Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se nuk është rëndë dakord mes palëve politike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, që janë parashikuar të mbahen më 17 tetor të këtij viti.
Në një konferencë për media pas takimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike, Presidentja Osmani deklaroi se autoritetet shëndetësore kanë rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, por sipas saj, nuk ka pasur dakordësi mes palëve politike.
“Përkundër rekomandimeve të IKSHP-së për shtyrje të zgjedhjeve, mendimi mbizotërues i subjekteve politike opozitare ishte kundër shtyrjes së zgjedhjeve. Unë mendoj se ky mendim mund të ketë pasoja për shëndetin e qytetarëve. Jam për një shtyrje sado të shkurtër të zgjedhjeve, që do të ishte në mbrojtje të qytetarëve tanë.
Meqenëse Kushtetuta është e heshtur për shtyrjen e zgjedhjeve dhe mundësia e vetme është gjetja e konsensusit mes palëve, që në këtë moment mungon, unë i ftoj të gjitha subjektet politike, sidomos ata që nuk i kanë respektuar masat deri më tani, që t’i respektojnë masat përgjatë ditëve në vijim, deri më 17 tetor.
Nëse ka eskalim të gjendjes, ne do të ulemi sërish e do të diskutojmë për datën e zgjedhjeve. Do ta shohim me kujdes situatën dhe nëse do të ketë situatë të rënduar, do të ulemi të diskutojmë sërish, por për momentin data e zgjedhjeve mbetet 17 tetori”, tha Osmani.
Më herët kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së Albin Kurti, deklaroi se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen. Pas takimit me presidenten dhe partitë politike, Kurti tha se janë të mendimit që zgjedhjet të shtyhen sipas rekomandimit të IKSHP.
“Për respektimin e vlerësimit profesional të institutit kombëtar të Shëndetësisë Publike, i nënshkruar nga 11 doktor gjithsej që është për shtyrjen e zgjedhjeve. Shtyrja e zgjedhjeve më së shumti i kushton pikërisht subjektit tonë, që nga viti 2017 janë mbajtur dy palë zgjedhje nacionale. Duke e pasur parasysh që aktualisht kemi një përmirësim të situatës me pandeminë në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet, në mënyrë që të mos kemi një valë të re, për shkak se versioni delta është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor ne jemi që zgjedhjet të shtyhen. Megjithatë ne nuk imponojmë qëndrimin tonë, le të merret cilido vendim ne do ta respektojmë“, tha ai.
Kurti tha se nuk krahasohen zgjedhjet lokale me ato nacionale, duke përmendur edhe mundësinë e balotazhit.