Premier League ruse flet shqip. Pas përfshirjes së Bekim Balajt, Odise Roshit dhe Bernard Berishës në formacionin më të mirë të javës, për lojtarët shqiptarë vijojnë vlerësimet edhe në rang klubesh. Balaj dhe Berisha janë shpallur “Futbollistët më të Mirë” të muajit tetor në ekipet përkatëse. Sulmuesi shkodran fitoi anketën e organizuar nga Terek Grozni me tifozët, duke marrë pjesën më të madhe të preferencave.
Një vlerësim i merituar për Bekim Balajn, që ka realizuar 4 gola në katër ndeshje të kampionatit rus të luajtura gjatë muajit të kaluar, duke realizuar në portën e Orenburg, Rubin Kazan dhe dy herë ndaj Uralit.
I katërti në sondazh u pozicionua kuqeziu tjetër, Odise Roshi, edhe ai i shndërruar në një lojtar mjaft të rëndësishëm te Terek Grozni, që momentalisht pozicionohet në zonën e kupave të Europës.
Te Anzhi Makhaçkala, me çmimin “Lojtari i Muajit” tetor u vlerësua edhe Bernard Berisha. Sulmuesi 25-vjeçar fitoi anketën, në bazë të vlerësimit që realizohet nga tifozët pas çdo ndeshje, me votat që përllogariten në fund.
Gjatë muajit të kaluar, Berisha realizoi tri gola me Anji-n, dy në kampionat dhe një në Kupën e Rusisë në fitoren 4-0 përballë favoritëve të Zenitit. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës mori mbi 4200 vota, duke qenë dukshëm i distancuar nga ndjekësi më i afërt, mesfushori kroat, Ivo Iliçeviç.