Unioni i Gjyqtarëve: “Vettingu” antikushtetues

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dalë në përfundimin se ligji i “Vettingut”, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe duhet që të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. Ky ka qenë vendimi i marrë në mbledhjen e djeshme të këtij unioni.
“Qëndrimi i Asamblesë së Unionit të gjyqtarëve të Shqipërisë është se ligji për ‘Vettingun’ ka papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe për pasojë, do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e këtij ligji. Gjithashtu, Asambleja autorizoi Bordin Drejtues që të shqyrtojë edhe ligjin për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit pasi, në disa pjesë të tij edhe ky ligj vjen në kundërshtim me dispozitat kushtetuese!”, thuhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve.
Ligji i “Vettingut” është tashmë i pezulluar pas vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, e cila shqyrtoi kërkesën e Partisë Demokratike. Demokratët kërkojnë gjithashtu që ky ligj të shpallet antikushtetues, ndërsa aktualisht “Vettingu” do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim më të specializuar.

Artikulli paraprakShifra alarmante të drogës, mbi 21 tonë brenda 27 ditëve
Artikulli tjetërFlota e avionëve të drogës në Kukës dhe Burrel