministri, morën në dorë vendimmarrjen e plotë mbi shoqërinë. Por do të ishte e padrejtë të akuzohen mjekët për neglizhencë ndaj “efekteve anësore” që shkaktoi mbyllja e ekonomive. Mjekët pyeten kur ke probleme shëndetësore dhe ata do të të përgjigjen për këtë gjë. Vetëm për këtë gjë.

Mjekët nuk janë as ekonomistë, as arsimtarë, as sipërmarrës; aq më tepër politikanë…
Problemi është se në situatën aktuale, rreziku nuk është vetëm COVID-19. Kjo gjë u bë e qartë me pasojat e karantinës tek ekonomia, shëndeti mental e psikologjik, tek arsimi, depresioni i përgjithshëm i popullsisë, i të rinjve e prindërve në veçanti, etj, etj.
Ministria e Arsimit deklaroi përpara disa ditësh se shkollat do të çeleshin në 14 shtator. Disa ditë më vonë u tha se nxënësit në mënyrë fakultative do të bënin përsëritje nga 1- 13 shtator. Më pas shkolla u shty dhe u zgjat periudha e përsëritjes nga data 1- 24 shtator…
Në pamje të parë vendimin e përshëndes pasi viti shkollor 2019-2020 mbeti pothuaj në fillim, pasi tërmeti i 26 nëntorit e më pas pandemia e COVID-19 e stopuan, sikundër edhe viti i kaluar shkollor 2020- 2021 u zhvillua si u zhvillua…
E përshëndes edhe për faktin se të gjitha studimet shkencore kanë vërtetuar se moshat e reja nuk janë ndër kategoritë me risk të lartë, por mund të jenë bartëse dhe që mundet ta transmetojnë virusin tek moshat e tjera.
Gjithsesi një rrezik, i cili duhet marrë gjithmonë parasysh, jo të jetë terrorizues, pasi virusi mund të merret kudo, si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj e të çohet në familje, ose më gjerë.

E përshëndes vendimin për hapjen e shkollave edhe për faktin se duhet të mësohemi të jetojmë me këtë virus apo variantet e tij, ndoshta për një kohë të gjatë, por ky fakt nuk duhet të bëhet shkas për shkatërrimin e arsimit, ekonomisë, psikologjisë, shëndetit mendor, fizik, etj.

Por deri më tani të gjitha vendimet për shkollën janë marrë nxitimthi, pa plan, pa përgatitje, pa studim, madje pa u konsultuar me askënd.
Sidoqoftë, në vend që të ndalemi në polemika, do të ishte e përshtatshme që ministria dhe vendimmarrësit për arsimin të kuptojnë se si duhet vepruar për të rikuperuar defiçitin e të mësuarit që mësimi “emergjent”, në distancë, apo edhe i kombinuar ka krijuar në mënyrë të pashmangshme. Që të ndodhë kjo, nevojitet përveçse dëshirës, vizionit dhe dashurisë për shkollën një plan reali, guximtar dhe afatgjatë, të paktën disavjeçar, i cili të jetë në gjendje të nxjerrë shkollën nga reanimacioni dhe të zgjidhë problemet që pandemia ka theksuar.
Arsimi shqiptar nuk ishte cilësor as përpara pandemisë, as tani në pandemi e as në muajt që do të vijnë. Mbyllja e shkollave i dha një goditje të madhe.
Mësimi online (në fakt, mësimi në distancë ishte dështim i plotë), sepse shumica dërrmuese e shkollave shtetërore dhe një pjesë e shkollave private nuk arritën të realizojnë mësim cilësor në distancë. Një pjesë shumë e madhe e nxënësve dhe e mësuesve nuk kanë as mjetet e përshtatshme për mësimin në distancë dhe as kualifikimin, gjë për të cilën edhe vetë MASR ka përgjegjësi të madhe. Le të mos e gënjejmë veten: Mësimi online, pavarësisht përkushtimit, ndërgjegjësimit e rraskapitjes së mësuesve, për 90% të nxënësve shqiptarë nuk ishte proces mësimor.

Praktikisht, ende pa filluar viti i ri shkollor 2021- 2022 them me bindje të plotë se për shumicën e nxënësve shqiptarë, edhe ky do të jetë një vit i humbur nga pikëpamja arsimore.
I gjithë ky dëm po shkaktohet e do të shkaktohet me vetëdije të plotë për të shmangur një rrezik minimal që është marrë përsipër nga gjithë pjesa tjetër e Europës.

Mendoj se është e kotë të kritikosh Ministrinë e Arsimit. Nuk është në dorën e saj të caktojë protokollet shëndetësore. Madje, është ndoshta edhe pak e padrejtë të kritikosh Ministrinë e Shëndetësisë për protokollin e përcaktuar.
Mjekët e shohin natyrshëm rrezikun shëndetësor si përparësor, duke u nisur nga kapacitetet mjekësore, burimet njerëzore apo numri i shtretërve në çdo spital. Por mjekëve nuk mund t’u kërkosh të vlerësojnë pasojat në fushat e tjera të ekonomisë, arsimit bujqësisë dhe t’i krahasojnë. Nuk është detyra e mjekut të marrë vendimet që prekin çdo aspekt të shoqërisë. Detyra e mjekut është të na thotë rreziqet që paraqiten nga një skenar i caktuar. Është detyra e politikanit që të vlerësojë se cili nga rreziqet është më i përballueshmi dhe me më pak pasoja. Në Shqipëri, politika duhet të kishte kuptuar tashmë, se njësoj si karantina shkatërroi ekonominë pa fituar “luftën” me armikur e padukshëm e pandeminë, edhe protokollet e tepruara shëndetësore në shkolla mund të godasin rëndë dhe pa kthim arsimin, pa garantuar asnjë përfitim të prekshëm për shoqërinë, shëndetin publik dhe ekonominë.

***

Si mund të rikuperohet defiçiti i të mësuarit në këtë periudhë të pandemisë?
Do të ishte e nevojshme të diskutojmë për mënyrat më të mira për të rimarrë atë deficit të të mësuarit që këtë vit të mësimdhënies së çuditshme (prani fizike, në distancë dhe të kombinuar), në të gjitha format e tij, pa dyshim ka përcaktuar. Një defiçit që shfaqet, para së gjithash, në rritjen shqetësuese jo vetëm të braksisjes së shkollës (fizike ose e interesimit), por që gjithashtu lidhet shpesh me një rënie të motivimit dhe pjesëmarrjes dhe me një tërheqje metodologjike për shkak të përhapjes, për shkak të kufizimeve të imponuara nga situata. Një defiçit i lidhur edhe me shumë pabarazi në aftësi, infrastrukturë, teknologji që këtë vit të varësisë së fortë nga mjetet e informatikës nuk i ka krijuar tashmë (pabarazitë ekzistonin edhe më parë), por sigurisht që e ka nxjerrë në pah të gjithë kritikën e tij.
Për të kompensuar këto deficite, shkolla ka nevojë për një plan real e vizionar, por edhe afatgjatë, i cili shoqëron jashtë urgjencës dhe lehtëson rimëkëmbjen mbi të gjitha të shpërndarjes, por edhe të pjesëmarrjes, motivimit, njohurive dhe aftësive. Një plan, i cili:
a- Merr parasysh dallimet gjeografike dhe rrugëtarsimore, duke përqendruar burime dhe vëmendje më të madhe në territoret më të pafavorizuara, urdhrat dhe notat e shkollës në këtë periudhë.

b- Rajonalizimi. Pandemia na ka treguar qartë – para së gjithash në fushën e shëndetësisë, por edhe në atë të arsimit – se ku rajonalizimi nuk shoqërohet nga një koordinim i fuqishëm qendror, ku kthehet në një shumëzim të dëmshëm (dhe të kushtueshëm) të qendrave vendimmarrëse, agjencive të shërbimit, politikave shpesh në konflikt me njëra-tjetrën dhe me ato qendrore, rreziku është të rritet në vend që të zvogëlojë joefikasitetet dhe pabarazitë, të humbasë sesa të fitojë transparencë, të shpërndahet në vend që të optimizojë burimet dhe energjitë;
c- Drejtohet drejt një përdorimi që nuk është më emergjent, por plotësisht i vetëdijshëm metodologjikisht për mësimin digjital të integruar, duke nisur një plan të jashtëzakonshëm të trajnimit të mësuesve që integron aspektet teknologjike dhe metodologjike.

d- Promovonveprime specifike për të siguruar disponueshmërinë e pajisjeve instrumentale dhe infrastrukturore në të gjitha nivelet e sistemit tonë arsimor, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit dhe institucionet arsimore të nevojshme për një përdorim gjithëpërfshirës dhe cilësor e digjitalit dhe web-it brenda proceseve didaktike dhe mësimore;
e- Të inicojë një reflektim mbi llojet, karakteristikat dhe efektivitetin e përmbajtjeve mësimore, digjitale dhe tradicionale, të përdorura nga institucionet tona arsimore.Garantimin e trajnimeve specifike mbi metodat dhe metodologjitë më të mira për ripërdorimin e tyre.

f- Favorizon idenë e një shkolle më të pranishme në jetën shoqërore, e cila duhet ta shprehë autonominë e saj edhe përmes një dialogu kapilar dhe të drejtpërdrejtë me kontekstin profesional dhe kulturor që e rrethon;
g- Të krijojë një marrëdhënie më pak të rastësishme me familjet dhe jo vetëm të lidhura me edukimin e fëmijëve, por edhe me rolin e që institucioni arsimor duhet të dijë të rikuperojë, përmes organizimit të mësimeve të hapura, grupeve të leximit dhe diskutimit, formimit të vazhdueshëm, nismave, etj.

h- Të promovojë rritjen e bibliotekave inovative të shkollave dhe rolin e tyre si hapësira të treta kushtuar aktiviteteve edukative për të mbështetur mësimin dhe studimin dhe për të promovuar leximin, dokumentimin dhe aktivitetet e trajnimit në kërkimin dhe përdorimin e burimeve, por gjithashtu për aktivitetet që synojnë thellimin e interesave personale të nxënësve në dialog me familjet dhe komunitetin;
i- të përfitojmë nga mundësia e daljes nga kjo gjendje emergjence për të rimenduar hapësirat shkollore, duke zëvendësuar uniformitetin e klasave me një politikë të diferencimit funksional të mjediseve, e cila gjithashtu duhet të shënojë edhe vizualisht një largim nga epoka e përqëndrimit në klasa.

j- Tëfavorizjë një rimëkëmbje të vëmendjes ndaj kulturës, jo vetëm arsimore e shkencore, por edhe qytetare në një perspektivë të integrimit më të madh midis kulturave humaniste-shoqërore dhe tekniko-shkencore
***

Por, cilat do të ishin përfitimet e një projekti të tillë? Një plan i gjerë do të ofronte gjithashtu një kontekst më efektiv për disa nga masat e diskutuara, si dhe ato që shtrova më sipër për e ardhshëm shkollor: jo aq shumë zgjatjen e frekuentimit të shkollës për disa javë apo zhvillimin e konsultimeve fakultative të grumbulluara në një situatë që ka qenë dhe mbetet shumë e lodhshme për të gjithë, nga stafi mësimdhënës tek studentët, por edhe deri tek prindërit dhe shoqëria e lodhur.
Plani, për të cilin sistemi ynë arsimor ka nevojë para së gjithash që të jetë real, i guximshëm, duhet të mbulojë një periudhë të gjatë kohore, ndoshta disavjeçare dhe duhet ta bëjë këtë jo përmes një zgjatjeje të orëve kurrikulare, por përmes një oferte integruese, që synon kryesisht stimulimin e motivimit për të mësuar.
Ato ç’ka them më sipër janë sigurisht disa refleksione, por disa prej tyre edhe mund të jenë të zbatueshme, në rast se qeveria dëshiron me të vërtetë të ndihmojë arsimin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Por a do të ketë kjo maxhorancë edhe kapacitetin e nevojshëm politik?

Artikulli paraprakAbsurdi i konsultimeve të shtatorit!
Artikulli tjetërKaosi me drejtësinë, BIRN: Janë 170 gjyqtarë më pak dhe deri në korrik 2022 do të ketë vetëm largime