Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri është i “revoltuar” me drejtorët e skuadrës. Bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur për shkak të transferimeve të futbollistëve.
Allegri u kthye në “Allianz Stadium” pasi drejtuesit shkarkuan Andrea Pirlon që drejtoj Juventusin gjatë sezonit 2020/21, kurse skuadra ka fituar vetëm një pikë nga dy ndeshje në Serie A në sezonin e ri.
Cristiano Ronaldo u largua nga klubi këtë muaj për t’u ribashkuar me Manchester United dhe Juventusi e riktheu në skuadër Moise Kean nga Evertoni.
Manuel Locatelli po ashtu u transferua nga Sassuolo për ta përforcuar mesfushën, por Il Giornale raporton që Allegri nuk është i lumtur me biznesin e klubit këtë verë.
Trajneri i Juventusit ka pritur një treg të transferëve tërësisht ndryshe dhe gazeta shkruan se Allegri është i “inatosur” me presidentin Andrea Agnelli dhe drejtorin sportiv, Federico Cherubini.
Allegri raportohet se i ka thënë drejtuesve të tij që “kjo nuk ishte në marrëveshje” kur ai u kthye në klub para sezonit 2021/22.
Me Miralem Pjanic që do të qendrojë në Barcelonë, bardhezinjtë kanë dështuar në prurjet e reja, një gjë që Allegri e ka kërkuar nga fillimi prej këtij klubi.