Letër një demokrati të shqetësuar!

Nga Ardi STEFA

Të dashur miq!

Jam themelues i Partisë Demokratike, që në Dhjetor ‘90!

Themelues dhe protagonist, jo i importuar apo vëzhgues i ndryshimeve të stuhishme të atyre viteve nga ballkoni i shtëpisë.

Jam Student i Dhjetorit me plot gojën, jo student i dhjetorit, sikundër disa të tjerë që u takoi thjesht të ishin studentë në ato vite, apo të kalonin nga Korpusi apo Qyteti Studenti rastësisht!

Në listën themeluese të atyre 300 firmave që duheshin në Dhjetor ’90 isha firmëtari nr. 31; pak numra më poshtë firmëtare ishte ime motër, studente edhe ajo!

Isha studenti që solli programin dhe statutin e Partisë Demokratike të shtypur me shaptilograf në Qytetin Studenti, për të themeluar degën e Vlorës.

Protagonist në Shkurt ’91, kur hiqnim emrin e diktatorit nga universiteti.

I dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” (Për kontribut të veçantë në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, që solli si pasojë rënien e komunizmit në Shqipëri dhe fitoren e Pluralizmit politik!)

Mund të zgjatesha edhe më tepër, por nuk është e rëndësishme zgjatja në “vlerat” e mia…

Personalisht kam 31 vite në opozitë. Që nga viti 1991 e deri më sot…

Asnjëherë nuk përfitova ndonjë post. Me përjashtim të dy viteve të fundit 1991- 1992, kur isha student, të tre viteve 1994-1997 kur isha mësues, kalova gati 20 vite në emigrim dhe që nga dita e kthimit jam i punësuar në sektorin privat.

Asnjëherë, edhe kur PD ishte në pushtet, nuk mora ndonjë emërim në administratën shtetërore, asnjëherë nuk kisha ndonjë post drejtues në shtet ku mund të bëja para e të jetoja i qetë e në mirëqenie…

Ruajta fytyrën, integritetin, romantizmin e idealizmin, me të cilin u ngrita atëherë në protesta.

Më tepër i dhashë, sesa i mora atdheut.

Dhe ngela i varfër!

Turp dhe budallallëk, mendon ndokush kur lexon këto rreshta.

Dhe zgërdhihet përpara fytyrës sime!

Por nuk jam penduar dhe as nuk është ky qëllimi i këtyre rreshtave.

Ishte zgjedhja ime e bërë me ndërgjegje!

Kjo është një letër drejtuar demokratëve të turbulluar, të cilët ashtu si edhe unë shohin me shqetësim situatën në Partinë Demokratike dhe në Shqipëri.

Periudha pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 ishte traumatizuese për demokratët.

Zgjedhjet e vjedhura, tjetërsimi i vullnetit të lirë të shqiptarëve, trishtimi, ekonomia familjare në buzë të humnerës, zhgënjimi e mungesa e shpresës tek demokratët, mund të jenë disa nga epitetet karakterizuese të kësaj periudhe.

Shqiptarët, jo vetëm demokratët, pas zgjedhjeve vazhdojnë të jenë edhe më të varfër, edhe më të pashpresë edhe më të pasigurt, edhe më të paktë në numër, më të përqeshur. Ata e dinë nga se kërcënohen, por nuk kanë ende mundësi të mbrohen.

Shqiptarët e dinë nga se vuajnë, por nuk kanë mundësi të shërohen. Shqiptarët e dinë nga se sulmohen, por momentalisht nuk kanë mundësi ta ndalin.

Varfëria dhe Pabarazia, mungesa e Shpresës, Perspektivës dhe Drejtësisë; ky regjim autokrat i paraqitur si demokraci, mbeten armiqtë që duhet të mposhtim dhe bashkë me to të arrijmë edhe ringritjen e Partisë Demokratike më të fortë.

Së bashku me to edhe mendimin se Shqipëria nuk bëhet.

Ne Demokratët besojmë se Shqipëria bëhet dhe do të bëhet.

Dhe ne demokratët gjithmonë kemi qenë shpresë e shqiptarëve!

Sot Dartia Demokratike gjendet në momentin e Saj më të vështirë.

Opozitë për herë të tretë, asnjë lloj pushteti, mijëra demokratë rrugëve të papunë, situata e brendshme e paqartë dhe e ankthshme!

Por…

Partia Demokratike lindi nga kjo shpresë më 11 dhjetor të vitit 1990, si një instrument i shoqërisë shqiptare në betejën e saj të gjatë me mjerimin, padrejtësinë, shtypjen, mungesën e lirisë dhe pesimizmin.

Prej tre dekadash PARTIA DEMOKRATIKE jeton edhe pse sot është e traumatizuar dhe e plagosur.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një emër apo disa emra. Ajo shkon përtej tyre.

PARTIA DEMOKRATIKE janë shqiptarët, janë brezat që kërkuan hapësirë mendimi, veprimi, fjale të lirë!

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është me një ëndërr, por një gjendje.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një parti, por një bashkim.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një fjalë, por një veprim.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një numër, por një shumicë.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një bindje, por një besim.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një aksion, por një lëvizje.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një frymë, por një frymëmarrje për të gjithë shqiptarët.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një frymëzim, por një pastrim, i vetvetes në radhë të parë, pastaj ti shqiptarëve.

PARTIA DEMOKRATIKE nuk është një mendim, por një ide.

PARTIA DEMOKRATIKE është një ide e pandërprerë për dije, për liri dhe barazi sociale, për prosperitet e ardhmëri.

PARTIA DEMOKRATIKE është një ide e pandërprerë për të ardhmen progresiste.

PARTIA DEMOKRATIKE është ëndrra e mijëra shqiptarëve në të kaluarën dhe e miliona shqiptarëve sot.

PARTIA DEMOKRATIKE ka lindur dhe do të jetojë në funksion të këtij qëllimi.

Demokracia është hapësira e saj, Liria është hapi i saj, Debati është frymëmarrja e saj, Drejtësia dhe e Ardhmja është koha e saj.

Në ndjekje të Demokracisë, Lirisë, Drejtësisë dhe të Ardhmes, PARTIA DEMOKRATIKE ekziston, merr frymë, vepron, ëndërron, mendon, ecën, vrapon, guxon dhe fiton!

PARTIA DEMOKRATIKE është pasuria jonë e përbashkët dhe e tillë do të mbetet.

Për shkak të PARTISË DEMOKRATIKE shqiptarët sot janë më të pasur, ne jemi më optimistë dhe Shqipëria ka në dorë një mundësi që në të shkuarën nuk e ka pasur.

Edhe debati brenda saj, pavarësisht toneve apo kampeve kundërshtare në fund do të rezultojë i shëndetshëm e produktiv.

Ringritja e Partisë Demokratike më e fortë, më dinjitoze, më perëndimore është detyrim dhe nevojë!

Të dashur miq!

Kjo është një periudhë e vështirë ku ne demokratët do të sprovohemi të gjithë!

Është periudha ku do të dallohen ata që e duan vërtet Shqipërinë dhe Demokracinë.

Do të dallohen ata që duan një dozë lirie, nga ata që do të përzgjedhin konformizmin.

Demokratët e vërtetë, (ata romantikët e pandreqshëm, pakicë në numër, por shumicë në zë e integritet) dhe Liria nuk janë dy gjëra të ndara. Pathosi, dashuria, dhimbja, melankolia, revolta ndaj padrejtësisë, shumë shpajt do të materializohen e do të përkthehen nga revolta e brendshme në atë uragan drejtësie që do të sjellë demokratët në pushtet për të mirën e shqiptarëve.

Edhe debati ynë është i shëndetshëm jo vetëm për ne atëtarët e Partisë Demokratike, por për gjithë sistemin tonë politik e Shqipërinë.

Përpara se të gërryejmë në konflikte të brendshme njëri- tjetrin le të kujtojmë se cilin kemi kundërshtar të vërtetë e detyrimin që u kemi demokratëve të thejshtë e shqiptarëve. E rikthejmë dot Partinë Demokratike në ato vlera, tek të cilat besuam në 1990? në rast se po, le të përpiqemi të gjithë. në rast se jo… atëherë… “Lumi që mori Vunonë…”

Por kam një shpresë se, ndryshe nga kundërshtarët, ne nuk duam partinë mbi Shqipërinë, nuk duam partinë mbi demokracinë.

Dha tani në mendje më vjen një varg i poetit të shquar grek, Odiseas Elitis: “që të rrotullohet dielli, shumë punë do!…”

Është e vërtetë, mik demokrat, duhet shumë punë për të ndryshuar botën!…

Dhe ne kemi sy e jo mendje të verbër!

p.s: 1- Këto rreshta mund t’i firmosja si anëtar i Këshillit Kombëtar, por më pëlqen që t’i firmos si anëtar i thjeshtë dhe themelues i PD!

2- Qëllimisht nuk e përdora foljen modale “duhet”…

Artikulli paraprakSondazhi: Qytetarët e BE favorizojnë Kancelaren gjermane para presidentit francez
Artikulli tjetër“Ndal gjobave politike”, PD denoncon fushatën e qeverisë: Goditje selektive ndaj mbështetësve të PD