Nostalgjia për një Perandori të humbur

Nga Florion Metohu

Në një komunikim me një grup adoleshentësh, në datën 1 shtator në qytetin e Vladivostokut, i cili ndodhet në skajin lindor të territorit të pafund të Rusisë, presidenti Putin nuk e fshehte një fare kënaqësie kur deklaronte se në 20 vjet prani të NATO-s në Afganistan, rezultati në civilizimin dhe demokratizimin e atij vendi ishte praktikish zero për mos të then negativ.

Është një film i parë nga presidenti rus, por me ndryshimin se kësaj here ai ishte në rolin e spektatorit dhe jo në atë të aktorit, siç ndodhi me Bashhkimin Sovietik (BRRS) kur pësoi një disfatë turpëruese në Afganistan gjatë viteve 80 të shekullit të kaluar.

Jo më kot ky vend malor quhet ndryshe dhe si “varri i perandorive”. Para sovietikëve kishte qenë perandoria britanike në shekullin e 19 që pesoi të njëjtin fat dhe kështu me rradhe deri te Aleksandri i Madh në periudhën klasike.

Ishte shpërbërja e BRRS, që pasoi disfatën në Afganistan dhe rënien e murit të Berlinit, ajo që sipas shumë studiusve të marrëdhënieve politike, udhëheq veprimet dhe vendimet e liderit rus. Ai ishte një oficer i KGB-së i stacionuar në qytetin e Drezdenit, në Gjermaninë Lindore, kur turmat sulmuan zyrat e tij.

Shaun Walker deklaron se Putin është i motivuar nga një sens i fortë i historisë, dhe si shumë persona të gjeneratës së tij, kolapsi i BRRS pati një efekt të thellë mbi liderin rus.

Nostalgjinë për periudhën e Bashkimit Sovietik Putin nuk e ka fshehur asnjëherë. Në deklaratën e përvitshme që mban para popullit dhe parlamentit rus, në prill të 2005, ai do deklaronte se “Para së gjithash vlen të pranohet se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit. Sa i përket popullit rus, ajo u kthye në një tragjedi të vërtetë. Dhjetëra miliona bashkëqytetare dhe bashkatdhetarë tanë u gjendën përtej kufijve të territorit rus”.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2018, në një deklaratë para zyrtarëve dhe simpatizantëve rus, ai do e përforconte mendimin e tij duke deklaruar se po të kishte mundësi që të ndryshonte historinë do të kishte parandaluar shpërbërjen e BRRS.

Është ekzistenca e popullsisë ruse jashtë territorit të sotëm të Rusisë një nga pretekstet që përdor presidenti rus për të rifituar territore ose influencë në ish republikat sovietike.

Mjafton të përmendim konfliktin me Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe pushtimin e Krimesë dhe i lindjes së Ukrainës në vitin 2014, për të kuptuar se sa seriozisht i kishte deklaratat për fundin e Bashkimit Sovietik. Këto veprime janë dhe një parajmërim për udhëheqësit e tjerë të ish republikave sovietike. Në qoftëse ata nuk mbajnë një politikë pozitive ndaj Rusisë mund të kenë të njëjtin fat.

Megjithatë, mjetet që përdor Moska nuk janë vetëm ato ushtarake. Ato variojnë nga mbështetja politico – ekonomike që u jep udhëheqësve autoritar europian dhe jo vetëm, siç është Lukashenko në Biellorusi, në organizimin e grushteve të shtetit për rrezimin e qeverive pro BE dhe NATO, siç ishte rasti i Malit të Zi ne vitin 2016. Nuk duhen harruar fushatat konstante të dizinformimit që ka për obiektiv opinionin publik perëndimor, më qëllim minimin e besimit të tyre ndaj institucioneve demokratike, sulmet kibernetike apo shantazheve ekonomike (p.sh. bllokimi i furnizimit me gaz).

Tërheqja e NATO-s nga Afganistani dhe rikthimi në pushtet i Talebanëve duket se i ka dhënë një bindje akoma dhe më të madhe liderit rus se perëndimi dhe vlerat liberal-demokratike janë në një faze kontraktimi dhe se ka ardhur koha që vendi i tij të rimarri pozicioni që i takon në arenën ndërkombëtare, një pozicion që sipas tij, nuk duhet ta kishte humbur kurrë.

Artikulli paraprakFenomeni paralajmëron PSG-në: Unë isha në ekipin e galaktikëve dhe s’e fitova Championsin
Artikulli tjetërZjarret shkrumbojnë pyjet në Novoselë, banorët rrezikohen nga shpërthimi i bombave