Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Zhupan të Fierit. Bëhet e ditur se, 31-vjeçari Elton Metaj qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten Sabrina Benga. Policia bëri të ditur se ka arrestuar autorin e krimit mëngjesin e sotëm. Sabrina la pas një foshnje 2 vjeç.
Vëllai: E liruan gjykatësit atë kriminel që bëri hatanë
Vëllai i gruas së vrarë në Zhupan të Fierit, Sabrina Bengajt, e cila humbi jetën si pasojë e plumbave të shtënë nga arma e ish-burrit të saj pak para mesnatës së të premtes ka dhënë një deklaratë të shkurtët në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Armando Bengaj akuzoi gjykatësit për vrasjen makabër, pasi ata e kanë lejuar Elton Metajn që të dalë nga burgu dhe të bëjë më pas “hatanë”, siç e cilësoi krimin.
“Mamaja kishte dëgjuar derën. Në 20 korrik e kishin liruat nga burgu. Fajin e kanë gjykatësit dhe prokurorët e korruotuar që nxjerrin të tillë njerez kriminelë që sot bëri hatanë e madhe.
Mua më tha nusja për ngjarjen. Madje më kishte kërkuar dhe mua për të më vrarë. Ai ishte një frikacak që të vriste pas krahëve, trimi del përballë.
Ishte mamaja në momentin e ngjarjes. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa ishte kthyer nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri”, tha Armando Benga.
Vrasësi Elton Metaj, në vitin 2020 e mbajti peng për më shumë se 5 orë bashkëshorten dhe familjen e saj në shtepinë e babait të gruas dhe ndërhyri RENEA dhe FNSH për t’i shpëtuar.
Kush është Elton Metaj?
31-vjeçari Elton Metaj ka qenë protagonist në ngjarje të rëndë edhe më 2020, që ka të bëjë me ish bashkëshorten.
Ngjarja ka ndodhur në shtator 2020, në orën 23:00 në fshatin Zhupan të Fierit, ku 31-vjeçari kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së vjehrrit duke kërcënuar se do të vriste veten me një automatik. Kjo ka terrorizuar familjarët duke vënë në rrezik jetën e tyre, por që fatmirësisht janë evakuuar nga policia.
Gjatë negociatave 31-vjecari ka qëlluar me armë zjarri në ajër, një veprim ky që dyshohet të jetë marrë për të kërkuar largimin e efektivëve, por që pas disa orësh më në fund është bindur të dorëzohet në orën 04:00 të mëngjesit. 31-vjeçari Elton Meta, banues në Peshtan, kishte shkuar në fshatin Zhupan, në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, dhe ka kanosur me një armë zjarri personat që ndodheshin në banesë. Më pas ka dalë në portën e oborrit e vilës 3-katëshe dhe kërcënonte se do vriste veten me kallashnikovin që dispononte.
Menjëherë në drejtim të vendngjarjes shkuan forcat speciale RENEA , FNSH dhe grupi negociator, ku e pranishme ishte edhe motra e 31-vjeçarit për të bindur të vëllanë që të dorëzohej dhe të mos bënte ndonjë marrëzi. Policia vendosi perimetrin e sigurisë ndërsa për orë të tëra i bënte thirrje me megafon që të hidhte armën dhe të dilte.
Sipas prindërve të Eltonit ai kërkonte që të shihte vajzën ë tij të vogël të cilën ja kishte marrë bashkëshortja dhe kishte ikur te shtëpia e prindërve të saj. Ndërkohë prindërit e Eltonit hedhin dyshime edhe se bashkëshortja e djalit, nusja e tyre fliste me dikë në telefon, çka mund të jetë shkak edhe i gjestit ekstrem të Eltonit. Sipas prindërve të 31-vjeçarit, shkak i ngjarjes së djeshme ka qenë xhelozia dhe kërkesa për ndarje nga ana e bashkëshortes, e cila nuk lejonte që ai të shinte vajzën e vogël. I ati i 31-vjeçarit, Bashkim Meta shtoi se djali nuk kishte armë dhe se atë e kishte blerë dhe në gjendje depresive kishte shkuar te shtëpia e vjehrrit të vet dhe kërcënonte se do të vriste veten nëse nuk e lejonin të shinte vajzën.
“E pashë djalin që ishte në depresion, erdhi policia më tha hajde e qetësojmë se ka shkuar e shtëpia e nusen dhe ka qëlluar në ajër. Ai kërkonte vetëm vajzën e vogël ta shinte. Ai kishte blerë një kallash, nuk e kishte në shtëpi e ka blerë. Për mua duhet të futet brenda ai që i dha armën jo djali im, ai është kriminel”, ishte shprehur i ati.
“Nusja kishte bërë shumë gjëra të këqija dhe ia thash. Ajo kishte kohë që fliste në telefon dhe nuk më tregonte. Veprimi i djalit nuk është i mirë, por ishte në depresion, nuk di ç’të them”, kishte thënë e ëma.
Ai u dorëzua rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa policia njoftoi arrestimin e tij për akuzat e “Armëmbajtjes pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit kallashnikov, 2 gëzhoja dhe 25 fishekë luftarak.