68 miliardë lekë fatura që do paguajmë për koncesionet

Forma e re e koncesioneve me Partneritet Publik Privat është kthyer në një rrezik real për arkën e shtetit, e cila duhet të paguajë një faturë të lartë kundrejt bizneseve që menaxhojnë këto koncesione, ndërsa nuk ka një analizë të saktë kosto-përfitime për të parë se sa përkthehen këto partneritete në shërbime eficiente për qytetarët.
Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë.
Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do të paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro) apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione:
1. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check up) për periudhën 2015-2024, për të cilën buxheti do të shpenzojë gjithsej 7.82 miliardë lekë (57 milionë euro).
2. Ofrimi i shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, materialet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve, dezinfektimin e sallave, për periudhën 2015-2025, me një shumë prej 12.3 miliardë lekësh (90 milionë euro).
3. Ofrimi i shërbimit të dializës për periudhën 2016-2025 për 9.47 miliardë lekë (70 mln euro).
4. Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, për periudhën 2017-2026, për të cilin buxheti do të paguajë 10.7 miliardë lekë (78 mln euro).
Ministria e Mjedisit ka në zbatim dy koncesione me vlerë totale 7.4 miliardë lekë (57 mln euro):
1. Impianti i mbetjeve në Elbasan, për periudhën 2015-2022, me vlerë 3.3 miliardë lekë.
2. Impianti i mbetjeve në Fier, për periudhën 2017-2022, me vlerë 4.1 miliardë lekë.
Ministria e Industrisë dhe Energjisë do të paguajë për 5 vjet, deri më 2019-n, rreth 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrugëve ekzistuese për HEC-in e Devollit, një nga projektet më të mëdha në Shqipëri.
Ministria e Financave ka të parashikuar të paguajë për 15 vjet, deri më 2029 rreth 13.5 miliardë lekë për koncesionin e shumëdiskutuar të doganave, të cilin e miratoi qeveria paraardhëse, por që nuk u arrit të anulohej. Financat duket se kanë hequr dorë përfundimisht nga koncesioni i TVSH-së, që nuk parashikohet në shpenzimet koncesionare për dekadën e ardhshme.

Kufiri i koncesioneve

Ministria e Financave vlerëson dhe miraton, paraprakisht, të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve, individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Kufiri i lejuar prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, pra i vitit 2016, është rreth 18.7 miliardë lekë.
Kësisoj, kufizimi ligjor i sipërcituar rezulton i respektuar, pasi rezulton se pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2017 të parashikuara në masën 7.4 miliardë lekë përbëjnë rreth 2% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2016.

“Monitor”

Artikulli paraprakBasha paralajmëron aksion të fortë politik, thirrja për të gjithë
Artikulli tjetërFaqja e parë